Presidenti Rexhep Tajip Erdogan (Rexhep Tajip Erdoğan) ka reaguar për vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për të arrestuar 12 truprojat e tij, që e shoqëruan gjatë vizitës së fundit në Amerikë.
Autoritetet amerikane kanë marrë një vendim për të arrestuar 12 pjesëtarë të njësisë së mbrojtjes së afërt të presidencës turke duke treguar si pretekst grindjen që ndodhi gjatë vizitës së Presidentit Erdoan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 16 maj.
Presidenti Erdoan ndaj këtij vendimi reagoi ashpër me fjalët: “Çfarë drejtësie është kjo. Nëse kjo truprojë nuk do të më mbrojë mua, atëherë përse i çoj unë këta në Amerikë”.
Gjatë vizitës së Presidentit Erdoan në Shtetet e Bashkuara, një grup simpatizantësh të organizatës separatiste terroriste PKK sulmoi turqit e mbledhur përpara ambasadës turke në Uashington.
Këtë herë Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i zbatuan masat e sigurisë që merren zakonisht në vizita të tilla të nivelit të lartë.
Forcat amerikane të sigurisë ishin të pamjaftueshme në përballimin e sulmit. Kështu që ndërhyri truproja e presidentit Erdoan.
Pas incidentit, autoritetet amerikane nisën një hetim dhe në fund të hetimit nuk u akuzua grupi që bëri sulmin, por qytetarët turq dhe pjesëtarët e truprojës së presidentit.
“(amerikanët) Kanë nxjerrë vendim për arrestimin e 12 pjesëtarëve të truprojës time. Çfarë lloj ligji është ky, çfarë drejtësie është kjo? Nëse kjo truprojë nuk do të më mbrojë mua, atëherë përse i marr me vete unë këta kur shkoj në Amerikë? Me kë do ta mbroj veten unë, me Hansin dhe Xhorxhin e Amerikës?!”, tha Presidenti Rexhep Tajip Erdoan duke reaguar ashpër ndaj vendimit në fjalë të autoriteteve amerikane.
Pas marrjes së një vendimi të tillë reagoi edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë. Ambasadori i ShBA në Ankara, John Bass u thirr në ministri.
Nënsekretari i Ministrisë ambasadori Ymit Jallçën (Ümit Yalçın) ia tha në fytyrë ambasadorit amerikan që vendimi në fjalë nuk kishte baza ligjore.
Ambasadorit amerikan iu bë e ditur gjithashtu se mos-kryerja e asnjë veprimi ndaj zyrtarëve amerikanë të sigurisë, të cilët sulmuan truprojën e ministrit të Jashtëm Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavusoğlu) para kancelarisë diplomatike (ambasadës), është e papajtueshme me konceptimin minimal të drejtësisë.
“Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës iu theksua se ky vendim, i cili duket hapur që nuk është rezultat i një hetimi të paanshëm dhe të pavarur, është i papranueshëm nga ana jonë”, njofton një komunikatë me shkrim e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.