1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Armët e shërbimeve sekrete

Më të lexuarat

Historia e përdorimit të armëve speciale është e vjetër. Qysh në lashtësi janë përdorur shigjeta, thika dhe shpata të helmuara me helme speciale, të cilat ishin në gjendje të shkaktojnë vdekjen e viktimës, qoftë edhe nga një gërvishtje e vetme. Më së shumti lloje të armëve speciale janë prodhuar dhe përdorur midis dy luftërave botërore, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj.

» Armët janë mjete të kobshme«  Li Çuan

Armët e shërbimeve sekrete
Armë quhen mjetet përmes së cilave ushtrohet dhunë mbi armikun, me qëllim që ai të asgjësohet, ose të detyrohet të pushojë rezistencën. Arma është mjeti themelor përmes të cilit zhvillohet lufta dhe ato janë faktorë përmes të cilave krijohet epërsia mbi armikun. Megjithatë, lufta si fenomen shoqëror nuk varet vetëm nga zhvillimin i veprimeve luftarake në vijën e frontit. Ajo në vete përfshin një gamë të gjerë veprimesh anësore, të cilat në masë të madhe i ndihmojnë operacionet e drejtpërdrejta luftarake. Informimi për palën kundërshtare, eliminimi fizik i personaliteteve politike, ushtarake, shkencore, disidentëve politikë, diversionet mbi objektet ekonomike, ushtarake dhe të komunikacionit janë veprime, të cilat edhe pse zhvillohen larg vijës së frontit, ato mund të kenë ndikim në mbarëvajtjen e operacioneve luftarake, apo nganjëherë edhe të vendosin për fatin e tyre.

Kryerja e këtyre operacioneve, të cilat njihen me emrin operacione të posaçme, është veprim kompleks, i cili mbi të gjitha varet nga tre elemente kryesore: Elementi i parë është informacioni i gjithmbarshëm mbi objektivin, i cili fitohet në rrugë të ndryshme, por që më i sakti konsiderohet ai i fituar përmes spiunazhit. Sa më i bollshëm të jetë informacioni, aq më tepër ua lehtëson punën planifikuesve, të cilët e projektojnë operacionin e posaçëm. Elementi i dytë është përgatitja e personave, të cilët angazhohen në operacionet e posaçme. Kjo përgatitje konsiston në aftësimin teoriko-praktik e fizik të personave të angazhuar. Elementi i tretë është pajisja e personave apo njësive të angazhuara në operacione të posaçme me mjete, të cilat e ndihmojnë kryerjen sa më të efektshme të tyre. Këto mjete kapin një numër të madh pajisjesh të ndryshme, të cilat në dukje të parë duken të rëndomta, por në të vërtetë janë më specifike. Duke filluar nga veshmbathja, mjetet e transportit, komunikimit, orientimit, pajisjet për vëzhgim dhe armatimi, bëhen në mënyrë të veçantë. Siç u pa më lartë, mjetet përmes të cilave realizohen operacionet e posaçme janë të shumëllojshme dhe përdoren varësisht nga natyra e operacionit. Pasi objekt i trajtimit tonë janë armët, për ne rëndësi kanë vetëm ato që përdoren për operacione të posaçme dhe të cilat në literaturë njihen me emrin armë speciale.

Çka janë armët speciale?
Armët speciale janë mjete përmes të cilave bëhet eliminimi fizik i objektivave armike në mënyrë të qetë (pa zhurmë), befasisht dhe me precizitet tepër të lartë. Historia e përdorimit të armëve speciale është e vjetër. Qysh në lashtësi janë përdorur shigjeta, thika dhe shpata të helmuara me helme speciale, të cilat ishin në gjendje të shkaktojnë vdekjen e viktimës, qoftë edhe nga një gërvishtje e vetme. Më së shumti lloje të armëve speciale janë prodhuar dhe përdorur midis dy luftërave botërore, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj. Kjo ka ndodhur nga shkaku se në këtë periudhë, ka filluar që operacionet e posaçme, veçanërisht ato informative, të jenë pjesë përbërëse e veprimtarive politike e diplomatike, si edhe gjatë zhvillimeve të operacioneve luftarake, operacionet e posaçme, si ato informative ashtu edhe diversionet në prapavijë, fitojnë rëndësi tepër të madhe.
Në të kaluarën, operacionet e posaçme zhvilloheshin sipas rasteve, ndërsa në organizimin e tyre merrte pjesë një numër i kufizuar i personave. Në fazën midis dy luftërave botërore e më pas, me operacione të posaçme fillojnë të merren organe të specializuara, të cilat në vende të caktuara marrin epitetin forca elite.
Meqë operacionet e posaçme në të shumtën e rasteve zhvillohen larg vijës së frontit apo në brendi të territorit të armikut, kryerja e tyre në mënyrë sekrete është problemi kryesor me të cilin përballen personat e angazhuar apo njësitë. Elementet që shkaktojnë më së shumti vështirësi në një aksion diversant, apo aksion informativ janë dy: Së pari, afrimi deri te vendi ku do të zhvillohet operacioni; duke bartur armën haptas sigurisht që do ta tërhiqte vëmendjen e organeve përkatëse të sigurisë, çka do ta vështirësonte kryerjen e operacionit me sukses. Dhe së dyti, çdo armë zjarri pas veprimit, shkakton zhurmë, e cila në ambientet e urbanizuara tërheq vëmendjen e njerëzve të zakonshëm apo të organeve të sigurisë, gjë që e vështirëson kryerjen me sukses të operacionit dhe tërheqjen nga vendi i ngjarjes. Këta dy faktorë kushtëzuan që për operacione të posaçme të prodhohen armë të kamufluara, miniaturale dhe pa zhurmë, përkatësisht mjete të cilat eliminojnë zhurmën e armës.

Armët e kamufluara
Armët e kamufluara gjatë historisë, gjetën aplikim të gjerë e praktik. Për herë të parë i hasim diku nga mesi i shek. XVIII. Në këtë periudhë, ishte bërë modë, që burrat e shtresave fisnike, pa marrë parasysh moshën, të bartnin bastun. Mirëpo, shpeshherë në trupin e bastunit ishte fshehur shpata ose thika, e cila mund të nxirrej në rast nevoje vetëm me një të zhdredhur të dorezës. Më 1906, gjermani H. Langenhan patentoi armën bastun, duke vendosur në trupin e bastunit një tytë të gjatë, ndërsa në dorezën e tij mekanizmin për ndezje, i cili aktivizohej me shtypjen e një butoni. Një armë bastun, është prodhuar nga 1908 deri më 1912, prej armëtarit nga Prizreni (Kosovë) Et’hem Sheapi. Edhe pse kjo armë në literaturë përmendet shumë pak, ajo duhet të ketë pasur vlerë të madhe sidomos pas vitit 1910, kur Perandoria Osmane ua kishte ndaluar shqiptarëve bartjen e armëve. Kjo armë prodhohej në kalibrin 11.43 mm dhe në kalibrin 7.65 mm.
Mangësia e armës bastun, ishte vetëm mungesa e karikatorit. Ajo mbushej vetëm me një fishek, ndërsa mënyra e mbushjes ishte tepër e komplikuar dhe merrte kohë. Vështruar në raport me kohën kur është prodhuar kjo armë, lirisht mund të themi se ajo ishte shumë efikase. Vetë fakti se kjo armë ka qenë e kamufluar, ia ka rritur efikasitetin për arsye se përdorimi i saj ka mundur të bëhet befasisht edhe nga afërsia.
Periudha kohore para Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë saj është e njohur për konstruktimin e një numri të madh armësh të kamufluara, të cilat kanë pasur forma nga më të ndryshmet duke filluar nga çakmakët, portofolat e parave, çantës për dokumente, lapsave etj. Një armë karakteristike e konstruktuar në periudhën para Luftës së Dytë Botërore është ajo të cilën më 1934 e konstruktoi gjermani R. Goldberg. Ai në mbërthyesen e rripit kamufloi katër tyta të kalibrit 6.35, ku aktivizimi i fishekëve bëhej direkt nga brezi për secilën tytë veç e veç. Të dhënat për përdorim të saj janë të mangëta, por nga ato pak shenja që kanë mbetur, duket se kjo armë ishte përdorur nga agjentët e shërbimeve sekrete gjermane (Abwehr dhe SD), të cilët gjatë luftës hidheshin me parashutë në brendi të territoreve armike.
Laboratorin e parë për konstruktimin dhe prodhimin e armëve speciale e themelon më 1941, SOE (Special Operations Executive), e cila vepronte në kuadër shërbimit sekret britanik MI6. Nga ky laborator kanë dalë shumë armë speciale, të cilat komandosët e SOE-së i kanë përdorur gjatë aksioneve të tyre. Të një rëndësie të veçantë janë armët e kamufluara të prodhuara në këtë laborator, të cilat kanë pasur forma të ndryshme dhe janë përdorur për sabotime në prapavijë të armikut. Ndër to, më karakteristike ishin armët plasëse, të cilat e kanë pasur formën e gurit të thëngjillit, kërcejve të drurit dhe jashtëqitjes së kafshëve. Mjetet plasëse të kamufluara në masën e cila është dukur si jashtëqitje e kafshëve, janë përdorur zakonisht për vendosje gjatë rrugëve ku kanë kaluar transporte të armikut. Këto mjete ishin të prodhuara në mënyrë të veçantë për zonat gjeografike ku janë përdorur. Në zonat e pushtuara nga gjermanët në Evropën Perendimore, është përdorur masa e cila është dukur si jashtëqitje e kalit, në Ballkan si e mushkës, në Afrikën Veriore si e deves, kurse në vendet aziatike është përdorur masa në formë të jashtëqitjes së elefantit!
Periudha pas Luftës së Dytë Botërore ishte koha e artë e konstruktimit dhe e përdorimit të armëve të kamufluara. Arsenali më i madh i këtyre armëve është prodhuar për nevojat e shërbimeve sekrete informative, pasi këto shërbime ishin bartëse të aktiviteteve ku aplikimi i armëve speciale ishte i përshtatshëm.
Pas Luftës së Dytë Botërore u bë grupimi i shteteve në dy aleanca të mëdha ushtarake; në atë të NATO dhe të Varshavës. Shtetet perëndimore, të prira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ato Lindore nga Bashkimi Sovjetik, për rreth katër dekada e gjysmë ishin të konfrontuara në mënyra të ndryshme dhe gjatë gjithë kësaj periudhe, në marrëdhëniet midis këtyre shteteve ka mbretëruar gjendja as luftë, as paqe. Shumë teoricienë këtë periudhë e quajnë si »Periudha e Luftës së Ftohtë«.
Shërbimet sekrete informative CIA amerikane në njërën anë dhe KGB sovjetike në anën tjetër, ishin aktorët kryesorë të luftës së ftohtë. Për nevojat e këtyre shërbimeve u konstruktuan shumë lloje të armëve të kamufluara, një pjesë e të cilave janë bërë publike në forma të ndryshme, ndërsa për një pjesë tjetër të tyre, mbahet sekret për shkak të natyrës së punës që kanë këto shërbime.
Njëra ndër armët më karakteristike të kamufluara, të cilën e ka përdorur shërbimi sekret bullgar (DS), është çadra bullgare. Kjo armë është prodhuar në punëtoritë speciale të firmës Kinteks e cila është e specializuar për prodhime të cilat i ka shfrytëzuar DS-ja gjatë Luftës së ftohët. Njëri ndër aksionet e identifikuara ku është përdorur kjo armë është kur me 1978 në Londër, nga një agjent i DS vritet Georgi Markov, emigrant bullgar i cili ishte gazetar i BBC. Arma nga jashtë dukej si çadër shiu e rëndomtë, kurse në brendi, përkatësisht në trupin e çadrës, ishte vendosur mekanizmi për hedhjen e predhës përmes ajrit të komprimuar. Predha ishte sferike në madhësi prej 1.73 mm dhe në brendi kishte 0.2 miligram helm Ricin. Pas hedhjes së saj nga tyta, nuk dëgjohej ndonjë zhurmë, ndërsa hyrja në trupin e viktimës ishte pothuaj e pahetueshme. Ajo mund të ndihej më së shumti sa kafshimi i mushkonjës. Pasi predha të ketë depërtuar në lëkurën e viktimës, në mënyrë graduale fillon ta bëj lëshimin e helmit në organizëm. Varësisht prej pjesës së trupit ku është goditur viktima dhe asaj se çfarë ka pasur të veshur, zgjat koha e helmimit të organizmit, e cila mund të vazhdojë me ditë të tëra ku pas një kohe viktima vdes. Siç shihet, kjo armë është ideale për kryerjen e vrasjeve pa u hetuar autori, koha dhe vendi i kryerjes së aktit. Është karakteristikë te kjo armë se këtu kemi të bëjmë me kombinimin e një arme ajrore-kimike.

Në të njëjtën masë, në mos edhe më tepër, CIA për nevojat e saj ka konstruktuar dhe përdorur armë të kamufluara. Vlen të përmendet arma në formë të cigares së rëndomtë, në brendësi të së cilës ishte e kamufluar një tytë bakri pa vjaska dhe e ngushtuar tek dalja. Pas filtrit, vendoset fisheku 22 short, i cili aktivizohej duke e tërhequr mbrapa filtrin e cigares derisa të këputet spangoja prej najloni, e cila e liron gjilpërën goditëse. Emri zyrtar i armës është: Armë e kamufluar-cigare e kalibrit 22 dhe në nomenklaturën e CIA-s ka shifrën 1395-H00-5670. Për dallim nga »çadra bullgare«, »cigarja« e CIA-s pas aktivizimit bënte zhurmë, megjithatë ajo ishte një armë shumë e përshtatshme për kryerjen e aksioneve befasuese.

Se sa janë të rrezikshme armët e kamufluara, flet edhe fakti i atentatit të bërë më 1973 kundër kryetarit të Koresë së Jugut, Park Qung Hi dhe bashkëshortes së tij. Përkundër sigurisë së madhe, një person kishte arritur të afrohet në afërsi pa u vërejtur dhe hapi zjarr nga një automatik i kamufluar në akt-çantë (çantë për dokumente), me ç’rast personi kishte arritur që ta plagoste presidentin koreano-jugor dhe të vriste bashkëshorten e tij.

Armët miniaturale
Armët miniaturale janë armë speciale të zjarrit të bëra në përmasa shumë të vogla. Mund të kenë edhe forma të ndryshme, por zakonisht janë revolverë apo pistoleta përmasash shumë të vogla. Nëse përdoren nga afërsia, ato shkaktojnë vdekjen e viktimës. Në raport me armët e rëndomta, këto kanë përparësi se masa e tyre e vogël mundëson fshehjen e tyre dhe kalimin pa problem nëpër pikat e mundshme të kontrollit.

Ndër armët më të popullarizuara të këtij lloji është pistoleta Browning FN mod.1906. Konstruktor i kësaj pistolete është John Broëning, ndërsa pistoleta është prodhuar në firmën belge të armëve FN (Fabrique Nationale). Versioni i prodhuar në vitin 1906 ka pasur këto karakteristika: Gjatësia 113,6 mm; lartësia 76 mm; gjerësia 23,5 mm; gjatësia e tytës 53,6 mm. Pistoleta është e kalibrit 6,35 mm. me kapacitet të karikatorit prej 6 fishekësh. Duke pasur parasysh kalibrin dhe gjatësinë e tytës, pistoleta ka karakteristika të shkëlqyeshme balistike. Fisheku i ndezur në këtë pistoletë, krijon energji e cila predhës të dalë nga tyta i jep shpejtësi prej 200 m/s, e cila mundëson që në distancën prej 10 metrash, të shpohet dërrasa nga pisha me trashësi prej 60 mm. Në vitet njëzeta, në firmën FN bëhet modifikimi i kësaj pistolete ku ruhen karakteristikat e përgjithshme të saj, por ndryshime bëhen në dimensione. Versioni i ri kishte këto karakteristika: Gjatësia 104 mm; lartësia 72 mm; gjerësia 20 mm. Gjatësia e tytës dhe kapaciteti i karikatorit mbetën të njëjta me modelin bazë. Për shkak të masës së vogël, ky model merr emërtimin zyrtar Baby. Se sa është përdorur kjo pistoletë nga shërbimet sekrete, është vështirë të sigurohen të dhëna, por një gjë është e sigurt se prodhimi i kësaj pistolete ka vazhduar edhe pas Luftës së Dytë Botërore dhe ishte e përhapur në të gjitha kontinentet.
Një armë tjetër karakteristike, e cila për nga konstrukti mund të jetë edhe miniaturale, edhe e kamufluar është unaza revolver Le petit guardian. Kjo armë është konstruktuar në Belgjikë. Viti i prodhimit të saj nuk dihet saktë, por supozohet se koha e prodhimit mund të jetë midis viteve 1846 e 1893. Mulliri i këtij revolveri ishte i përforcuar për një unazë gishti dhe kishte 5 vrima, të cilat njëkohësisht shërbenin edhe si tytë ku vendoseshin fishekët e kalibrit 4,5 mm. Ndezja e fishekëve bëhej përmes mekanizmit ndezës, i cili ishte i vendosur anash dhe ishte shumë i thjeshtë. Pas çdo ndezjeje, mulliri rrotullohej me dorë në drejtim të goditësit. Përmasat e këtij revolveri miniatural janë: diametri i mullirit 16,2 mm. ndërsa lartësia pa unazën 11 mm. Se cilat janë karakteristikat balistike të predhës së fishekut 4,5 mm. Lefaucheux, të cilën e shfrytëzonte ky revolver është vështirë të nxirren përfundime, pasi të dhëna për këtë fishek nuk ka për arsye se prodhimi i tij është ndërprerë shumë herët. Siç shihet nga karakteristikat konstruktive, kjo armë është njëra prej armëve më karakteristike nga arsenali i armëve miniaturale.

Armët pa zhurmë
Të gjitha armët e zjarrit pas aktivizimit të tyre shkaktojnë zhurmë të madhe. Zhurma e armëve në vijë fronti është gjë e rëndomtë, ndërsa në vende të urbanizuara dhe larg vijës së frontit, ajo tërheq vëmendjen e rrethit, gjë që për kryerjen e operacioneve speciale paraqet problem. Eliminimi i zhurmës së armëve, përpos në operacionet speciale, ka rëndësi të madhe taktike edhe në vijë fronti. Kryerja e operacioneve diversante, të atentateve përmes armëve pa zhurmë, bëhet në tri mënyra: Së pari, nëse përdoren armë të ftohta, së dyti nëse përdoren armë ajrore, të cilat janë shumë precize dhe efikase dhe së treti nëse përdoren armë të zjarrit të dorës të rëndomta, apo të bëra në mënyrë të posaçme dhe që kanë eliminuesin e zhurmës, i cili mund të jetë integral apo i ndarë dhe që mund të vendoset në armë sa herë që shfaqet nevoja.
Përdorimi i armëve të ftohta klasike (thika), në operacionet e posaçme më tepër i përket të kaluarës. Do theksuar fakti se në disa njësi elite të vendeve të ndryshme të botës, janë futur në përdorim harqe dhe arbaleta moderne të bëra nga kompozitetet e lëgurave të ndryshme. Për të qenë sa më precizë, arbaletave u kanë vendosur shënjestra optike, ndërsa shigjetat janë bërë nga lëgurat e ndryshme metalike dhe në përputhje me format më të përshtatshme aerodinamike. Ndonëse këto armë kanë aplikim të kufizuar për shkak të karakteristikave të tyre teknike e balistike, në raste të veçanta ato mund të përdoren dhe të jenë shumë efikase. Disa të meta, të cilat ua kufizojnë përdorimin në raport me armët tjera të arsenalit të armëve pa zhurmë janë; masa, preciziteti dhe shpejtësia e qitjes.
Masa e madhe dhe forma e këtyre armëve i bënë të papërshtatshme për bartje dhe kamuflim. Ndërkaq, derisa përmes harkut apo arbaletës speciale zhurma është e eliminuar thuaja tërësisht, preciziteti dhe shpejtësia e qitjes i mungojnë këtyre armëve në raport me një pushkë snajper, apo një pistoletë, e cila e ka të vendosur eliminuesin e zhurmës, ndërkohë që armët ajrore në këtë drejtim premtojnë më tepër.
Njëra ndër pushkët ajrore më të përsosura e cila përdoret për herë të parë edhe për qëllime ushtarake, është pushka Muster 1870, të cilën me 1870 e konstruktoi Bartolomeo Girandoni. Të njëjtin vit, kjo pushkë pranohet nga ushtria austriake me emërtim zyrtar Repetierwindbűchse M-1870. Karakteristikat konstruktive të kësaj pushke janë këto: Ka peshuar 4.5 kg; tyta ka qenë e gjatë 844 mm. dhe në kalibrin 12,2 mm; arka e municionit është e vendosur paralel me tytën dhe ka kapacitet prej 20 predhave sferike; rezervuari i ajrit është i vendosur në qytë dhe ka mundur të ndërrohet. Rezervuari ka pasur kapacitet të ajrit prej 200 atmosferash. Qitja është realizuar përmes këmbëzës, e cila është e konstruktuar në atë mënyrë që ta bëjë të mundur lirimin e ajrit të komprimuar nga rezervuari në sasi të mjaftueshme, sa për t’i dhënë predhës shpejtësi 310 m/s, shpejtësi kjo e mjaftueshme për t’u arritur efekti vdekjeprurës i predhës deri në distancën 135 m. Futja e predhës në tytë është bërë nga pjesa e prapme në mënyrë përsëritëse përmes mekanizmit të posaçëm, i cili edhe më tepër ia ka rritur vlerën kësaj arme. Përdorim praktik, kjo pushkë gjeti në aksionet diversante të snajperistëve austriakë gjatë luftërave austriako-franceze të vitit 1801 e 1802 në Italinë Veriore. Goditjet e befasishme nga pritat, përmes këtyre pushkëve, austriakët i organizonin përgjatë rrugës së marshimit të ushtrisë së Napoleonit. Efektet ishin jashtëzakonisht të mëdha. Përveç që bëhej ndalja e përkohshme e marshimit, këto ndikonin edhe në përhapjen e frikës dhe panikut në radhët e ushtrisë franceze.
Eliminimi i zhurmës së armës së zjarrit ka qenë njëri nga problemet me të cilin janë marrë shumë konstruktorë që nga fillimi i shekullit XIX. Rezultatet më të mira në këtë drejtim i ka arritur amerikani Hajrem Persi Maksim. Ai është i pari që më 1908 e konstruktoi eliminuesin e zhurmës për armë të zjarrit, të cilin më 1909 e patentoi. Zgjidhjet teknike të H. Maksimit në parim përdoren edhe në eliminuesit e zhurmës, të cilët bëhen edhe në ditët e sotme. Eliminuesit e zhurmës, të cilët ai i ka konstruktuar janë përdorur edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Ideja e H. Maksim ishte që eliminuesi i zhurmës së armëve të zjarrit të aplikohet masivisht në ushtri. Ai, për këtë në vitin 1912 patentoi eliminuesin e zhurmës për pushkën e ushtrisë amerikane Springfild M-1903. Ideja e tij u realizua vetëm pjesërisht nga shkaku se eliminuesi i zhurmës nuk u përvetësua masivisht nga ushtria, por në sasi të kufizuara. Shpikja e Maksimit aplikim praktik gjeti te organizatat të cilat zhvillonin “luftën e heshtur”. Pushka Springfild M-1903, me eliminuesin e zhurmës Maksim, është arma e parë në arsenalin e armëve speciale të cilën CIA e futi në përdorim menjëherë pas themelimit të saj (1947).

Një armë karakteristike, e cila i takon familjes së armëve speciale pa zhurmë, është pistoleta Welrod. Këtë pistoletë e ka konstruktuar majori i ushtrisë britanike Dolvin. Pistoleta është konstruktuar në dy kalibra; në 9 mm. për fishekun 9 mm. Luger dhe në 7, 65 mm. për fishekun 32 ACP. Versioni në 9 mm. është i gjatë 250 mm. dhe me diametër 35 mm. kurse versioni 7, 65 mm. është i gjatë 212 mm. dhe me diametër 32 mm. Kjo pistoletë ka eliminuesin e zhurmës integral. Ka karikator me kapacitet prej 8 fishekësh të kalibrit 7.65 dhe 7 të kalibrit 9 mm. i cili njëkohësisht shërben edhe si dorezë. Këtë pistoletë, gjatë Luftës së Dytë Botërore e kanë përdorur njësitë për operacione të posaçme të ushtrisë britanike SOE. Një sasi e konsiderueshme këtyre pistoletave përmes rrugëve të ndryshme i është dërguar njësive të rezistencës në vendet perëndimore të okupuara nga gjermanët, e cila u aplikua kryesisht në operacione speciale.

Eliminimi i zhurmës te armët e zjarrit të dorës, nuk mund të jetë i plotë. Kjo varet nga një sërë faktorësh, por më së shumti varet nga lloji i eliminuesit të zhurmës, lloji i armës, kalibri dhe lloji i municionit. Të gjitha armët e zjarrit të dorës mund të modifikohen në atë mënyrë, që në to të vendoset eliminuesi i zhurmës. Pas Luftës së Dytë Botërore, eliminuesit e zhurmës filluan të gjejnë aplikim të gjerë për pistoleta dhe automatikë, të cilët i përdorën njësitë diversante dhe ato antiterroriste. Më së shumti prodhohen për pistoleta dhe automatikë të kalibrit 7, 62 mm. 7, 65 mm. 9 mm dhe 45 ACP. Reduktimi i zhurmës së armës përmes eliminuesit të zhurmës mund të jetë nga 30 deri në 48 decibela.

Fadil Kajtazi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit