4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

IDENTITETI INEKZISTENT ‘VEHABIZMI’ DHE POLITIKAT HEGJEMONISTE

Më të lexuarat

Java që kaloi ishte mjaft e rëndë dhe e ithtë për shqiptarët e Ballkanit, zaten ne si popull jemi mësuar me javë e me muaj të jemi të ithtë, bile edhe me shekuj. Kur isha i vogël dëgjoja të vjetrit duke thënë se: ‘shqiptarët janë popull i nemun!’. Atëbotë nuk mund ta kuptoja si duhet atë fjali, por tani më duket se po e kuptoj. E a ka më i nemun sesa dy veta mos m’i gjet bashkë, a ka më i nemun sesa një komb i vogël siç jemi ne të jetë i ndarë e i shkapërderdhur në gjashtë shtete! A ka më i nemun sesa një popull t’i ketë mbi njëqind parti! A ka më i nemun sesa kush të do, me luajt me ne dhe atë si të ka qejf. Asnjë qytetar shqiptar nuk është i sigurt nga fqinjët e tij, cilëndo pikë kufitare ta kalojë mund të keqtrajtohet, të maltretohet, e qe besa edhe të burgoset pa pikë faji. E faji i vetëm i tij është se është shqiptar. Bile edhe brenda shtetit të tij nuk është i sigurt.

Arrestimi i njëzet shqiptarëve “vehabistë” në Maqedoni për kinse vrasjen e 5 maqedonasve, pastaj keqtrajtimi i tyre dhe familjeve të tyre ishte një akt shumë i rënd dhe fyes për gjithë kombin tonë. Aq më shumë kur të gjithë ata persona u akuzuan kinse për “vehabistë” dhe se ata janë të rrezikshëm jo vetëm për maqedonasit, por edhe për vet shqiptarët. A realiteti ishte se tek ata të arrestuar asnjë element vehabizmi nuk u gjind, bile kishte nga ta – aq sa mësuam- që as namaz nuk falin. Në anën tjetër një apo dy ditë më vonë xhandarmëria serbe arrestoi disa të rinj në Luginën e Preshevës pjesëtarë të UÇMB-së kinse për terrorizëm. Vrasja e një shqiptari në Mitrovicë në banesën e tij, përderisa njeriu ishte duke fjetur pa ditur asgjë, burgosjet e kalimtarëve kosovarë në kufi të Serbisë dhe keqtrajtimi i tyre. Të gjitha këto dhe shumë të tjera ishin një grusht i rëndë që iu dha kombit tonë brenda një kohe të shkurtër, e që dëshmojnë praktikisht konstatimin tonë të sipërpërmendur.

Megjithatë, rasti i ndodhur në Maqedoni ishte paksa më i rëndë, për shkak të tentativave të qarqeve sllavo-maqedonase për t’i dhënë ngjyrim fetar. Sigurisht se ju kujtohet deklarata e dhënë nga ministrja Punëve të Brendshme, znj. Jankullovska, e cila, menjëherë pas lajmit për vrasjen e tyre, pati thënë se nuk dyshohet për krim me motive etnike, e që tash, pas arrestimeve të bëra me dyshime për kinse radikalizëm islamik, çështjes i janë vënë shumë pikëpyetje. Athua vallë çfarë synojnë këta me këtë identitet të rremë dhe të shpifur? A mos e kanë bërë si mjet për të ndezur probleme etnike sidomos kur dihet se shumica absolute e shqiptarëve në Maqedoni janë myslimanë?

Parimisht, jam kundër kriminelëve. Krimi, siç kam përmendur edhe në një shkrim timin më parë, nuk ka përkatësi. Ata që marrin jetë njerëzish të pafajshëm duhen dënuar. Më ka pëlqyer përmbajtja e një familjari të njërit prej viktimave, dhe qëndrimi i tij që vrasësit nuk i identifikonte me shqiptarë, as maqedonasë dhe as me radikalistë. Vrasësit –thoshte- kanë vetëm një identitet: vrasës. Por, i çuditshëm, për të mos thënë paradoksal, doli qëndrimi politik, që fajin ua hodhi myslimanëve shqiptarë. Në një operacion, për kryerjen e të cilit u angazhuan 800 policë, u arrestuan shumë veta, ose shumë “vehabistë”, të cilët, për çudinë tonë, kishin shumë gjëra që i bënin të mos identifikoheshin me “vehabizëm”. Madje, sa kuptuam ne, në mesin e tyre kishte edhe të atillë që nuk bënin as namaz derisa kishte edhe gra të moshuara.

Andaj të lidhen gjërat me etiketime si “vehabist”, “radikal” “terrorist” etj. janë shpifje dhe të pa pranueshme. E kamë sqaruar në një artikull vite më parë se nuk ka “vehabistë”, ata nuk ekzistojnë fare. Flitet për diçka që fare nuk ekziston.

Por ç’të bësh, kështu e kanë femohuesit. Pate mjekër apo nuk pate, fale namaz apo jo, vetëm pse je mysliman, kjo i pengon ata.

Ajo çka na bëri të mërzitemi edhe më shumë ishte fakti se liderët politikë shqiptarë në Maqedoni heshtën plotësisht, nuk pati asnjë reagim, heshtje kjo që ngjall dyshimin se ata po aprovojnë akuzat e pushtetit me aspirata antishqiptare.

E njëjta gjë gati se ishte edhe në Shqipëri dhe në Kosovë.

Ngjarja në Maqedoni ishte frymëzuese për disa pseudopolitikanë në Kosovë. Ata në vend se ta ngrisin zërin për t’i mbrojtur vëllezërit e tyre brenda dhe jashtë kufirit, se po ju shkelet e drejta si në vitet e nëntëdhjeta e më herët, shkruanin për terrorizmin, duke ua vërtetuar organeve maqedonase deklaratat e tyre të rrejshme dhe u munduan që atë ta lidhin me “radikalizmin” e myslimanëve të Kosovës. Çka t’u thuash atyre pos të mjerët ne kush po na udhëheq dhe çfarë udhëheqës kemi.

I vetmi që u prononcua për këto ngjarje dhe që dha kritika me vend, ishte Jakup Krasniqi, kryeparlamentar i Kosovës, i cili tha se autoritetet e Beogradit dhe ato të Shkupit po kryejnë aksione terroriste. Ai kërkoi që kësaj situate t’i përgjigjen të gjithë shqiptarët bashkërisht. Ai shfaqet kritik edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare, duke thënë se Brukseli nuk duhet ta lejojë destabilizimin e Ballkanit.

Po të nderuar, plotësisht pajtohem me kryeparlamentarin se faktori ndërkombëtar ka një pjesë të madhe të fajit, sepse e di mirë që shqiptarët janë populli më i urtë dhe më i pafajshëm. Ata e njohin kokëfortësinë dhe rebelimin e serbëve dhe të maqedonasve. Askujt nuk i fshihet ekstremizmi dhe radikalizmi i kishës ortodokse serbe dhe asaj maqedonase, por askush nuk ngrit zërin kundër tyre, e mjerisht as vendasit, e që mbi ta bie përgjegjësia kryesore. Ngase çka presim ne nga ndërkombëtarët kur ne vet nuk i mbrojmë qytetarët tanë. As Kosova e as Shqipëria nuk iu dalin në krah qytetarëve të vet që keqtrajtohen kudo që shkojnë. Partitë politike shqiptare në Maqedoni “i kanë shti veshët në lesh” duke iu nënshtruar pushtetit maqedonas për disa copë karriga në parlament. E në anën tjetër mes veti “dojnë me u pre e me u gri”. Andaj siç jemi, edhe punët i kemi.

Nuk kam pikë dyshimi se burgosjet e shqiptarëve nga shteti maqedonas dhe ai serb kanë qëllime të shumta e tendencioze, ndër to: lufta kundër Islamit dhe ndalja e hovit të tij që për çdo ditë është në shtim e sipër. Pastaj zbehja e imazhit të tyre para faktorit ndërkombëtar, kinse ju po i ndihmoni shqiptarëve, a në realitet ata janë “të dëmshëm” ngase janë “terroristë, vehabistë” etj. Në mënyrë që sa më shumë t’iu zhagitet kosovarëve inkuadrimi në strukturat evropiane. Thuajse Evropa nuk na njeh neve dhe nuk e di se kush jemi ne.

Shqiptarët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë faktor stabiliteti në rajon, kanë qenë shembull për tolerancë fetare dhe do të jenë, por nuk do të pranojnë nënçmimet pafundësisht.

Mirëpo faktori ndërkombëtar deri më tani nuk ka bërë aq sa duhet që të zgjidhet problemi i shqiptarëve njëherë e përgjithmonë, qoftë në Kosovë, ku kemi problemin e veriut, qoftë në Maqedoni ku nuk po implementohet Marrëveshja e Ohrit dhe si rezultat i kësaj po shkelen të drejtat e shqiptarëve dhe se ata atje po trajtohen si njerëz të shkallës së dytë, apo vende tjera të banuar me shqiptarë. Por pa u rregulluar vet, dhe pa punuar vet për veten tënde aq sa mundesh, mos kërko ndihmë nga askush dhe mos të të jetë hatri nga askush. Andaj defekti kryesor është tek ne shqiptarët.

Pas atyre arrestimeve pati protesta masovike në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës, bile së fundi edhe në Shqipëri, veç në Kosovë jo. Unë i përkrahi shumë ato protesta dhe i shoh të domosdoshme dhe një nga rrugët që duhet ndjekur për ruajtjen dhe mbrojtjen e shqiptarëve kudo që janë.

Në fund thërras për bashkëpunim sa më të madh ndërmjet nesh, për unifikim të qëndrimeve, për ruajtje të traditës islame, e cila ka shpëtuar identitetin kombëtar nga asimilimi dhe ka bërë që shqiptaria të ruhet ndër shekuj. Të jemi sa më të vëmendshëm, vigjilent dhe syçelë ndaj intrigave të fqinjëve tanë ortodoks, të cilëve vazhdimisht po ua shohim sherrin.

Allahu i Madhëruar na ruajt!

Mirë u takofshim javën e ardhshme!

Dr. Shefqet KRASNIQI

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit