Ideja për krijimin e një asociacioni të komunave serbe në veri, është riaktualizuar në kuadër të bisedimeve politike që po zhvillojnë Prishtina dhe Beogradi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në kërkim të një zgjidhjeje për pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Por, delegimi i përfaqësuesve të komunave në një asociacion apo bashkësi, varësisht si do të quhej, për deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, do të nënkuptonte krijimin e shtresës së tretë të pushtetit.
“Është tendencë për të krijuar një mini-parlament, ku komunat delegojnë përfaqësuesit e vet dhe ku delegojnë përgjegjësitë në vendimmarrje. Ky është kërcënim për Kosovën, sepse krijohet shtresa e tretë e pushtetit që quhet administratë, apo niveli i mesëm i pushtetit”, thotë Haziri për Radio Evropa e Lirë..
Edhe analisti Mazllum Baraliu pohon se krijimi i institucioneve të reja, qofshin edhe asociacione të komunave, do të nënkuptonte devijim nga Kushtetuta dhe Pakoja e presidentit Ahtisaari, e cila kishte shërbyer si dokument gjithëpërfshirës për zgjidhje n e statusit të Kosovës. Madje, ai beson se një zgjidhje të tillë, do të ishte një burim i tensioneve të reja në vend.
“Do të ishte kthim prapa. Do të ishte e pavolitshme dhe do të ishte një detonator që mund të destabilizonte dhe krijonte probleme në të ardhmen”, shprehet Baraliu për REL.
Derisa autoritetet në Beograd kanë shprehur gatishmërinë që në kuadër të bisedimeve me Prishtinën të gjejnë një zgjidhje për funksionimin në të ardhmen të strukturave aktuale paralele në veri, përfaqësuesit e komunitetit serb e kundërshtojnë çdo modalitet që do t’i ndante ata nga ligjet dhe Kushtetuta e Serbisë.
Njëri nga përfaqësuesit serb të veriut, Radenko Nedelkovic, thotë për REL se vetëm ligjet serbe garantojnë jetesën dhe ekzistencën e serbëve në këtë pjesë të Kosovës.
“Kushtetuta e Republikës së Serbisë është në fuqi sikurse edhe Rezoluta 12 44. Këtu gjithçka është e qartë”, thotë Nedelkovic, duke shtuar se komunat veriore e kanë shprehur vullnetin se do të funksionojnë vetëm në kuadër të ligjeve serbe e jo në harmoni me ligjet e Republikës së Kosovës.
Prishtina dhe Beogradi dallojnë në qëndrime edhe në lidhje me përbërjen eventuale të asociacionit të komunave serbe. Beogradi ka kërkuar që ky asociacion, apo kjo bashkësi – siç e quajnë ata – të përfshije të nëntë komunat me shumicë serbe në Kosovë, kurse Prishtina, të paktën sipas informacioneve të para, thuhet se ka ofruar zgjidhjen për përfshirjen në këtë organ të katër komunave veriore.kohaislame