11.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Veshja e pantallonave për gratë

Më të lexuarat

Sheriati islam i ka dhënë rëndësi të madhe gruas muslimane, me qëllim që ta mbrojë feminitetin e saj, ta bëjë krenare dhe me pozitë të rëndësishme në shoqërinë në të cilën jeton. Të gjitha kufizimet që i janë bërë në veshjen dhe zbukurimin e saj, janë me qëllim të ndërimit të saj, ruajtjes së saj nga amoraliteti, e cila përhapet nga zbuluarja dhe shfaqja e bukurisë. Prandaj ne themi se kjo që ka bërë Islami, nuk është kufizim i të drejtave të njeriut, por mbrojtje nga rënia e saj në gropën e nënçmimit dhe të pavlerës.

Në vazhdim do të flasim për një lloj të veshjes që është e përhapur te disa femra që janë të mbuluara dhe ne, padyshim, kemi respekt dhe mendim të mirë për to, por dëshirojmë t’ua bëjmë me dije se kjo formë e veshjes së tyre nuk është në pajtim me veshjen islame, ashtu si duhet. Pra është fjala për veshjen e pantallonave dhe dalja me to në rrugë.

Femrës muslimane, e cila është e mbuluar me mbulesë islame, nuk i lejohet të veshë pantallona dhe të dalë me to, për shkak se kjo është ngjasim me burrat, e Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) i ka mallkuar ato gra që i përgjasojnë burrave, siç transmeton Buhariu nga Ibën Abasi, përveç nëse këtë e bën dhe mbi pantallona veshin mbulesë të gjatë, sa i mbulojnë këmbët dhe pantallonat nuk duken, në këtë rast themi se lejohet.

Transmeton Ebu Hurejre se me njëherë profeti (Bekimi dhe paqja qoftë mbi të!) ishte i ulur dhe kalon një grua e hipur në gomar dhe rrëzohet, profeti (Bekimi dhe paqja qoftë mbi të!) e kthen kokën anash për të mos shikuar, nëse i zbulohet ndonjë pjesë e trupit, por ata që ishin prezent i thanë se ajo kishte veshur nën mbulesë sirvale (lloj rrobe si pantallonat), pastaj profeti bëri dua : “Allahu i mëshiroftë ato femra që mbajnë sirvale (nën mbulesë) nga umeti im.” (Transmeton Bezari)

Kurse, veshja e pantallonave dhe dalja ashtu pa kushtëzimin të cilën e cekëm pak më herët nuk lejohet, për shkak se pantollonat tregojnë (vizatojnë) pjesët e trupit. Allahu i Lartësuar thotë: “O ti Pejgamber, thuaju grave të tua, bijave të tua dhe grave të besimtarëve le të vendosin shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, sepse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. Allahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues.” (Ahzab, 59)

Duhet patur parasysh se urdhëri për mbulesë nuk nënkuptohet që ato pjesë të trupit vetëm të mbulohen, pa marrë parasysh në çfarë forme dhe kaq, mirëpo janë disa kushte që duhet të plotësohen gjatë mbulesës.

Abdullah ibn Umeri trasmeton se i dërguari i Allahut, (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Në fund të umetit tim do të ketë njerëz që hipin mbi disa lloj samarësh që ngjajnë si shtëpi, zbresin prej tyre tek dyert e xhamive. Gratë e tyre janë të veshura por, të zhveshura, kokat e tyre janë si gungat e deveve të dobëta. Mallkojini ato sepse ato janë të mallkuara.” (Hadithi trasmetohet nga Imam Ahmedi dhe të tjerë me zinxhir të saktë, vërtetuar nga dijetari Ahmed Shakir -Allahu e mëshiroftë!-)

Nga ky hadith nënkuptojmë se një nga ndryshimet ndërmjet muslimanëve të hershëm dhe atyre që do të vijnë më vonë është edhe në formën e veshjes së femrave muslimane, për shkak se hadithi është i qartë, se është fjala për muslimanet. Prandaj edhe profeti shumë qartë e përshkroi veshjen e tyre “të veshura, por të zhveshura”, pra të veshura me rrobe, por në realitet ato rrobe nuk plotësojnë kushtet e veshjes, prandaj i quajti të zhveshura. Çdo veshje që për muslimanen nuk i plotëson kushtet e mbulesës, ajo hyn në domethënien e hadithit të lartpërmendur. Prandaj, rrobet që janë të shkurtëra, apo të tejdukshme, apo të ngushta si pantollonat dhe tregojnë formën e trupit, hyjnë në domethënien e “e veshur, por e zhveshur”.

