4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Arkivat e ish-ushtrisë jugosllave, adresa për të zhdukurit

Më të lexuarat

Në arkivat e ish-ushtrisë jugosllave dhe të mekanizmave tjerë që morën pjesë në luftën e fundit në Kosovë, është adresa e të dhënave për fatin e rreth 1 mijë e 800 personave të pagjetur që prej 13 vjetësh.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, që drejton delegacionin e Kosovës në bisedimet teknike me Serbinë në Bruksel, ka thënë për Top Channel se janë të bindur për këtë dhe për këtë arsye ato duhet të hapen.

“Edhe përkundër refuzimeve të palës serbe kemi arritur që ta bindim Bashkimin Evropian që ta përfshijë çështjen e të zhdukurve në agjendën e dialogut. Kemi kërkuar që të hapen arkivat e gjenocidit, përkatësisht arkivat e ish-ushtrisë jugosllave, si dhe të gjithë mekanizmave tjerë që kanë marrë pjesë në operacione luftarake në Kosovë. Ne jemi të bindur se aty është adresa e të dhënave për të pagjeturit, për shqiptarët, të cilëve deri më sot nuk u dihet fati”, shprehet Tahiri.

Çështja e personave të pagjetur, fati i të cilëve nuk dihet për më shumë se një dekadë, është shtruar deri më tani vetëm në një raund bisedimesh në Bruksel dhe atë në majin e vitit të kaluar. Se çfarë është bërë që nga ajo kohë e deri më tani, më 10 maj, kryenegociatorja e Kosovës do të paraqitet në Kuvendin e Kosovës, në një interpelancë, ku do të raportojë para deputetëve me kërkesë të tyre.

Tahiri kujton se para një viti pala serbe nuk kishte treguar gatishmëri për të bashkëpunuar, prandaj për këtë arsye është kërkuar që Bashkimi Europian të ketë rol udhëheqës dhe garantues në këtë proces: “Reagimi i kryenegociatorit serb, Branislav Stefanovi nuk ka dalluar nga reagimi i politikës zyrtare të Serbisë, të cilët ende nuk kanë treguar gatishmëri të ballafaqohen me përgjegjësinë që e kanë si shtet që ka bërë katër luftëra agresore në hapësirat e ish-Jugosllavisë dhe që është bërë një gjenocid i paparë në Kosovë. Kjo është arsyeja pse ne kemi kërkuar që BE-ja të angazhohet drejtpërdrejt”. /Telegrafi/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit