Pyetja:
Desha ta di se a shkojnë në xhenet femrat të cilat vazhdimisht falin namaz, por nuk janë të mbuluara si edhe bëjnë shumë vepra të mira, por për shkak të punësimit apo për shkak se janë të ndaluara nga familja për t’u mbuluar, nuk mbulohen. Ju lutem që të ma sqaroni sa më hollësisht përgjigjen. Allahu ju shpërbleftë me te mira!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Mbulesa është obligim për femrën muslimane që ka arritur moshën e pjekurisë. Për këtë ka ixhma (pajtueshmëri) mes të gjithë muslimanëve dhe nuk e mohon askush këtë. Për vlerën dhe dobitë e mbulesës kemi me dhjetëra shkrime e libra në të cilat mund të lexoni përse është e domosdoshme për femrën që ta mbulojë trupin e saj. Gjithashtu edhe ne në disa përgjigje kemi folur rreth disa rrethanave me të cilat ballafaqohet sot femra muslimane që dëshiron ta mbajë hixhabin (mbulesën) dhe jemi munduar t`i hulumtojmë format e tejkalimit të atyre pengesave, prandaj mund të lexoni edhe aty.
Ndërsa a është shamia kusht që femra muslimane të hyjë në xhenet, themi se mbulesa nuk është prej kushteve thelbësore të besimit (imanit) pa të cilin femra trajtohet jomuslimane. Nëse femra i plotëson kushtet themelore të besimit, fal namazin, kryen vepra të mira, ajo është besimtare dhe shpresojmë që ta përfshijë mëshira e Allahut dhe ta fusë në xhenet. Duhet pasur parasysh se nuk janë të gjithë muslimanët në një gradë, kemi nga ata njerëz që arrijnë gradat e të Dërguarve, të shehidëve, kemi njerëz të devotshëm dhe kemi muslimanë neglizhues dhe mëkatarë. Muslimania e cila është praktikante e fesë, por nuk i përmbahet mbulesës, është muslimane mëkatare e cila nuk ka përfillur një obligim që ia ka përcaktuar Allahu asaj dhe për këtë ajo do të merret në përgjegjësi dhe është shumë e mundshme që ajo t`i nënshtrohet dënimit të Allahut të Lartësuar. Nëse ajo ka neglizhuar dhe nuk ka tentuar që ta ndryshojë gjendjen e saj duke hulumtuar mundësitë që ka para vetes, me fjalë të tjera nuk e ka bërë dert këtë mëkat të cilin e vepronte, atëherë frikësohemi se nuk do të përfshihet nga mëshira e Allahut. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
18.7.2008