Në vazhdim do të cekim edhe kushtet themelore të mbulesës.

1. Veshja (hixhabi) të mbulojë të gjithë trupin (për fytyrën dhe duart dijetarët janë në mosmarrveshje).

2. Të mos jetë mbulesa tërheqëse për meshkujt, sepse Allahu e ka bërë mbulesën mbulim të bukurive, e jo zbulim të tyre. Ai thotë:

“Mos e shfaqni bukurinë tuaj siç shfaqej në injorancën e herëshme!” (Ahzab, 33)

3. Të mos jetë mbulesa e tejdukshme, ngase nuk mundesh të mbulohesh me një send i cili është i tejdukshëm, e nëse vepron kështu ajo bëhet e mbuluar me emër, ndërsa në realitet është e zbuluar.

Pejgamberi (alejhi selam) thotë:

“Në fundin e ummetit tim do të ketë gra të mbuluara, por të zbuluara. Kokat e tyre do t’i kenë sikur gërbat e deveve. Mallkojini ato, sepse ato do të jenë të mallkuara. Ato nuk do të hyjnë në Xhenet, e as që do ta ndiejnë erën e tij, kurse era e tij ndihet aq larg.”

Pra, ky është argumenti se veshja e një rrobe të tejdukshme konsiderohet si mëkat i madh.

4. Mbulesa duhet të jetë e gjërë, sepse qëllimi i saj është pengimi i fitnes dhe fshehja e formës së trupit.

Usame ibn Zejdi thotë:

“Pejgamberi (alejhis selam) më dhuroi një manto koptijane, të cilën ia kishte dhuruar Dihjetul Kelbiu, kurse unë ia dhashë gruas time që ta veshë. Një ditë Pejgamberi (alejhis selam) më tha: ‘Përse nuk e vesh manton koptijane?’ I thashë: ‘E veshi gruaja ime.’ Ai tha: ‘Urdhëroje që të veshë diçka nën të, se kam frikë mos po ia përshkruan formën e eshtrave të saj.”

5. Të mos jetë mbulesa e parfumosur. Pejgamberi (alejhis selam) thotë:

“Ajo grua, e cila parfumoset dhe kalon pranë burrave që ta nuhatin erën e saj, ajo është lavire.”

6. Të mos i përngjajë veshjes së burrave. Pejgamberi (alejhis selam) thotë:

“Nuk është prej nesh (nuk është muslimane) gruaja që u përngjan burrave, dhe burri që u përngjan grave.”

Transmetohet nga ebu Hurejre se ka thënë: “Pejgamberi (alejhis selam) e ka mallkuar atë burrë që vesh veshjen e grave dhe atë grua që vesh veshjen e burrave.”

Pejgamberi (alejhis selam) thotë:

“Tre lloj njerëzish nuk do të hyjnë në Xhenet, e as që do t’i shikojë Allahu në Ditën e Kiametit: Ai që nuk i respekton prindërit, gruaja që i përngjan burrit dhe ai që përhap atë që ndodh gjatë marrëdhënieve seksuale.”

7. Të mos i përngjajë veshjes së mosbesimtarëve. Pejgamberi (alejhis selam) thotë:

“Ai që i përngjan një populli, është prej tyre.”

Transmetohet nga Abdullah ibn Amri, i cili ka thënë: “Pejgamberi (alejhis selam) pa tek unë dy rrobe të verdha dhe tha: ‘Këto janë tesha të jobesimtarëve, mos i vish!'”

8. Të mos ketë për qëllim me këtë veshje afirmim në popull. Pejgamberi (alejhis selam) thotë:

“Kush vesh veshje afirmimi në dunja, Allahu e mposhtë në Ditën e Kiametit, e pastaj e shtie në zjarrin e Xhehenemit.”

Në këtë hyn çdo veshje që të dallon prej të tjerëve, pa marrë parasysh a është veshje e shtrenjtë, të cilën e veshë për t’u lavdëruar me pasuri, ose veshjen e leckosur dhe të papastër, duke pasur për qëllim demonstrimin e asketizmit.

Prandaj me këtë rast i këshillojmë ato vajza që kanë vënë mbulesen t’i kenë parasysh këto kushte dhe të vishen ashtu, që ta çojnë urdhërin e Allahut në vend si duhet dhe të largohen veshjeve që ndoshta mbulojnë trupin, mirëpo nuk e mbulojnë ashtu siç është kërkuar nga ato.

Përgatiti: Alaudin Abazi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit