Thirrja e numrit 194 ose 112 duhet bërë vetëm atëherë kur qytetarëve u nevojitet ndihma mjekësore urgjente. Qasja në linjën emergjente mundësohet pandërprerë gjatë 24 orëve në 7 ditë të javës pa pagesë.
Dr. Isuf H. Bajrami
Spec. i mjekësisë urgjente
Shef në Qendrën e Mjekësisë Urgjente – Prishtinë
Kur duhet të thirrni ndihmën e Urgjente Mjekësore?
Kur seriozisht është rrezikuar jeta dhe shëndeti!
▪ vështirësitë e menjëhershme në frymëmarrje
▪ ngufatja me trup të huaj
▪ ndalja e zemrës dhe frymëmarrjes
▪ humbja e vetëdijes
▪ dhembja e papritur në kafazin e kraharorit
▪ shpejtimi i menjëhershëm, ose ngadalësimi i punës së zemrës ose të rrahurat e çrregullta të zemrës
▪ ngërçet (konvulsionet)
▪ të folurit e vështirësuar, dobësia ose paraliza e ndonjë pjese të trupit, devijimi I fytyrës
▪ lëndimet e shkaktuara në aksidentet në trafik dhe lëndimet tjera të papritura të shkaktuara (nga rrëzimet nga lartësia/kafshimet e kafshëve/shpimet /predhat…)
▪ gjakderdhjet e pazakonta në cilëndo prej vrimave natyrale të trupit
▪ djegiet
▪ goditja nga elektriciteti ose rrufeja
▪ hipotermia, goditja termike
▪ përmbytja
▪ helmimi me barna/narkotik/kemikalie
▪ reaksioni i rëndë alergjik
▪dhembja e papritur jonormale (kokëdhembja e fortë, dhembja e forte në gjoks/bark/shpinë)
▪ ndryshimet e papritura të sjelljes të cilat sjellin në rrezik pacientin ose rrethin (tentimi për
vetëvrasje/vrasje…)
Çka duhet të bëni derisa pritni ardhjen e ekipit të shërbimit të ndihmës së shpejtë?
• Përpiquni të ruani gjakftohtësinë, qetësoni pacientin.
• Ruani temperature e pacientit dhe mban të zgjuar
• Mos i jepni pacientit asgjë të haj e as të pijë.
• Mos e lëvizni pacientin i cili ka pësuar fatkeqësi në trafik, është rrëzuar nga lartësia e madhe ose
është pa vetëdije përveç nëse kërcënohet rreziku i drejtpërdrejtë (zjarri, eksplodimi, përmbytja, etj).
• Filloni të ofroni masat e ndihmës së parë nëse keni njohuri dhe mundësi
Si mundë të ndihmoni ekipin e shërbimit të ndihmës së shpejtë që të ju gjej sa më shpejt?
Nëse keni mundësi:
▪ dërgoni dikë të pres ekipin
▪ mbyllni shtazët dhe shpezët shtëpiake (qenin, macen, papagajtë, pëllumbat…)
▪ lironi kalimin deri te pacienti (largoni mobilet, vazot e luleve, automobilat e parkuar para hyrjes.)
▪ përgatisni dokumentacionin mjekësor (për pacientët me sëmundje kronike)
Thirrni shërbimin e ndihmës së shpejtë vetëm për gjendjet mjekësore urgjente!
Çdo thirrje e panevojshme ose e rrejshme pengon ose bllokon linjën telefonike dhe pamundëson ndihmën për ata të cilët kanë jetën në rrezik.
Biseda e qetë dhe me kuptim është parakusht për pranim të shpejtë të thirrjes. Dispeçeri mjekësor duhet të merr të dhënat elementare në bazë të cilave me kohë dërgon ekipin e ndihmës së shpejtë. Sa më parë i merr ato edhe ekipi më shpejtë do të dërgohet.
Adresa e saktë/vendndodhja është mënyra e vetme që ndihma të mbërrij aty ku gjendet personi të cilit i nevojitet ndihma.
Në rast se jeta nuk është në rrezik (psh. prerjet e vogla, ftohja, dhembja kronike e cila nuk ndryshon, fraktura e gishtërinjve) ndihmën mjekësore do të ju ofroj mjeku i praktikës së përgjithshme/mjeku familjar
Vizitat mjekësore nuk i kryen shërbimi i ndihmës së shpejtë mjekësore. Ato i takojnë punës së mjekut të përgjithshëm/mjekësisë familjare i cili vendos i pavarur për nevojat e tij dhe në bashkëpunim me ju sjell vendime.
/Telegrafi/