Kryeministri i Tunizisë, Hamadi Jebali, ka dhënë dorëheqje, pasi nuk ka arritur të fitojë mbështetjen e partisë së tij islamike Ennahda, për formimin e një qeverie të përkohshme teknokratësh.
Jebali ka thënë se po realizon premtimin për dorëheqje, nëse nuk arrin të formojë kabinetin jopartiak.
Jebali, i cili përfaqëson krahun e moderuar të partisë në pushtet Ennahda, ka premtuar se do ta largojë Tunizinë nga kriza, e cila ka shpërthyer me vrasjen e liderit të opozitës, Chokri Belaid, më 6 shkurt.
Jebali ka qenë kryeministër qysh në dhjetor të vitit 2011.
Që nga revolucioni i 2011-ës, i cili ka rrëzuar diktatorin Zine El Abidine Ben Ali, Tunizia është përfshirë nga trazirat sociale, në lidhje me “dështimin e qeverisë për të përmirësuar standardet e jetesës”.