Pas një harrese të gjatë, Ismail Morina, alias Ballisti, është rikthyer në qendër të vëmendjes së opinionit publik pasi autoritetet kroate vendosën ekstradimin e tij në Serbi. Tashmë, për ta hequr atë prej “kthetrave të shkjaut”, po angazhohen dhe strukturat më të larta qeveritare.
Një shtet i cili akuzohet për moskujdes e pandjeshmëri të thellë ndaj fatit të shtetasve të vet jashtë kufijve, ka marrë revan tashmë në mbrojtje të atij që konsiderohet “njeriu i dronit” mbi stadiumin “Partizani” të Beogradit në ndeshjen Serbi – Shqipëri. Ishte pikërisht ky moment kur ai u shndërrua në hero për një pjesë shqiptarësh, pasi i sfidoi serbët me anë të një flamuri të sajuar nacionalist duke iua valëvitur mbi krye, falë shfrytëzimit të një risie teknologjike.
Më pas, si për t’ia shtuar akoma dhe më tepër ymrin, Ismail Morina u intervistua nga Top Channel, ku dhe shprehu ëndrrën për të patur një skrep, gjë që çoi në hapjen e një xhiro-llogarie, ku shqiptarë anekënd do kontribuonin që idhulli im tyre kuqezi pa top dhe frizurën tip Brajtner (lojtar gjerman i viteve ’80), ta kishte më së fundi mjetin e tij për të punuar dhe siguruar të ardhura.
Nuk u morr vesh nëse ia arriti ta prekte ëndrrën, pasi lajmet që pasuan me të ishin më tepër “kronike”, për shkak të disa ndalimeve nga policia, siç dhe në rastin më të fundit ku ai bëhet gati për t’u çuar në Serbi si “cjapi te kasapi”.
Tashmë ai ka vënë në sprovë diplomatike të gjithë shtetin shqiptar. Mosbzajtja e këtij të fundit, do ishte korrekte, edhe pse këtë nuk e pranon ajo masë e përndezur shqiptarësh që shohin tek akti i çuarjes së Ballistit në Serbi një atentat anti-shqiptar.
Ballisti, nuk ka kontratë me shtetin për gjithë protagonizimin e tij atdhetar shfaqur në lojën me top. Ajo është zgjedhje personale e tij dhe kostot nuk ka pse t’i mbajë një shtet, që nga droni e deri tek ky rast i fundit. Më e shumta, i takon FSHF-së të merret me avokatinë e tij, ku së paku mos bën publike futjen në lojë dhe të kreut të qeverisë. Tek e fundit bëhet fjalë një tifoz, ku më shumë se për lojën në fushë, rezultatet e kombëtares, sukseset e saj, angazhohet në akte egocentrike prej një anonimi që ka dëshirë të jetë me patjetër dikushi. Të tillë me tipin dhe fatin e tij mund të jenë shumë, dhe shteti nuk iua ka për borxh që të kostojë në çmimin e diplomacisë që ndjek, për t’i shpëtuar ata nga gropa që në fakt ia hapin vetes me shumë dëshirë, mu prej asaj çka u tha pak më sipër: dëshirës së flaktë për të qenë dikushi, e ku zakonisht rruga më e lehtë është ajo e lojës me ndjenja kuqezi.
Ne do ia dëshironim Ballistit heqjen qafe të këtij telashi, ku serbi po e pret duke fërkuar duart – gjë që tregon dhe marrëzinë e tyre, gjersa kanë ngenë të merren me një tifoz që tek e fundit as ka vrarë e as ka prerë kënd; por që nuk do quhej serb nëse nuk do vijonte me gomarllëqe të tilla po ashtu nacionaliste, që për dreq e çojnë të vrasë e të presë sapo i jepet rasti – madje dhe me rolin ndërhyrës të Tiranës zyrtare, por le të jetë e fundit. Ballisti të konsiderohet këtej e tutje si thjesht një Ismail që ka nevojë për një skrep, e që të bëhet e mundur t’i sigurohet, edhe në shenjë mirënjohje për afshin e atij atdhetar, për aq sa e shpërfaq dhe si. Kaq. Nuk bën ta kemi Ballistin si një hall më shumë, në këtë det hallesh shoqërore dallgëpasosura. /tesheshi.com/