Kafeja është një ndër produktet kryesore që importohet dhe tatohet me akcizë. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, për periudhën 6-mujore niveli i importit të kafesë arriti në 3 955 ton, ku vetëm gjatë muajit qershor rezulton të kenë hyrë në vendin tonë 846 ton kafe. Rritja e nivelit të importit të kafesë mund të shpjegohet me faktin se shqiptaret po konsumojnë më shumë këtë produkt.
Kjo masë importi e këtij produkti është thuajse dyfishi i të njëjtës periudhë të një viti më parë. Specialistët e doganave, për të analizuar produktin e kafesë përdorin analizën e konsumit, që lidhet direkt me pagesën e akcizës në momentin e hedhjes në qarkullim, kjo nga importi ose nga daljet e magazinave fiskale.
Konsumi i këtij produkti përgjatë muajve të parë të këtij viti ka pasur luhatje me ulje-ngritje, çka bëri që të nxiteshin debate publike mbi procedurat dhe nivelin e zhdoganimit të këtij produkti.
Dihet se vetëm pak kohë më parë administrata doganore njoftoi gjithashtu kompanitë për ndryshimet e çmimeve të kafesë në tregjet ndërkombëtare, ku sipas tyre, çmimet e bursës për produktin e kafes, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2016 kanë qenë më të larta, sidomos në muajt e parë të vitit.
Gjithashtu të ardhurat nga taksa e akcizës në buxhetin e shtetit janë rritur këtë vit.