6 shqiptarë të Kosovës u plagosën në një shkëmbim zjarri me xhandarët serbë

0
47

Gjashtë shqiptarë të Kosovës u plagosën në një përplasje të armatosur me forcat serbe të sigurisë në kufirin midis Serbisë dhe Kosovës.
Komandanti i Xhandarmërisë serbe, Bratisllav Dikiç, deklaroi se të dielën në mbrëmje një grup kosovarësh depërtoi në territorin e Serbisë për prerjen e pemëve në pyll. Kontrabandistët hapën zjarr me armë mbi patrullën serbe që i zbuloi ata. Policët iu kundërpërgjigjën me zjarr.

Policia e Kosovës tha se gjatë përplasjes së armatosur u plagosën 6 banorë të rrethit.

Deklarata e Policisë së Kosovës

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të dielën rreth orës 19:40 janë plagosur 6 persona në fshatin Mirofc të Podujevës, në brezin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas informatave të para të policisë, aty ka pasur shkëmbim zjarri në disa persona që dyshohet të kenë qenë duke prerë dru. Po ashtu dyshohet që ata të jenë plagosur nga xhandarmëria serbe.

Shpend Fazliu, zyrtar për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha se tre nga pacientët janë vendosur në klinikat përkatëse për trajtim të mëtutjeshëm, ndërkaq për dy të lënduarit tjerë në bazë të analizave laboratorike dhe radiologjike do të merret vendimi a do të mund të trajtohen në shtëpi.

Ai tha se rreth orës 23:00, në Klinikën Emergjente janë paraqitur persona të lënduar si pasojë e armës së zjarrit, ku dy prej tyre janë vendosur për trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën e Ortopedisë dhe personi i tretë është vendosur në Klinikën e Kirurgjisë Torakale për trajtim të mëtutjeshëm.

Ai tha se aktualisht kanë edhe dy të lënduar të cilët ende qëndrojnë në Klinikë, por sa i përket gjendjes së tyre, asnjëri nuk është në rrezik jete.

Policia e Kosovës ka nisur hetimet përkitazi me ngjarjen ndonëse ende nuk është konstatuar se në cilën pjesë të territorit ka ndodhur rasti. Thuhet se hetuesit e Policisë së Kosovës kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme lidhur me këtë rast.

Lidhur me rasti policia ka njoftuar se është raportuar që në brezin kufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë “dyshohet se ka pasur shkëmbim zjarri nga disa persona që kanë shkuar për të prerë dru dhe disa personave nga ana serbe. Si pasojë e të shtënave janë plagosur gjashtë meshkuj kosovarë me përkatësi kombëtare shqiptare”.