-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Institucionet kosovare po i diskriminojnë gratë intelektuale me mbulesë

Më të lexuarat

Biseda me gra të mbuluara muslimane mbi përvojat për stigmatizimin e tyre në sferat shoqërore dhe institucionale të Kosovës.

Sumeja Kqiku gjithmonë kishte ëndërruar ta studiojë mjekësinë dhe një ditë të bëhej pediatre. Por entuziazmi iu pre në vitin 2015 kur ajo u paraqit te Fakulteti i Mjekësisë në Prishtinë me dokumentet për aplikim në duar dhe me mbulesë mbi kokë.

Edhe pse veshjet fetare nuk janë të jashtëligjshme në institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë, një nga nëpunësit administrativ menjëherë refuzoi t’ia pranojë dokumentet kur ajo iu afrua tavolinës së tij.

“Më tha, ‘jo’, kjo nuk është për ty”, kujton ajo.

Gjatë dy muajve kam takuar nëntë gra muslimane të cilat ndanë me mua storiet e tyre se si është të përjetosh jetën shoqërore dhe institucionale në Kosovë si grua e mbuluar.

Praktikimi i fesë është e drejtë e mbrojtur me Kushtetutë në Kosovë, por gratë që bartin mbulesë shpesh përballen me stigmë shoqërore, gjë që shpesh është e ndërlidhur me debatet për laicitet dhe modernitet në vend. Sikur shtetet tjera laike si Franca, Kosova gjithashtu e ka ndaluar mbulesën në institucionet shkollore fillore dhe të mesme. Sidoqoftë, veshjet fetare janë të lejueshme me ligj nëpër universitete dhe vende pune.

Sidoqoftë, bazuar në përvojat personale që këto gra ndanë, në të vërtetë, gratë muslimane janë në shënjestër të diskriminimit institucional si dhe në jetën shoqërore.

Të ballafaquara me stigmë shoqërore, disa gra vendosin t’i përforcojnë lidhjet e tyre me komunitetin musliman dhe me gra të tjera që bartin mbulesë, të njohura si hixhabi (nga arabishtja hixhabi përkthehet si ‘shamia/mbulesa ime e kokës’ dhe përdoret shpesh përbrenda komunitetit për t’ju referuar grave që e ushtrojnë zakonin e hixhabit, apo mbulesës).

Për Kqikun, zgjedhja më e mirë ishte t’i bashkëngjitej Fakultetit të Studimeve Islame, vendi që, sipas saj, e mirëpriti dhe ia dha mundësinë për shkollim. Përgjatë studimeve, ajo gjithashtu punon si grimere në një sallon bukurie.

Sipas, Besa Ismailit, zëvëndës dekane dhe profesoreshë në Institutin e Studimeve Islame, gratë e mbuluara janë të diskriminuara njëlloj sikur gratë tjera në Kosovë. Por, sipas saj, gratë e devotshme myslimane ballafaqohen me një vështirësi shtesë — atë të stigmës shoqërore dhe institucionale ndaj mbulesës.


Sumeja Kqiku
“Gratë e mbuluara në Kosovë ballafaqohen me sfidat e njëjta me të cilat ballafaqohen gratë e grupeve të tjera në Kosovë — qoftë dhuna në familje apo përjashtimi nga pjesëmarrja në të drejtat e trashëgimisë, papunësia apo kujdesi i dobët riprodhues”, tha Ismaili në zyrën e saj në Fakultetin e Studimeve Islame, e cila vetë mbanë mbulesë. “(Por) mbulesa përbën një shtresë shtesë për gratë që zgjedhin ta përfaqësojnë veten e tyre në aspektin fetar dhe kulturor”.

Edhe pse shumica e popullatës është muslimane, kosovarët shpesh përshkruhen si laikë dhe madje janë praktikues ngurrues të islamit tradicional. Nuk ka statistika mbi preferencat e veshjeve fetare në Kosovë, por duket se ka një ngurrim të përgjithshëm ndaj mbulesës.

Kjo mund të jetë e rrënjosur në sfondin historik të vendit: pas Luftës së Dytë Botërore, në përpjekjen për t’i emancipuar dhe fuqizuar gratë shqiptare në Kosovë, Partia Komuniste e Jugosllavisë kishte organizuar ‘aksione masive’ për heqjen e çarçafit në fillim të viteve 1950.

Sot, sipas grave me të cilat bisedova, shumica e njerëzve supozojnë se mbulesa përfaqëson shtypje, analfabetizëm, dhe pafuqi.

Blerina Nazifi, e cila vjen nga një familje laike, më tregoi se si vendimi i saj për ta vënë mbulesën e hutoi familjen e saj.

Edhe pse Nazifi nuk e kishte ndjekur medresenë — shkollën e mesme myslimane që përveç mësimit fetar, ligjëron sipas planprogramit të rregullt shtetëror — ajo ka qenë e interesuar në mësime fetare që nga klasa e 9-të. Kishte lexuar Biblën, Kuranin, dhe një sërë tekstesh filozofike, dhe e ka gjetur veten më së shumti në studimin e Islamit.

Vendimi i saj për ta vënë mbulesën ishte i vështirë për familjarët e saj të cilët besonin në Zot por nuk praktikonin ndonjë fe. Ata nuk e mbështetën zgjedhjen e saj, ndërsa axha i saj ende nuk i flet.

Sidoqoftë, ky mospranim nuk e kishte shtyrë të ndërrojë mendje.

“Qëkur isha e vogël, gjithmonë kam qenë njëfarë rebele. E ngrisja zërin, flisja hapur dhe shprehesha”, tha ajo.

Arbnore Avdiu Hoxha, redaktore e lajmeve ndërkombëtare e platformës mediale mesazhi.com, tha se faktori kryesor prapa diskriminimit ndaj grave të mbuluara në Kosovë është perceptimi i gabuar se mbajtja e mbulesës nuk është zgjedhje personale.

“Në shumicën e shteteve europiane, mbulesa konsiderohet si zgjedhje personale, e drejtë fetare, dhe e drejtë e grave për të bërë çfarë të duan me trupat e tyre. Kjo është pikëpamja që të tjerët duhet ta kenë në lidhje me gratë e mbuluara në Kosovë gjithashtu”, thotë ajo.

Disa nga gratë me të cilat bisedova insistojnë se perceptimet negative ndaj mbulesës përforcohen me mënyrën e paraqitjes së muslimanëve në medie lokale, ku islamin shpesh e barazojnë me ekstremizmin e dhunshëm.

Mediet ndërkombëtare gjithashtu e kanë paraqitur negativisht komunitetin islam në Kosovë. Një nga çështjet më të diskutuara ishte artikulli i faqes së parë të Nju Jork Tajms-it në vitin 2016 që e quan Kosovën “tokë pjellore të ISIS-it”.


Arbnore Avdiu Hoxha
Një artikull nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë mbi pikëpamjet e qytetarëve ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit, tregon se rreth 76% e njerëzve ndihen drejtëpërdrejt të kërcënuar nga organizata si ISIS-i dhe Al-Nusra.

Nura Kukaj, studente e Fakultetit të Studimeve Islame, thotë se tashmë është mësuar kur fëmijët në rrugë, si dhe gratë e burrat në hapësira publike, e thërrasin “ISIS”. Kukaj tregon se si njëherë, ia kishte ofruar karrigen një plaku në autobus, por ai iu kishte përgjigjur, “jo, unë nuk ulem përkrah ISIS-it”.

Perceptime të tilla të muslimaneve, në kombinim me diskriminimin institucional, mund të rezultojnë në më shumë se veç stigmatizim, argumenton Ismaili. Sipas saj, të gjitha këto kontribuojnë në shfuqizimin e mëtejshëm të grave, duke mundësuar që gratë të marrin vendime të painformuara ose të abuzohen.

“Vini re profilet e atyre që i janë bashkangjitur bashkëshortëve të tyre në misionet terroriste në Siri, dhe do ta kuptoni. Janë të reja, të stigmatizuara, paarsimuara, pa mbështetje familjare, dhe pa mbrojtje shoqërore dhe institucionale”, thotë Ismaili.

Mbi 40 gra kosovare kanë shkuar për Siri dhe Irak që nga viti 2013, por një raport i vitit 2017 nga QKSS-ja pretendon se nuk ekziston një shkak i vetëm, apo një tip i vetëm gruaje që ka shkuar për në zonat e huaja të konfliktit.

Për disa prej grave me të cilat bisedova, disa nga momentet më të dukshme të stigmatizimit iu kanë ndodhur në ambiente shkollore. Sikur Sumeja Kqikut, të cilës i është thënë se Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës ‘nuk është për të’, përvoja e të etiketuarit si ‘tjetër’ shpesh ndodh në ambiente shkollore.

Hatixhe Aliti e donte matematikën në shkollë fillore dhe e admironte mënyrën se si arsimtari i saj e respektonte dhe e mbështeste atë. Por në momentin që u ai u informua se ajo do ta vazhdonte shkollën e mesme në medrese, gjithçka ndryshoi. Ai më nuk e trajtonte si studenten e tij të preferuar e të zgjuar të matematikës.

Fitesa Asllani- Ibrahimi nga Mitrovica, e cila punon në një ndërmarrje publike në Prishtinë, më tregoi për një debat në të cilin u përfshi me një profesor të saj në Kolegjin AAB ku ajo studion ekonominë. Përderisa debatohej mbi fenë dhe diversitetin, profesori e saj i tha, “Unë të respektoj, sepse edhe ti je pjesë e kësaj shoqërie”.

“Askush nuk ka nevojë të më japë leje që të jem pjesë e kësaj shoqërie, sepse unë jam automatikisht pjesë e saj. Ashtu sikurse gjithë të tjerët”, theksoi ajo gjatë ritregimit të kësaj ngjarjeje. Duke qeshur shtoi, “U ktheva kah profesori dhe i thash, ‘Po edhe ti je pjesë e kësaj shoqërie, dhe unë të respektoj ty’”.

Përkundër këtij kujtimi (edhe pse zbavitës) ku u trajtua si ‘tjetër’ apo ‘e huaj’, ajo pohoi me siguri se nuk ndihet e diskriminuar apo e gjykuar për shkak të mbulesës nga kolegët e saj në punë. “Nuk ndihem e gjykuar as nga njerëzit kur eci rrugës,” theksoi ajo, duke shtuar se po ashtu ndihet rehat tek jeton në Prishtinë.

Një grua tjetër me të cilën bisedova, Fatime Sopjani Mejzini, ndau përvoja të ngjashme me stigmatizimin në shkollë, por që në përgjithësi ndihet rehat në sferën e saj shoqërore.


Fatime Sopjani Mejzini
Ajo u ballafaqua me kritikë në momentin kur vendosi të vë mbulesën, tha ajo. Më tregoi për një profesor të cilin ajo e ka përshkruar si shok. “Ai u duk shumë i shokuar kur më pa për herë të parë tek kisha veshur mbulesën, por unë i ofrova ta pinim një kafe dhe të flasim në mënyrë që ta shihte se unë akoma isha personi i njëjtë”.

Mejzini është instruktore e vozitjes në Prishtinë, një profesion i rrallë për gratë në Kosovë, dhe thotë se e do punën e saj. Me vendosmëri ajo pohoi se ndjehet me fat që profesioni i saj e vë kryesisht në kontakt me njerëz dhe jo me institucione. Ajo beson që mungesa e tolerancës institucionale ndaj grave të mbuluara është me fuqishme se sa stigma shoqërore.

Rovena Tujani Klinaku, juriste nga Shqipëria me banim në Kosovë, pajtohet se ka diskriminim sistematik institucional në Kosovë. Sipas saj, shumë pak gra të mbuluara janë të punësuara në institucione publike, dhe shpesh u caktohen zyra ku nuk kanë shumë kontakt me njerëz. Por kritika të ngjashme mund t’u drejtohen edhe kolegjeve private, tha ajo.


Rovena Tujani Klinaku
“Kur vjen puna te shkollimi i lartë, për shembull, universitetet private paraqiten me gjithë ato sllogane kundër diskriminimit dhe me plot politika gjithëpërfshirëse. Natyrisht, duan të fitojnë para”, thotë Klinaku, duke shtuar se pas diplomimit, madje edhe shkolla e saj nuk pranoi gra të mbuluara.

“Kur aplikon për një pozitë asistenteje dhe madje edhe kur i përmbushë të gjitha kriteret, shanset tua si grua e mbuluar janë minimale. Rektori i njëjtë që të mirëpret për t’iu bashkangjitur institucionit të tyre duke insistuar në trajtim të barabartë, përfundon duke të thënë se nuk ju punëson dot, përkundër faktit se keni qenë studentja më e mirë e gjeneratës”.

Sipas Besa Ismailit, grupet e shoqërisë civile në Kosovë gjithashtu diskriminojnë ndaj grave muslimane. Ajo thotë se kjo ishte vërejtur posaçërisht kur një grup i grave nga shoqëria civile, gra intelektuale, dhe politikane paraqitën një peticion në parlament për të ndaluar vajzat e mbuluara për të shkuar në shkollë.

“Aktivizmi feminist i grave në Kosovë është aktivizëm i bazuar në donacione, e jo një aktivizëm me bazë në komunitet dhe që merr në konsideratë prapavijat, nevojat, dhe sfidat e grave të mbuluara në Kosovë“, thotë ajo. “Është zhgënjyese kur vëren elemente islamofobike në diskursin e tyre, ku shpesh e bëjnë vetëm Islamin përgjegjës për praktikat patriarkale. Aktivistet feministe duhet ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë që feja, për gratë si unë, është shumë fuqizuese”.

Këto gra mendojnë që pjesë e zgjidhjes së problemit të diskriminimit qëndron tek këmbëngulja për përfaqësim të denjë të grave të mbuluara në medie. Përfaqësim ky që i prezanton gratë e këtij komuniteti si të ndryshme, por jo më ndryshe sesa diversiteti i grave në përgjithësi.

Avdiu- Hoxha thotë se gratë e mbuluara në Kosovë janë të lëna jashtë sferës publike, dhe se mediet i reduktojnë ato në identitetin e tyre fetar, duke i penguar që të marrin pjesë në mënyrë aktive në debatet për politikën, ekonominë, dhe shoqërinë.

“Është me rëndësi që gratë e mbuluara të jenë të dukshme në hapësirën publike dhe profesionale të Kosovës, qoftë si mjeke, afariste, mësuese, apo çfarëdo profili që mund ta kenë. Fundja, debati për arsyetimin se përse e mbajmë mbulesën është më pak i rëndësishëm”, tha ajo.

“Gratë e mbuluara në Kosovë nuk kanë as më pak e as më shumë vlera sesa cilado grua tjetër Perëndimore apo Lindore. Ne ballafaqohemi me sfida të zakonshme sikur të gjitha gratë: ato të balancimit të jetës familjare me atë profesionale, si dhe me gjëra tjera me të cilat dëshirojmë ta ndajmë kohën tonë. Dhe sikurse grupet e tjera të grave në Kosovë, ne i kemi storiet tona për të ndarë, storie suksesi gjithashtu”, tha ajo. /Gazeta JNK/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit