Ish-diplomati amerikan thotë se SHBA duhet të bëjë më shumë për t’i frenuar rrjetet “e errëta” të Gylenit
WASHINGTON (AA) – Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Turqi, James Jefrrey, ka thënë se Uashingtoni mund të bëjë më shumë për të frenuar rrjetet e lidhura me Fetullah Gylen, “të cilat në rastin më të mirë janë të errëta dhe në më të keqin janë prapa grushtit të shtetit”, raporton Anadolu Agency (AA).
Jeffrey, i cili ishte gjithashtu ish-këshilltar i sigurisë kombëtare nën administratën e George W. Bush, ka folur në një konferencë të organizuar nga think tanku SETA në Uashington të hënën.
Diplomati i lartë gjithashtu e përshkroi si “të turpshme” praninë e vazhdueshme të Gylenit në territorin e SHBA-ve.
Organizata terroriste FETO, e kryesuar nga Gylen, qëndron prapa grushtit të shtetit në korrik të vitit të kaluar në Turqi, që shkaktoi martirizimin e 250 civilëve.
Gylen kërkohet për orkestrim për rrëzimin e qeverisë, si kulminacion i një fushate të gjatë për të depërtuar në institucionet e vendit, duke përfshirë ushtrinë, policinë dhe gjyqësorin.
Në një pyetjeje nëse Gylen do të ekstradohet, Jeffrey tha para audiencës se Ankaraja kishte kërkuar ekstradimin e Gylenit, por administrata amerikane ende nuk ka dhënë një përgjigje që Turqia do ta konsideronte të pranueshme. “Është i turpshëm fakti që Fetullah Gylen qëndron këtu në SHBA”, shtoi Jeffrey.
Ai parashikoi se procesi ligjor për ekstradimin e Gylenit do të vazhdojë për një kohë, për shkak të natyrës së sistemit gjyqësor të SHBA-ve.
Jeffrey pohoi se ish-presidenti Barak Obama në përgjithësi nuk ka marrë vendime të shpejta dhe ka pritur të marrë të gjitha faktet para se të ndërmerrte veprime. Kjo, sipas tij, ka çuar në vonesë nga SHBA-të në dënimin e përpjekjes së grushtit të shtetit në fillim.
“Kjo ishte për të ardhur keq shumë, sepse në rrethana të tilla, ju duhet të veproni menjëherë, ndërsa ne nuk vepruam”, theksoi Jeffrey.