Ringqvist: Është e tmerrshme që Izraeli ka fuqinë që të bëjë gjithçka që do. Ky problem po vazhdon për vite me radhë. Izraeli aq shumë ka kryer uzurpim të të drejtave, sa që kjo tani ka filluar të shihet si një gjendje normale
STOCKHOLM (AA) – Aktivistja suedeze Emma Ringqvist, e cila vitin e kaluar ishte nisur për në Gaza dhe ishte ndaluar nga ushtria izraelite, në lidhje me shkeljet e Izraelit kundër kompleksit Al-Aksa thotë se, “është e tmerrshme që Izraeli ka fuqinë që të bëjë gjithçka që do”.
Aktivistja suedeze Ringqvist është njëra nga 13 aktivistet që në muajin shtator të vitit 2016 me anijen Zaytouna ishin nisur nga qyteti i Spanjës, Barcelona, për ta thyer bllokadën në Gaza. Por, më 5 tetor të vitit 2016 ato u ballafaquan me ndërhyrjen e ushtarëve izraelitë në ujërat ndërkombëtare.
Në një prononcim për Anadolu Agency (AA), Ringqvist thotë se e gjithë bota duhet të reagojë kundër shkeljes së të drejtave të palestinezëve nga Izraeli.
“Është e tmerrshme që Izraeli ka fuqinë që të bëjë gjithçka që do. Ky problem po vazhdon për vite me radhë. Izraeli aq shumë ka kryer uzurpim të të drejtave, sa që kjo tani ka filluar të shihet si një gjendje normale”, thotë ajo.
Puna e KSKB-së është zgjidhja e shkeljeve të të drejtave të njeriut
Duke vënë në dukje se zgjidhja e problemit është në dorën e politikanëve, Ringqvist thotë se, “Sidomos politikanët perëndimor duhet t’i bëjnë presion Izraelit për zgjidhjen e problemit. Mirëpo, edhe ne duhet t’i bëjmë presion politikanëve perëndimor. Për shembull, Suedia 3 vite më parë e ka njohur pavarësinë e Palestinës. Më pas, politikanët nuk bënë asgjë, mbetën vetëm me njohjen e pavarësisë. Poashtu, këtu puna më e madhe i takon Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KSKB). Puna e KSKB-së është zgjidhja e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe për këtë duhet t’i zgjidhë problemet e palestinezëve, të drejtat e të cilëve po shkelen”.
Duke theksuar rëndësinë e asaj që në zgjidhjen e problemit të Palestinës duhet të ndërmerren hapat e sigurta në luftën afatgjate, aktivistja suedeze thotë se, “Dua ta nënvizoj këtë gjë, duhet të vazhdojnë përpjekjet pa u dëshpëruar”.