-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Gjykimi për agjëruesin që nuk fal namaz

Më të lexuarat

Pyetje:
A lejohet dhe a vlen agjërimi për atë që agjëron dhe nuk fal namaz?

Përgjigje:
Me emrin e Allahut. Salevatet qofshin për Profetin tonë.
Si namazi ashtu dhe agjërimi janë prej shtyllave të Islamit, siç përmendet në hadithin e Ibn Umerit, ku Profeti (alejhissalatu uesselam) thotë:

“Islami është ndërtuar mbi pesë: Dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe kryerja e haxhit.”
Transmetuan Buhariu & Muslimi.

Dijetarët kanë rënë dakord që lënësi i namazit duke e mohuar atë si detyrim bën kufr dhe del nga Islami dhe për rrjedhojë nuk i pranohet atij asnjë vepër. Kjo vlen edhe kur mohon njërën nga shtyllat dhe obligimet e tjera islame. Ndërsa kur njeriu e lë namazin me përtaci duke e besuar dhe pohuar se ai është detyrim, atëherë shumica e dijetarëve islam nëpër shekuj mendojnë se ky njeri është gjynahqar, që ka bërë kufër të vogël, por nuk del nga Islami, përderisa pohon dhe beson në Allah, në Ditën e Gjykimit dhe në obligimet dhe parimet islame, mirëpo nga përtacia i neglizhon disa prej tyre.

Si namazi ashtu dhe agjërimi janë degë të besimit dhe secili është detyrë më vete dhe nuk kushtëzohen nga tjetri në vlefshmërinë e tij. Pra neglizhenca për të falur namazin nga përtacia, por edhe nga padija, siç ndodh te shumë njerëz në vendin tonë, nuk do të thotë që agjërimi i tyre është i pavlefshëm. Ka shumë njerëz që kanë dëshirë të madhe të agjërojnë dhe shprehin besim te Zoti dhe interes për fenë në Ramazan. Nuk ka kuptim që këtyre njerëzve t’u mbyllet dera duke u thënë që nuk ju pranohet agjërimi, sepse ju nuk falni namazin. Ndërkohë vetë Profeti (alejhissalatu uesselam) ka bërë lëshime për namazin për njerëz fillestar, derisa atyre tu rrënjoset besimi në zemrën e tyre. Këtu mund të përmendim hadithin ku përmendet se Profeti (alejhissalatu uesselam) një ditë i erdhi një burrë, i cili e pranoi Islamin me kushtin që të falte vetëm dy namaze dhe Profeti e pranoi këtë. Transmeton Imam Ahmedi.

Agjëruesve të cilët nuk falin namazin duhet t’u flitet me butësi dhe urtësi dhe të këshillohen vazhdimisht që krahas agjërimit të falin edhe namazin dhe t’u bëhet e qartë rëndësia dhe pozita e namazit në Islam, por kurrsesi të mos përjashtohen njerëzit nga dera e mëshirës dhe besimit. Duhet kemi shumë kujdes e të mos futemi në kompetenca dhe gjykime që nuk na përkasin ne si krijesa. Vetëm Allahu është Ai që pranon ose jo adhurimet e njerëzve.

Allahu e di më së miri.

Komisioni i Pyetje &Përgjigjeve pranë LHSH

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit