1.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Ministri i Shqipërisë Panariti pritet në takim nga Presidenti i Egjiptit Muhamed Mursi

Më të lexuarat

Presidenti Mursi vuri në dukje se Republika Arabe e Egjiptit i konsideron si shumë të rëndësishme marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë.

Në kuadrin e vizitës zyrtare në Republikën Arabe të Egjiptit, Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti iu rezervua një pritje e veçantë nga Presidenti egjiptian, z. Muhammed Mursi.

Duke shprehur kënaqësinë për takimin, Ministri Panariti i përcolli Presidentit Mursi urimet e Presidentit Nishani dhe Kryeministrit Berisha. Gjithashtu, Ministri Panariti i shprehu Presidentit Mursi mbështetjen dhe vlerësimin e qeverisë dhe popullit shqiptar për procesin e reformave demokratike që po ndërmerren në Egjipt pas revolucionit demokratik të tetorit.

Nga ana e tij Presidenti Mursi vuri në dukje se Republika Arabe e Egjiptit i konsideron si shumë të rëndësishme marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë.

“Mes të dy popujve, tha ai, ekzistojnë lidhje të forta historike dhe kjo vizitë është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.”

Të dy bashkëbiseduesit i cilësuan shumë të mira raportet politike mes dy qeverive dhe theksuan dëshirën për fuqizimin e mëtejshëm të tyre në fushën ekonomike dhe në fusha të tjera.

Ata theksuan se ekziston një potencial shumë i madh për bashkëpunim në raportet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve, sidomos në fushën e energjetikës, bujqësisë, turizmit etj. Gjithashtu, ata shprehën vullnetin për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, kulturës dhe shkencës.

Duke u ndalur në zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, Ministri Panariti u ndal në çështjen e Kosovës dhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Në këtë kontekst ai shprehu falënderimin për qëndrimet konstruktive të Egjiptit në raport me Kosovën dhe për mbështetjen që Egjipti ka dhënë për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtare si Banka Botërore, FMN dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ai vlerësoi gjithashtu, hapat që janë hedhur nga Egjipti drejt njohjes së Kosovës dhe shprehu dëshirën që njohja e shtetit të Kosovës nga Egjipti të formalizohet në një kohë të shpejtë.

Nga ana e tij, Presidenti Mursi theksoi se Egjipti është i interesuar për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe në këtë drejtim ka vendosur raporte bashkëpunimi me autoritetet e Kosovës. Egjipti ndjek me mjaft interes bisedimet mes autoriteteve më të larta të Kosovës dhe Serbisë dhe shpreson në arritjen e një marrëveshjeje mes dy palëve. Përsa i përket njohjes së shtetit të Kosovës nga Egjipti ai tha se ky është një proces që pritet të formalizohet së afërmi.

Në fund, Ministri Panariti ripërsëriti ftesën e Presidentit Nishani drejtuar Presidentit Mursi për të vizituar Shqipërinë, e cila u prit me kënaqësi./trt/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit