Shqiptarët e vjetër që dikur sundonin Irakun

Më të lexuarat

Historia e “gjyshërve” të komandove shqiptarë që luftojnë në emër të paqes

Shakruan: Fatos Baxhaku

Kur një grusht djelmoshash shqiptarë u nisën këtë pranverë për njërën prej zonave më të nxehta të globit, për në Irak, atje ku sot e kësaj dite mesatarisht vriten 2.5 ushtarë në ditë, të gjithë e vranë mendjen me merak të madh. A duhej vepruar kështu? A duhej që ky hap i madh të ishte bërë më parë objekt i ndonjë votimi më të gjerë? Apo duhet të na zerë gjithnjë tendenca e të ecurit pas më të fortit? Sikurse ndodh gjithnjë në një vend që ka nevojë të mbështetet te një superfuqi, diskutimet për djemtë e Shqipërisë që shkonin në luftë, sikur të shkonin në ndonjë stacion pushimi a llixhash, kaluan më pas pa u ndjerë. Njësoj sikur të donim t’u thonim atyre dhe familjeve të tyre: Nisuni njëherë pastaj do shohim e do bëjmë, sepse ashtu është një punë…
Që t’i kemi më të qarta ca punë është mirë të kujtohemi për ca fakte që vijnë, në këtë rast, nga stuhitë e rërës… Kështu do ta kuptojmë se gjërat në ato anë nuk janë edhe aq të thjeshta sa duken në shikimin e parë. Që të udhëtojmë në këto zona të trazuara do të na ndihin historitë e disa personazheve kuriozë, të gjithë nga Shqipëria. Edhe ata në kohën e tyre ishin në shërbim të një perandorie, të asaj osmane.

Shiitë e sunitë

Mbase do ta njihnim më mirë Irakun, vendin e Babilonisë së lashtë, nëse do të kujtoheshim se ai është vendi i përplasjes së madhe mes dy pjesëve të mëdha të Islamit, mes sunitëve dhe shiitëve. Të parët, politikisht kanë pasur gjithnjë në krah Perandorinë Osmane, të dytët mbretërit e Iranit. Nga ky konflikt – sikurse shihet përditë në kronikat e lajmeve – kanë gjalluar konflikte të ashpra, gjakderdhje, mërira, inate dhe luftëra. Që në kohë të herëshme shqiptarët kanë qenë protagonistë në këtë lojë të ashpër, me të cilën i lidhte vetëm një gjë: dëshira për t’i shërbyer ushtarakisht një fuqie të madhe.
Aty nga 1508, Shahu i Persisë, mbrojtës i madh i shiitëve, Ismail-al-Safavi pat shtënë në dorë një pjesë të mirë të Irakut Verior, gjë që e pat shtyrë Sulltanin e atëhershëm, Selimi I, të drejtonte një ekspeditë të madhe ushtarake për të rivendosur pushtetin e tij. Një nga komandantët më të suksesshëm të fushatës është një i quajtur Ahmet Pashë Dukagjini. Letërsia arabe përshkruan gjërë e gjatë se si Dukagjini i myslimanizuar i drejtoi trupat osmane drejt fitores në Çalldiran në 1514. Fitorja ishte e rëndësishme. Aventura e shqiptarëve në troje të Irakut kishte nisur mirë. Kush e di nëse ia kanë thënë komandove tanë të sotëm këtë histori.

“Paul Bremmeri shqiptar”

Jo vetëm komandot shqiptarë kanë paraar-dhës. Edhe administratori amerikan i Irakut ka të tillë, madje njëri prej tyre, një nga më të suksesshmit është shqiptar. Nga 1544 deri në 1548 në krye të Irakut ishte shqiptari Ajaz Pasha. Sikurse ndodh shpesh për gjithë të mëdhenjtë pavarësisht nga koha, Ajaz Pashës i janë kushtuar shumë poezi, ku sigurisht ai rrëfehet si “njeri tejet bujar”.

Një vlerësim që mbetet për t’u provuar

Vite më vonë, Porta e Lartë dërgoi në Bagdad një tjetër shqiptar, Nasuh Pashën. Njësoj si në historinë e Skënderbeut, valiu i ri shqiptar i Bagdatit, mësoi se qyteti i kishte rënë në dorë një vendasi falë një fermani të falsifikuar. Nasuhu nuk pati edhe aq fat në një betejë që u bë mes dy rivalëve në afërsi të Bagdadit. Iku i plagosur rëndë për në Stamboll, porse i ndihu fati dhe u bë, si shumë shqiptarë të tjerë, Vezir i Madh, pra Kryeministër, pasi qe martuar më parë me njërën prej vajzave të shumta të Sulltanit. Ja ku na dolën dy paraardhës shqiptarë të Paul Bremmerit.

Njerëzit e luftës

Historianët arabë ende i përmendin bëmat e disa komandantëve shqiptarë në vitet që pasuan. Në 1626 Tikriti, vendi i origjinës së Sadam Hyseinit, ishte ende në duart e persëve, të cilët e kishin pushtuar disa vjet më parë. Një shqiptar, Omer Pasha, luftoi në krye të një grushti njerëzish me një ushtri shumë herë më të madhe. Omer Pasha, komandanti, ishte i vetmi që shpëtoi nga masakra që pasoi. Legjenda thotë se e shpëtoi kali i tij i shpejtë. Ca vjet më vonë historia përsëritet. Tashmë është Ahmet Kuçuk Pasha, edhe ky shqiptar në shërbim të Sulltanit, që komandon trupat turke në betejat rreth Tikritit. Si e pa që nuk kishte shpëtim atëherë u ul dhe nisi t’i falej Allahut. Sigurisht që njëri nga ushtarët persë ia preu kokën dhe e dërgoi në Teheran. Shahu në shenjë respekti lejoi që koka e prerë e Ahmet Kuçuk Pashës të varrosej në një teqe në Damask, në Siri. Pashai plak e kishte menduar edhe këtë. Vite më parë kishte ndërtuar një vend të shenjtë për vete.

“I mirë, por pinte verë”

Nga fundi i shekullit të 17 presioni i ushtrive iraniane gati sa se bllokoi ekonominë në Bagdad. Porta e Lartë u alarmua. Bllokimi i ekonomisë në këto anë donte të thoshte trazira edhe në vendet arabe fqinje. Sërish na shfaqet një shqiptar. Ai është Abdurrahman Pasha, i cili u caktua vali i qytetit. Abdurrahmani ishte njeri i drejtë. Ai nuk lejoi që nënpunësit të vidhnin në kurriz të popullit, liroi njerëzit nga taksat abuzive dhe arriti të sjellë normalizimin e tregut. Në historinë e Irakut shqiptari me emrin Abdurrahman mbahet mend edhe për dashamirësinë e tij ndaj poetëve dhe artistëve të tjerë, ndonëse, nën zë thuhet se ai e kishte një çikë qef verën. Një xhami e ndërtuar prej tij ka qenë në këmbë deri vonë në Bagdad. Ajo quhej Maruf-al-Karhi.

Iraku në duart e shqiptarëve

Kush e di sepse ne shqiptarët e paskemi pasur fort për zemër Irakun, madje aq për zemër saqë të arrijmë edhe atje sa që të themelojmë një dinasti tonën, shqiptare në krye të Bagdadit. I pari i kësaj dinastie shqiptare në zemër të Arabisë ishte një dibran, Hasan Pasha, i cili nisi punë në këto anë në 1704. Si shqiptar i vërtetë, Hasani e nisi punën duke emëruara djemtë e tij ndër provinca, duke kërkuar kështu bashkimin e njësive të coptuara irakene në një vilajet të vetëm. Më pas, duke u mbështetur në një ushtri të re krejt të reformuar, Hasan Pasha nga qëndrimi në mbrojtje ndaj iranianëve, i hyri detyrës së vështrië që të sulmonte. Nuk arriti ndonjë sukses të madh, megjithëqë kishte arritur të depërtonte në Iran. U varros me nderime të mëdha në Bagdad, në motin 1724. Thonë se në kryeqytetin iraken emrin e tij e mbajnë xhami e emra lagjesh.
Vendin e Hasan Pashës e trash ëgoi i biri, Ahmet Pasha, një i ri ambicioz, i cili e kishte ndarë mendjen të vazhdonte udhën e të atit. Ahmeti vazhdoi të sundonte deri aty afrë fundit të shekullit 18. Pas kësaj dinastia shqiptare në Bagdad është e përfshirë nga një “stuhi rëre”, gjatë së cilës emrat e sundimtarëve vazhduan të zëvendësohen me ritme të shpejta.

Një shkrimtar për guvernator

Duhej të kalonin disa vite të trazuara derisa shqiptarët të shfaqeshin në krye të Irakut. Syrri Pasha – vali nga 1899 deri në 1890 – ka hyrë në historinë e Irakut si ndërtuesi i një dige të rëndëishme dhe si mbrojtës i madh i poetëve. Sipas historianëve vendas Syrriu futi në veprim edhe një ide tjetër, atë të ndihmës sociale. Të varfërit dhe vejushat arritën të merrnin një përkrahje modeste sociale. Syrriu u dha udhë një veprimtarie me tradita në lëmin e poezisë. I fundmi i dinastisë shqiptare në Bagdad ka qenë një farë Abdulvehab Pasha, që qëndroi në rolin e valiut vetëm një vit. Për të dihen pak gjëra, nëse përjashtojmë ndonjë poezi oborri që servilat e kanë shkruar me zell për të. Era e re kishte nisur të frynte gjithandej. Nuk kishte më nevojë për njerëz të luftës, a më mirë me thënë kishte nevojë për një luftë ndryshe.

Një mauzer dhe një kalë arab

Një tjetër shqiptar i shquar i ka njohur mirë këto anë. Eqerem Bej Vlora, pinjoll i Vlorajve të famshëm, një nga mendjet më të mprehta shqiptare të dy shekujve të fundit, e ka rrëfyer në mënyrë brilante përshtypjen e tij të parë me njerëzit, të cilët jetojnë atje ku dielli këmbëngul e këmbëngul të djegë.
Në 1904, Eqerem Beu ishte një nënpunës i ri i Ministrisë së Jashtme të Stambollit. Bashkë me diplomatë të tjerë inspektonte asokohe hekurudhën e Hexhazit, atë që quhej një lloj paraleleje e Kanalit të Suezit, një arritje e madhe për kohën, njësoj si koridoret tona të sotme, nëse do të realizoheshin. Sytë e lodhur nga peisazhi, i mbuluar nga rëra e verdhëllemtë, i kanë shndëritur të riut shqiptar kur ka parë të kalëronte mbi një mëzat të zi arab një vajzë të re, elegante. Diku andej nga Siria, në kufi me Irakun, zë fill kjo histori nostalgjie më shumë se sa dashurie. I riu shqiptar desh la mëndtë kur pa atë vajzë të re arabe që bashkë me të tjerët i bënte respektet e duhura sipas rregullave të shkretëtirës. Mësoi sakaq se perria e shkretëtirës ishte vajza e njërit prej krerëve lokalë, në çadrën e të cilit kishte bujtur. Dhe atëherë beu i Vlorës përmbahet, porse nuk mund të heqë dorë nga simpatia e tij. Nxjerr nga brezi pistoletën e tij, një Mauzer, i cili në atë kohë vlente sa qimet e kokës, dhe ia zgjat vajzës së re. Vetë Eqerem Beu rrëfen se u çudit pa masë kur pa se në këmbim vajza i kishte dhuruar mëzatin e saj të racës së pastër të kulluar arabe. Historia që nisi në kufijtë veriorë të Irakut, nuk mbaron me kaq. Ndonëse të dy të rinjtë fati i përplasi në cepa të ndryshëm të Botës, mes tyre u lidh një letërkëmbim që do të vazhdonte gjatë. Me sa duket miqësitë që lidhen atyre anëve se ç’kanë një gjë të veçantë. Sikurse e shohim edhe tani, ato vazhdojnë gjatë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit