4.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Prejardhja e Muhamedit, alejhi salatu ve selam

Më të lexuarat

Muhamedi është më i nderuari i krijesave të Allahut, është më i miri dhe më i fundit i të Dërguarve të Tij. Eshtë bir i Abdullahut; Abdullahu-bir i Abdul Mutalibit; Abdul Mutalibi-bir i Hashimit; Hashimi-bir i Abdu Menafit; Abdu Menafi-bir i Kusajit; Kusaji-bir i Kilabit; Kilabi-bir i Murres; Murrja-bir i Ka’abit; Ka’abi- bir i Lu’ejit; Lu’eji-bir i Galibit; Galibi-bir i Fihrit; Fihri-bir i Malikut; Maliku-bir i Nadirit; Nadiri-bir i Kinanit; Kinani-bir i Huzejmit; Huzejmi-bir i Mudrikut; Mudriku-bir i Iljasit; Iljasi-bir i Mudarit; Mudari-bir i Nezarit; Nezari-bir i Ma’dit; Ma’di-bir i Adnanit.


 Sipas mendimit të të gjithë historianëve, Adnani është një nga pasardhësit e Ismailit, biri i Ibrahimit, por nuk dihet me saktësi numri i brezave dhe as emrat e personave që kanë qenë midis tij dhe Ismailit. Ndërsa nëna e Muhamedit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është Eminia, bija e Uehbiut; Uehbiu-bir i Abdu Menafit; Abdu Menafi-bir i Zehrës; Zehra-bir i Kilabit. Kilabi ishte gjyshi i pestë i Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nga e ëma. Pra, babai i tij dhe nëna e tij dilnin prej një origjine dhe bashkoheshin te Kilabi. Emri i saktë i Kilabit është Hakim ibn Urue, por meqë e kishte bërë zakon që shkonte shpesh herë për gjah me qentë e gjahut, u njoh me emrin “Kilab”. Fisi

Fisi i Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishin kurejshët, të njohur për vetitë e mira dhe autoritetin e lartë. Ai fis ka një prejardhje të lavdishme dhe pozitë të nderuar ndër të gjithë arabët. Kurejsh është mbiemri i Fihirit, birit të Malikut ose i Nadrit dhe Nadri-bir i Kinanit. Të gjithë burrat e këtij fisi kanë qenë fisinikë dhe të nderuar në kohën e tyre, por më i dalluari ndër ta ishte Kusaji (emrin e vërtetë e kishte Zejd). Ai ishte i pari nga kurejshët që mori përsipër të kujdesej për Qaben. Pra, ai kishte çelësin e Qabes, e hapte për atë që donte dhe kur të donte. Ai e vendosi fisin Kurejsh në luginën e Mekës, në brendësi të këtij vendi, kurse më parë ata banonin në rrethinat e Mekës, të shpërndarë midis fiseve të tjera. Kusaji kujdesej për t’u shërbyer e për t’u dhënë ujë haxhinjve. Ena ishte një rezervuar i posaçëm për lëng hurmash, mjaltë, rrush të thatë etj. Ishte ai, që përgatiste ushqimin për ta, në kohën e Haxhit. Kusaji ndërtoi një shtëpi në veri të Qabes, e cila u njoh me emrin “Darun Nedue” (Shtëpia e Këshillimit). Ajo ishte shtëpia e këshillimit për kurejshët dhe qendër e lëvizjeve të tyre shoqërore. Prandaj, çdo martesë a çdo çështje tjetër përfundohej në atë shtëpi. Kusaji kishte në dorë flamurin dhe udhëheqjen. Cdo flamur lufte nisej vetëm me urdhrin e tij. Ai ishte fisnik, i urtë dhe i shkonte fjala te njerëzit e vet.

Familja

Familja e Muhamedit njihej me emrin “Familja Hashemije”. E kishte marrë këtë emër prej gjyshit të tij të dytë, që quhej Hashim. Pasardhësit e tij quheshin hashemij dhe kështu, derisa erdhi Islami. Hashimi kishte trashëguar disa ofiqe nga Kusaji: u shërbente haxhinjve dhe përgatiste bukën e ushqimin për ta. Hashimi ishte njeriu më i lartë i kohës së tij. Ai e thërrmonte bukën në lëng mishi dhe e bënte përshesh. Në arabishte ky lloj ushqimi quhet “tharid”. Hashimi ua jepte tharidin haxhinjve, që vinin në Mekë. Nga kjo ai mori emrin Hashim (Thërrmues), kurse emrin e vërtetë e kishte Amru. Hashimi bëri traditë për arabët “dy udhëtimet”; udhëtimi i parë bëhej gjatë dimrit për në Jemen, kurse udhëtimi i dytë bëhej gjatë verës për në Sham. Hashimi ishte më i nderuari i Bat’hasë (Mekës). Thuhet se kur Hashimi kaloi në Jathrib1, që ndodhet në rrugën për në Sham, u martua me Selemen, bijën e Amrit, nga fisi Beni Adji e ky bir i Nexharit. Qëndroi tek ajo ca kohë, pastaj shkoi në Sham. Selemeja kishtë mbetur shtatzënë në Medine (Jathrib). Hashimi vdiq në Gaza, që ishte tokë e Palestinës. Selemeja lindi djalë në Medine, të cilit ia vuri emrin “Shejbe”2, prej thinjave që kishte në kokë. Djali u rrit midis dajave në Medine, por xhaxhallarët e tij në Mekë nuk dinin asgjë për të, derisa ai u bë shtatë ose tetë vjeç. Kur xhaxhai i tij, Muttalibi e mësoi këtë, shkoi dhe e solli në Mekë. Kur e panë njerëzit, menduan se djali ishte skllav i tij dhe e quajtën “Abdul Muttalibi” (Skllavi i Muttalibit”). Kështu, ai u bë i njohur me këtë emër. Abdul Muttalibi ishte më i pashmi i njerëzve dhe më autoritari. Në kohën e vet është nderuar si askush tjetër. Abdul Mutalibi ishte më i nderuari i kurejshëve, pronar i varganit të Mekës. Ishte i nderuar, i respektuar dhe shumë bujar, saqë për bujarinë që kishte, quhej “dhënës i madh”. Nga sofra e tij hanin të varfrit; nga sofra e tij hanin kafshët e egra dhe shpezët. Prandaj, Abdul Muttalibi quhej ushqyes i njerëzve në fushë dhe ushqyes i kafshëve dhe i shpezëve në majat e maleve. Ai pati nderin të rihapte pusin e Zemzemit, pasi e pati mbyllur atë pus fisi Xhurhum, shumë kohë më parë, atëherë kur u dëbuan nga Meka. Kur po flinte, Abdul Muttalibi pa një ëndërr. Dikush e urdhëroi që të hapte pusin e Zemzemit, madje u përshkrua edhe vendi, ku gjendej pusi. Po në kohën e Abdul Muttalibit ka ndodhur edhe ngjarja e Elefantit. Abraha El Ashrami (sundues i Jemenit) erdhi nga Jemeni me gjashtëmbëdhjetë mijë ushtarë të stërvitur mirë për të shembur Qaben. Ai kishte me vete edhe disa elefantë. Arriti në “Uadi Mahsir”, që gjendet midis Muzdelifes dhe Minasë. Në kohën që u përgatit për sulm kundër Mekës, Allahu dërgoi mbi ta zogj që vinin tufë-tufë e që gjuanin me gurë dhe baltë të gurëzuar. Allahu e bëri ushtrinë e Abrahasë si gjeth të përtypur. Kjo ka ndodhur rreth një muaj para se të lindte Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Babai i Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është Abdullahu. Ai ishte më i miri dhe më i sjellshmi i djemve të Abdul Muttalibit. Kur Abdul Muttalibi hapi pusin e Zemzemit dhe u dukën shenjat e pusit të vjetër, Kurejshët u grindën me të dhe u përpoqën që ta ndalonin, por ai premtoi që, sikur Allahu t’i jepte dhjetë djem, ai do të bënte kurban njërin prej tyre. Kështu, Abdul Muttalibi hodhi short midis djemve të vet se cili do të bëhej kurban. Shorti i ra Abdullahut. Abdul Muttalibi shkoi te Qabja për ta bërë kurban Abdullahun, por Kurejshët e ndaluan, sidomos vëllezërit dhe dajat e tij. Atëherë, Abdul Muttalibi dha në vend të tij njëqind deve. Ismaili u shpëtua me një dash (i cili u ther në vend të tij) dhe Abdullahu u shpëtua me njëqind deve që u flijuan për të. Pra, Profeti Muhamed është biri i dy njerëzve që flijoheshin, njëri është Ismaili, tjetri babai i vet, Abdullahu e njëherazi është biri dy të shpëtuarve. Abdul Muttalibi dha pëlqimin që djali i vet, Abdullahu të martohej me vajzën Emine, që ishte bija e Ehbiut dhe më e mira e grave të fisit Kurejsh, si për nga nderi, ashtu edhe për nga pozita. Babai i saj, Uehbiu ishte kryetar i fisit Beni Zehre dhe më i miri i tyre, si në prejardhje ashtu edhe në pozitë. Kështu, u realizua fejesa dhe martesa. Abdullahu dhe Eminia jetuan pak kohë në Mekë. Ajo mbeti shtatzënë dhe nga kjo shtatzënësi lindi i Dërguari i Allahut. Pas njëfarë kohe, Abdul Muttalibi e dërgoi Abdullahun në Medine (thuhet edhe në Sham), që të merrej me tregti. Por, sapo u kthye, vdiq. U varros në shtëpinë e Nabija Dhabjaniut; sipas një kumtimi më të saktë, Abdullahu ka vdekur para se të lindte Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). 

Safijurrahman el-Mubarekfuri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit