2.9 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Ti je si lulja në shkretëtirë

Më të lexuarat

Motër e nderuar, kur t’u përmbahesh rregullave islame të veshjes, të tjerëve u bëhet e pamundur të të trajtojnë si copë mishi, kështu që nuk u mbetet zgjidhje tjetër vetëm se të të vlerësojnë në bazë të aftësive, inteligjencës dhe kualiteteve të tua, e jo për trupin e dukjen tënde. Ti meriton një nder të madh. Ti je sikur lulja në shkretëtirë, sikur hëna në errësirë, vetëm atëherë kur me zbatimin e ligjeve të Allahut dallohesh nga të tjerët, që nuk i përfillin ato (ligjet e Krijuesit). Me të drejtë mund të themi se me pastërtinë, moralin dhe pamjen tënde islame je dritë në këto ditë tona të errëta. Ti me dëshirën tënde të madhe dhe me bindje të fortë je nisur rrugës, të cilën e ndiqnin edhe gratë e të Dërguarit, paqja dhe lavdërimi i Zotit qofshin mbi të, dhe të gjitha besimtaret e asaj kohe. Ti je e çliruar dhe shpërfill mendimet e të tjerëve. Gjëja e vetme e rëndësishme për ty është kënaqja e Zotit tënd. Ti u përmbahesh rregullave islame me përpikëri. Ti ia ke caktuar vetes vetëm një qëllim: arritjen e një shkalle sa më të lartë në Xhenet. Ti je dritë që ua ndriçon rrugën të tjerëve. Ti gjithmonë bart me vete mirësi, shkëlqimi i së cilës i përfshin edhe njerëzit e tjerë. Mbulesa jote, motër e dashur, nuk është simbol nënshtrimi dhe shtypjeje, por është simbol i lirisë, i lirisë, dhe, po e ripërsëris: i lirisë! Me bartjen e mbulesës ti ke vendosur që të mos jesh e ndikuar nga idetë dhe pikëpamjet e njerëzve të ndryshëm. Me mbajtjen e mbulesës ke zgjedhur që mënyra jote e jetesës të jetë në përputhje me rregullat e Allahut. Ti ke zgjedhur që të mos jesh robëreshë e njerëzve, por robëreshë vetëm e Allahut, Zotit të njerëzve. Me bartjen e mbulesës ti ke zgjedhur që për çdo sekondë të jesh në adhurim, ngase çdo sekondë që muslimania e kalon me mbulesë konsiderohet sekondë adhurimi. Motër e nderuar, Islami është ai që të çmon dhe të nderon. Islami e ruan dinjitetin dhe feminizmin tënd. Islami është i tillë, që si mur u del në rrugë atyre që dëshirojnë të të përdorin si mall të lirë për qëllimet e tyre të ulëta. Islami është ai i cili të mbron duke ua mbyllur dyert të gjithë atyre që për shkak të kënaqësive të veta dëshirojnë të të shfrytëzojnë e të të keqtrajtojnë. Motër e dashur, padrejtësia më e madhe që të bëhet është kur shtrembërohet e drejta, duke thënë se ndershmëria e devotshmëria janë shenja të prapambetjes dhe padrejtësisë (ndaj femrave), ndërsa amoralitetin, veprat e këqija dhe degjenerimin i paraqesin si shenja të emancipimit. Kështu ndodh sot kur femra vendos t’u përmbahet rregullave islame të veshjes. Ajo etiketohet si e prapambetur, ndërsa kur “zhvishet” dhe ashtu ecën nëpër rrugë, atëherë në sytë e tyre ajo është e emancipuar dhe e përparuar. Motër, nëse disa njerëz të urrejnë për shkak të nderit tënd, për shkak të zbatimit të urdhrave të Allahut, për shkak të mbulesës sate, atëherë dije se Allahu, Zoti i atyre njerëzve, është duke të begatuar! Gjithashtu dije se urrejtja që kanë në zemrat e tyre për shkak të moralit tënd do të jetë arsye për ngritjen e pozitës sate në Xhenet! Ti je shpresa e këtij umeti. Ti je e bija e Hatixhes, Aishes, Hafses dhe Haules, të cilat janë përmendur në shpallje. Pra, motër e ndershme, mos lejo të të njollosin! Allahu i Lartësuar të ka nderuar dhe të ka dhënë pozitë të lartë. Ai e shikon nderin tënd e për të i ka vendosur këto rregulla duke ta bërë obligim mbulesën. Nëse ti u përmbahesh këtyre rregullave, atëherë të jesh e bindur se do ta fitosh kënaqësinë e Allahut dhe do të jesh prej atyre që e fitojnë Xhenetin!

Përktheu: Arsim SYLA/Revista Shembulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit