-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Besimi i Ehli Sunetit në atë që ka ndodhur mes shokëve të të dërguarit të Allahut në betejën e Xhemelit

Më të lexuarat

Besimi i ehli sunetit dhe xhematit është heshtja për atë që ka ndodhur mes shokëve të të dërguarit të Allahut, të jemi të kënaqur me gjithë ata. Po ashtu, besimi i ehli sunetit është se ata janë përpjekur në kërkimin e së vërtetës. Për atë që e kanë qëlluar kanë dy shpërblime, ndërsa për atë që nuk e kanë qëlluar e kanë një shpërblim.

Librat e historisë shumë herë janë të mbushura me lajme të përgënjeshtruara, lajme të cilat ulin vlerën e këtyre shokëve të zgjedhur të të dërguarit të Allahut. Mospajtimet e tyre i kanë paraqitur si mospajtime dhe probleme personale apo probleme të kësaj bote. Pasi që çështja është kështu, ne do t’i sjellim disa lajme të vërteta rreth kësaj beteje. Do të sqarojmë shtytësin i cili ka shtyrë në luftën mes sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta!).

Së pari: Aliut ju dha besa për halife pas vrasjes së Uthmanit. Aliu nuk e deshi një gjë të tillë dhe e refuzoi, por pastaj pas insistimit të shokëve të të dërguarit të Allahut e pranoi një gjë të tillë. Në lidhje me këtë Aliu thotë: “Mendja ime fluturoi ditën kur u vra Uthmani dhe e kam mohuar një gjë të tillë. Kanë kërkuar prej meje besën për halife dhe u kam thënë: “Pasha Allahun, unë turpërohen prej Allahut që t’i jap besën një populli i cili e ka vrarë një njeri për të cilin i dërguari i Allahut ka thënë: ‘E si mos të turpërohem prej një njeriu prej të cilit turpërohen engjëjt’. Unë turpërohem prej Allahut që të marr besën, ndërsa Uthmani i vrarë ende nuk është varrosur. Shokët e Pejgamberit e lanë këtë çështje. Pasi u varros Uthmani u kthyen përsëri dhe kërkuan prej meje që të më japin besën për halife. Thash: ‘O Zot, unë po i  frikësohem asaj që po më ofrohet.’ Pastaj vendosa që ta pranoj. Kur më thanë: ‘O udhëheqës i muslimanve, kur më thanë këtë, sikur zemra mu ça. Pastaj tha: ‘O Zot, merr prej meje për Uthmanin, gjersa të jesh i kënaqur.’” Transmeton Hakimi dhe e ka pëlqyer imam Dhehebiu.

Së dyti: Nuk ka pasur mundësi Aliu që të zbatojë shpagimin dhe kapjen e vrasësve të  Uthmanit, për shkak se nuk i ka njohur personalisht se kush e kanë vrarë dhe me ta kanë qenë të përzier në këtë ushtri edhe havarixhët, edhe pse ishin shumë dhe të përgatitur për luftë. Në disa transmetime thuhet se numri i tyre kishte arritur deri në 2000. Gjithashtu disa prej tyre kishin lënë Medinën dhe kishin shkuar nëpër vende të tjera, kur Aliu mori besën.

Shumë prej sahabëve, në këtë kohë, ishin jashtë Medinës. Prej tyre ishin edhe nënat e besimtarëve, për shkak të angazhimit të tyre për haxh. Sepse vrasja e Uthmanit ndodhi ditën e xhuma më 18 kaluar prej dhulhixhes, vitin 35 h.

Së treti: Kur kaluan 4 muaj prej besës që kishte marrë Aliu, pa e zbatuar shpagimin, doli Talha dhe Zubejri në Mekë dhe u takuan me nënën e besimtarëve Aishen dhe u morën vesh që të dalin në Basra dhe të qëndrojnë me kuajt dhe burrat, jo për qëllim lufte, por  që t’ju lehtësohet atyre në kapjen vrasësve të Uthmanit dhe zbatimin e shpagimit tek ta. Këtë argumenton ajo që transmetohet nga imam Ahmedi dhe Hakimi se Aishja, kur mbërriti tek puset e Benu Amirit natën, lehën qentë. Tha: “Çfarë uji është ky?”  thanë: “Uji haueb.” Tha: “Unë mendoj që të kthehem, sepse i Dërguari i Allahut na ka thënë neve: ‘Si do të jetë me ndonjërën prej jush, kur do t’ju lehin qentë e hauebit”. Atëherë Zubejri i tha: “Po kthehesh, ndoshta Allahu me ty ndreq në mes njerëzve.”

Së katërti: Daljen e tyre në Basra dhe mbizotërimin e saj Aliu e llogariti si dalje nga respektimi i Emirit dhe u frikësua se do të ndahet shteti islam dhe shkoi në drejtim të tyre. Allahu thotë: “Çështja e Allahut është e caktuar”.

Së pesti: Aliu dërgoi Kaka bin Amr tek Talha dhe Zubejri dhe i ftoi që të bashkohen. Ai filloi së pari me Aishen dhe i tha: “Oj nëna ime, çka të shtyri që erdhe në këtë vend?” Tha: “O biri im, ndreqjen e njerëzve në mes tyre.”

Ka thënë Ibnu Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) në librin e tij “Elbidaje ue nihaje”: “U kthye tek Aliu dhe e njoftoi për këtë lajm dhe i pëlqeu kjo dhe dëshiroi që t’i ndreq njerëzit mes tyre, pa marrë parasysh a janë të kënaqur të gjithë me këtë. Aishja dërgoi lajm tek Aliu që ta njoftojë se ajo ka ardhur për ndreqjen e njerëzve. U gëzuan të dy grupet. Aliu u ngrit që t’ju mbajë njerëzve një ligjëratë. E përmendi në të injorancën dhe punët e keqija të saj. Ndërsa ua përkujtoi Islamin dhe lumturinë e tij me dashurinë dhe bashkimin e njerëzve dhe se Allahu i ka bashkuar këta pas vdekjes së Pejgamebrit në Ebu Bekrin, pas vdekjes së Ebu Bekrit në Umerin, pastaj në Uthmanin, pastaj ndodhi kjo që ndodhi në këtë umet. Ata që kanë dashur luftë janë popuj të cilët kanë kërkuar dynjanë dhe kanë xhelozuar në atë që Allahu ia ka dhënë dikujt. Me këtë këta njerëz dëshiruan të mposhtin Islamin, por Allahu është mbi të gjitha. Unë nesër do të largohem nga këtu  dhe largohuni edhe ju dhe mos të largohet me mua asnjëri i cili ka ndihmuar në  vrasjen e  Uthmanit, qoftë edhe me diçka të vogël.”

Pastaj ka thënë Ibnu Kethiri: “Njerëzit në këtë natë fjetën rehat, ndërsa për vrasësit e Uthmanit ishte një natë e keqe. Vrasësit e Uthmanit filluan të këshillohen në mes tyre. U pajtuan që të përhapin luftën, prej asaj që nuk kishin nga t’ia mbanin. U ngritën para namazit të sabahut ku ishin afërsisht 2000 burra. Çdo grup shkoi tek të afërmit e tyre, ku i sulmuan ata me shpata. Çdo grup u shpërnda në popullin e vet që t’i pengojë dhe kështu u ngritën njerëzit prej gjumit të tyre me shpata në dorë.

Së gjashti: Ajo që është më me rëndësi të qartësohet në këtë çështje është ajo çka kanë qenë shokët e të Dërguarit të Allahut, prej sinqeritetit, mbajtjes së premtimit dhe dashuria për Allahu me gjithë luftërat që kanë pasur. Ja disa shembuj të cilët tregojnë për këtë:

Transmeton Ibën Ebi Shejbe në librin e tij me zinxhir të vërtet nga Hasen b. Ali i cili ka thënë: “E kam parë (e ka për qëllim Aliun) kur u ashpërsua lufta, më merrte dhe më fshihte e më thoshte: ‘O Hasen, sikur të kisha vdekur para kësaj para 23 haxheve apo viteve!”

Zubejri e la luftën dhe zbriti në një luginë. E pasoi Amër b. Xhermuz dhe e vrau kur ai ishte duke fjetur. Kur i erdhi lajmi Aliut për vdekjen e tij tha: “Përgëzoje vrasësin e Ibën Safijes (Zubejrit) me zjarr. Ibën Xhermuzi erdhi dhe në dorë kishte shpatën e Zubejrit, atëherë i tha Aliu: “Kjo shpatë shpesh i ka larguar vështirësitë nga fytyra e të dërguarit të Allahut.

Ndërsa Talha u godit me një shigjetë në gjurin e tij dhe vdiq prej saj. Aliu u ndal tek Talha dhe filloi t’ia fshijë dheun nga fytyra e tij dhe tha: “Allahu të mëshiroftë, o Ebu Muhamed! Krenohem që të shoh të shtrirë nën yjet e qiellit.” Pastaj tha: “Allahut i ankohem për mërzinë dhe pikëllimin tim. Vallahi sikur të kisha vdekur 23 vjet para kësaj dite.”

I është thënë Aliut: “Dy njerëz janë para derës të cilët po e fyejnë Aishen.” E urdhëroi Kaka b. Amr që t’i rrahë me 100 kamxhik çdonjërin prej tyre.

Është pyetur Aishja për ata që janë vrarë në radhët e saj prej muslimanëve dhe ata që janë vrarë në radhën e Aliut prej muslimanve. Çdoherë që përmendte ndonjërën prej tyre, lutej për të dhe kërkonte nga Allahu ta mëshirojë.

Kur dëshiroi Aishja të dalë prej Basrës. Aliu i përgatiti çdo gjë që i nevojitet prej mjetit të udhëtimit, ushqimin. Gjithashtu Aliu i zgjodhi 40 gra prej grave të Basrës të njohura  dhe e shoqëroi atë vëllai i saj Muhamed b. Ebi Bekër, i cili ishte në ushtrinë e Aliut. Edhe Aliu, gjithashtu,  e përcolli nënën e besimtarëve duke ia dhënë lamtumirën, e përcolli atë disa milje.

Kur Aishja u dha lamtumirën njerëzve u tha: “O biri im, mos ta qortoj asnjëri tjetrin. Vallahi nuk ka mes meje dhe Aliut në të kaluarën përveç  ajo çka mund të ketë mes gruas dhe të afërmit e burrit të saj. Ai është prej qortuesve më të zgjedhur për mua.” Aliu tha: “Të vërtetën e ka thënë. Vallahi nuk ka pas mes meje dhe saj përveç asaj që tha. Ajo është gruaja e Pejgamberit tuaj në këtë botë dhe në botën tjetër.

Një thirrës i Aliut thirri: “Mos të vritet dikush nga mbrapa dhe mos goditet me plagë. Kush e mbyll derën e shtëpisë së tij ai është i sigurt. Kush e  hedh armën ai është i lirë. Pastaj urdhëroi Aliu që të tubojë atë që ka gjetur tek pasuesit e Aishes në ushtri dhe t’i dërgojë në xhaminë e Basras dhe kush e njeh mallin e vet  le ta marr.

Kjo dhe gjëra të tjera tregojnë për pozitën dhe vlerën që kanë pasur këta shokë të zgjedhur, pozitën e tyre dhe angazhimin e tyre në kërkimin e së vërtetës. Tregon zemrat e tyre të shëndosha dhe të pastra prej zilisë, urrejtjes dhe epshit. Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë!

Përktheu: Shaban Murati

03.03.2007

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit