1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Rezistenca në rrugë e detyroi Izraelin të kërkojë alternativë

Më të lexuarat

Rezistenca e popullit palestinez të cilën është duke e treguar që një javë, detyroi qeverinë izraelite të rishqyrtojë vendimin për vendosjen e detektorëve metalikë në dyert e kompleksit Al Aksa, shkruan Anadolu Agency (AA).

Tensionet të cilat filluan sot një javë pasi që Izraeli vendosi detektorë metalikë në dyert e Al-Aksës vazhdojnë duke u përshkallëzuar. Komuniteti musliman, refuzon që të hyjë në Mesxhid-i Aksa nëpërmjet detektorëve kërkon që të mos lejohen përpjekjet e Izraelit për sundim ndaj Mesxhid-i Aksasë.

Palestinezët të cilët reagojnë ndaj detektorëve metalikë të vendosur nga ana e Izraelit, që një javë namazet i falin pranë dyerve të Al-Aksës. Komuniteti i cili vazhdimisht i është ekspozuar intervenimit të ashpër të policisë izraelite, mblidhet në dyert e Aksasë në një numër të madh çdo ditë e më shumë.

Si pasojë e ndërhyrjes së ashpër të policisë ndaj mijëra palestinezëve të mbledhur mbrëmë në dyert e Aksasë u plagosën 57 persona. Përleshjet vazhduan me orë në shumë lagje të Jerusalemit. Tensionet mes forcave izraelite dhe palestinezëve nuk janë përkufizuar vetëm me Jerusalemin Lindor. Gjithashtu edhe në të gjitha qytetet e Bregut Perëndimor që gjendet nën okupimin izraelit, palestinezët përbalen me forcat izraelite në mbrojtje të Aksasë.

Kjo rezistencë e popullit palestinez, vuri në veprim edhe qeverisjen palestineze dhe komunitetin ndërkombëtar. Presidenti palestinez Mahmud Abbas, deklaroi se kanë ndërprerë të gjitha marrëdhëniet me Izraelin dhe se kanë marrë vendim për të vazhduar përpjekjen deri sa të hiqen detektorët në dyert e Aksasë.

Ndërkohë pritet që Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme ditën e hënë me thirrjen e Suedisë, Francës dhe Egjiptit për të biseduar mbi zhvillimet që ndodhën në Mesxhid-i Aksa. Rezistenca e palestinezëve, shqetësoi edhe njësitet e sigurisë izraelite. Ushtria dhe inteligjenca izraelite, i rekomanduan qeverisë që këto pajisje të tërhiqen me qëllim uljen e tensioneve.

Sundimtari i vërtetë i Aksasë janë qytetarët e Jerusalemit

Gjatë këtyre zhvillimeve në shtypin izraelit filluan të dalin komente si, “Qytetarët e Jerusalemit i treguan Izraelit se kush është sundimtari i vërtetë i Aksasë”.

Qeveria e Izraelit e cila në fillim njoftoi se asnjëherë nuk do t’i heqë këto detektorë, u detyrua që ta rishqyrtojë këtë vendim. Qeveria izraelite e cila u përball me një rezistencë të papritur tashmë ka filluar të kërkojë alternativa për të shpëtuar nga kjo situatë edhe pse nuk dëshironte të humbasë reputacion duke marrë hapa prapa.

Komandanti i njësisë ushtarake e cila qeverisë Bregun Perëndimor të cilën Izraeli e mban nën okupim, Gjenerali Yoav Mordechai, në deklaratën e tij të djeshme për mediat lokale tha se “janë të gatshëm për heqjen e detektorëve dhe të debatojnë për alternativat”. Mordechai në bisedën e tij për Al Jazeera pothuajse u lut për “ndalimin e dhunës në rrugë”.

Ndërsa kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu zhvillon mbledhje të njëpasnjëshme me stafin e tij.

Pretendimi se do të hiqen detektorët

Sipas lajmit të televizionit Kanal 2 të Izraelit, policia ka marrë vendim për heqjen e detektorëve metalikë që nga sot në mbrëmje, pas tensioneve të larta për shkak të vendosjes së këtyre detektorëve në dyert e Aksasë nga ana e Izraelit.

Në lajmin ku pretendohet se do të vendosen policë të cilët do të bëjnë kërkim me detektorë dore në dyert e Aksasë, u tha se Drejtori i Policisë së Jerusalemit Yoram Ha-Levy dhe kryetari i Bashkisë së Jerusalemit Nir Barkat e kanë mbështetur këtë hap.

Nga ana tjetër theksohet se do të mbahet një mini takim i kabinetit për të diskutuar zhvillimet e fundit në Jerusalem. Edhe pse nuk ka njoftim zyrtar nga autoritetet izraelite, mos përgënjeshtrimi i këtij lajmi tregon se në një mënyrë Netanyahu mendon të marrë hap prapa.

Pritet të bëhet një sqarim pas takimit të sotëm të Këshillit të Ministrave ku do të trajtohet çështja.

E majta izraelite hesht ndaj intevenimit të Netanyahu-t në Aksa

Ndërkohë politikanët e së djathtës që përbëjnë shumicën në Izrael e mbështesin vendimin e kryeministrit Netanyahu për vendosjen e detektorëve metalikë në dyert e Aksasë, ndërsa e majta preferon të heshtë.

Ndërsa disa izraelitë të cilët kundërshtojnë detektorët që përshkallëzuan tensionet në të gjithë Palestinën, janë duke e kundërshtuar jo sepse e pranojnë që Al-Aksa është e muslimanëve por sepse koha për këtë vendim është e gabuar dhe se do të dëmtojë Izraelin për momentin.

Megjithatë, nga partia kryesore e opozitës me prirje të majtë në Izrael nuk ka ndonjë deklaratë zyrtare, qoftë pozitive ose negative në lidhje me këtë çështje. Shumë politikanë djathtistë i sugjerojnë qeverisë së Netanyahu-t që të mos hiqen këta detektorë.

Demonstrata e vetme publike në lidhje me këtë çështje nga pala izraelite u zhvillua dje pranë rezidencës së presidentit izraelit Reuven Rivlin në Jerusalem. Rreth 200 aktivistë hebrenj me prirje majtiste, kërkuan që detektorët në dyert e Aksasë të tërhiqen menjëherë.

Djathtistë kërkojnë që Netanyahu mos të bëjë hap prapa

Akademiku me prirje djathtiste i cili ligjëron në Universitetin Bar Ilan në lidhje me sigurinë dhe komunitetin arab, Mordechai Kedar, në deklaratën për AA tha se “Netanyahu dhe të gjithë këtë e dinë shumë mirë se nëse ne dorëzohemi kjo do të perceptohet si fitore e armiqve të Izraelit dhe do të inkurajojë mbështetësit e dhunës”.

Ai thotë se Jerusalemi është kryeqyteti i hebrenjve dhe se sundimtari i vetëm në qytet duhet të jetë Izraeli. “Nëse qeveria lejon që dikush tjetër të vendosë në lidhje me këtë çështje do të duket shumë i dobët. Jerusalemi nuk është nën okupim. Çdo shtet është përgjegjës për sigurinë e vet. Për këtë shkak asnjë shtet nuk mund t’i tregojë Izraelit se çka duhet të bëjë në Jerusalem”, tha Kedar.

Netanyahu dëshiron të fsheh korrupsionin e tij

Kolumnisti i gazetës izraelite “Haaretz”, Odeh Bishara, është i mendimit se Netanyahu për të shpëtuar nga gjendja e rëndë në të cilën ndodhet qëllimisht është duke e përshkallëzuar situatën.

“Netanyahu më parë vepronte më kujdesshëm, por tani dëshiron të çojë këtë punë deri në fund. Sipas meje një nga arsyet e kësaj janë procest gjyqësore të hapura ndaj tij në lidhje me korrupsionin. Është në gjendje të vështirë edhe para ligjeve izraelite. Dëshiron që ta tejkalojë këtë duke i përshkallëzuar tensionet në Jerusalem. Ai bën përpjekje që njerëzit të jetojnë në një vend ku ka probleme sigurie dhe kështu të harrojnë për korrupsionin e tij”, thotë Bishara i cili është një arab shtetas i Izraelit.

Bishara thekson se Netanyahu nuk merr parasysh raportet e ushtrisë dhe inteligjencës dhe se kjo është një sjellje e rrezikshme. “Situata shkon në një kahe shumë të rrezikshme dhe Netanyahu është përgjegjës për pasojat e saj. Netanyahu nuk kujdeset as për marrëdhëniet e Izraelit me shtetet tjera. Si pasojë e kësaj Izraeli mund të izolohet edhe më shumë në të gjithë botën. Sipas të drejtës ndërkombëtare nuk mund ta ndryshoni ‘status quo’-në në tokat nën okupim. Izraeli e shkel këtë rregull, palestinezët e kundërshtojnë këtë shkelje. Njerëzit kanë të drejtë të kryejnë lirshëm adhurimet e tyre në vendet e shenjta”, thotë Bishara.

Pritet që kabineti izraelit të marrë një vendim në lidhje me detektorët në dyert e xhamisë Al-Aksa në hijen e këtyre debateve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit