Falënderimi i qoftë Allahut i Cili krijoi njeriun dhe çdo gjë tjetër. Paqja e Tij qoftë mbi të Dërguarin e të dashurin e Tij, familjen dhe shokët e tij.
Allahu i Lartësuar e krijoi njeriun dhe e vendosi në tokë që ta sprovojë se a do të jetë falënderues apo mohues i mirësive të tij. Për këtë arsye ia bëri atij detyrim njohjen e Tij sikurse thotë në Kuran: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, përveçse të më adhurojnë.” Pra, Allahu nuk e krijoi njeriun dhe çdo gjë tjetër kot së koti e as për lojë.
Allahu i Lartësuar nga mirësia e Tij i dërgoi njerëzimit të dërguar nga mesi i tyre që t’ua lehtësojë rrugën deri te njohja e Tij dhe njohja e çdo gjëje tjetër që njeriu me mendjen e tij nuk kishte për ta njohur kurrë. Prej nga do të dinte njeriu për engjëjt, për ndodhitë pas vdekjes, për xhenetin, për xhehenemin etj., sikur mos t’ia zbulonte Allahu ato njeriut përmes shpalljeve? Allahu i Lartësuar nuk e hodhi njeriun në det pa ia mësuar atij notin. Në shumë ajete të Kuranit Ai na tregon se ç’është kjo botë dhe çfarë peshe ka ajo, pastaj në shumë ajete të tjera na tregon rëndësinë e botës së ardhme dhe metodën se si arrihet lumturia e përjetshme në të.
Të nderuar vëllezër!
Besimi në xhenet dhe në xhehenem është prej bazave esenciale të Islamit dhe mohuesi i tyre (kundërshtari) është jobesimtar edhe nëse beson çdo gjë tjetër. Xheneti dhe xhehenemi janë caku i fundit për çdo njeri, ndaj nuk ka dyshim se njohja e tyre dhe puna për ta është me rëndësi të veçantë.
Prej nga të dimë ne për xhenetin dhe xhehenemin? A ka qenë dikush në xhenet e në xhehenem që të na tregojë për ta? Janë pyetje të cilat mund t’i parashtrojë shumëkush. Xheneti dhe xhehenemi nuk mund të njihen përmes perceptimeve dhe zbulimeve njerëzore. Ata i ndjen shpirti i njeriut dhe hulumton për një gjë të tillë.
Rruga për njohjen e tyre është rruga e shpalljes. Besimi në Zotin obligon edhe besimin në botën e ardhme dhe çdo gjë në të.
A thua vëllezër e ka parë ndonjë njeri xhenetin dhe xhehenemin ende pa vdekur?
Po, vëllezër të dashur, në mesin e atyre njerëzve është edhe i dërguari dhe i dashuri ynë, Muhamedi (alejhi selam). Ai i pa ata në natën e Israsë dhe të Miraxhit dhe na lajmëroi për shumë gjëra që ai i pa aty. Si të besohet kjo? Kjo besohet pasi të vërtetohet realiteti i shpalljes së Muhamedit (alejhi selam).
Duhet të besojmë ashtu siç besoi në të Ebu Bekri (radiallahu anhu), meqë e njihte mirë se kush është ai. Kur jobesimtaret i thanë me shpresë se ai në ato momente do të refuzonte që shoku i tij (alejhi selam) kaloi gjithë atë largësi të madhe brenda një pjese të natës.
-Ky shoku yt mendon se shkoi në Jerusalem (ku është Mesxhidul Aksaja) brenda një pjesë të natës dhe kaloi shtatë qiejt!- thanë ata.
-A e tha këtë ai?- pyeti Ebu Bekri.
-Po.- u përgjigjën.
-E vërtetë është, unë atij i besoj se i vjen shpallja nga qielli për një kohë shumë të shkurtër, e si mos t’i besoj për një gjë të tillë!- u tha Ebu Bekri.
Ja pra, vëllezër të nderuar, edhe ne duhet të besojmë në xhenet dhe xhehenem, ashtu siç besoi Ebu Bekri, halifi i parë i muslimanëve pas vdekjes së pejgamberit (alejhi selam).
Të nderuar vëllezër!
A thua se për çfarë na lajmëroi i dërguari i Allahut në lidhje me xhehenemin?
Transmetohet në një hadith se Pejgamberi (alejhi selam) e pyeti Xhibrilin (alejhi selam). që t’ia përshkruajë xhehenemin.
Xhibrili (alejhi selam) thotë: “O Muhamed, xhehenemi është i errët dhe në të është errësirë e madhe. Sikur një pjesë e xhehenemit, sa gjilpëra, të kishte dalë në dynja, do ta kishte djegur tokën dhe çdo gjë që ka në të. Sikur një rrobë prej rrobave të xhehenemlinjëve të ishte varur në ndonjë vend të tokës, do ta kishte shkatërruar dynjanë prej erës së rëndë që e ka. Sikur një pjesë e ushqimit të xhehenemlinjëve të ishte sjellë në dynja do t’ua kishte prishur jetën njerëzve në këtë dynja. Sikur një engjëll prej engjëjve të xhehenemit, të cilët në numër janë 19 dhe janë rojet kryesore të xhehenemit, të ishte sjellë në këtë botë, do të kishin vdekur të gjithë njerëzit nga pamja e shëmtuar që ka ai engjëll. Sikur një rreth prej zinxhirit të gjatë me të cilin lidhen xhehenemlinjtë të ishte sjellë në dynja, do të ishte shafitur toka dhe çka ka në të.”
Kur e dëgjoi pejgamberi (alejhi selam) këtë tha: “Mjaft o Xhibril, mjaft! Dhe filloi të qajë, e bashkë me të edhe xhibrili (alejhi selam). Pejgamberi (alejhi selam) i tha: “O Xhibril, a po qan edhe ti që çfarë pozite ke ti tek Allahu?!” Xhibril (alejhi selam) vazhdon e thotë: “Ç’më pengon mua që Allahu të më ndryshojë gjendjen time ashtu siç e ndryshoi gjendjen e Iblisit të mallkuar?”
Po pra, të nderuar vëllezër, po qan Pejgamberi (alejhi selam), më i dashuri i Allahut, po qanë Xhibrili (alejhi selam) engjëlli më i dashur i Allahut, e si është gjendja jonë, kur dihet se një pjesë e madhe e njerëzve nuk i bien Allahut në sexhde, nuk e falin namazin? Kush mund të garantojë se nuk do të jemi prej atyre që u thuhet: “Futuni në xhehenem.” Allahu na mbrojttë prej xhehenemit dhe veprave të tyre! Amin!
Përgatiti grupi i studentëve “Ali ibn Talib”
25.11.2006