6.4 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

30 VJET NGA RIHAPJA E XHAMISE “ETHEM BEU”

Më të lexuarat

Rihapja e xhamisë “Ethem Beu” në Tiranë, më 18 janar të vitit 1991, u bë me një ceremoni madhështore, në të cilën morën pjesë mijëra besimtarë dhe qytetarë të Tiranës. Ajo ishte dita kur emocionet, entuziazmi shpirtëror dhe shpërthimi i ndjenjave për qytetarët e Tiranës, kishin arritur kulmin. Njerëzit të përmalluar, dëgjonin me vëmendje e kureshtje, qanin e çmalleshin me xhaminë. Xhamia “Ethem Beu”  i kishte mbyllur dyert e saj 23 vite më parë, për shkak të ndalimit të besimit në Shqipëri nga sistemi komunist, i cili u shoqërua me masa të rrepta, me persekutime, burgosje e vrasje të prijësve fetarë që kishin predikuar fenë.

Me 13.11.1967, Presidiumi i Kuvendit Popullor, me dekret nr. 4337, shfuqizoi të gjitha ligjet e dekretet e mëparshme mbi komunitetet fetare dhe statutet e tyre. Dhe kështu, Shqipëria u shpall shteti i parë ateist në botë, i cili kulmoi me aksionin e madh për rrënimin e xhamive, duke i sjellë vendit një dëm të dyfishtë edhe për vlerat e pazëvendësueshme kulturore, historike e arkeologjike të tyre.

Me rënien e sistemit komunist më 1990, u rivendos liria e fesë. Institucioni i Komunitetit Mysliman i sapongritur, filloi angazhimin e punës për hapjen e xhamive anembanë vendit. Drita e Islamit filloi të përhapej në vendin tonë, lulëzuan xhamitë si vende lutje e adhurimi dhe në minare buçiste zëri i ëmbël që madhëronte Zotin xh.sh. Më 16.11.1990, ishin qytetarët e Shkodrës, myslimanë e katolikë që morën pjesë në rihapjen e xhamisë së Plumbit në një tubim masiv. Këto rihapje u pasuan më 14.12.1990 me xhaminë Mbret – Berat, më 11.01.1991 me xhaminë e Plumbit – Vlorë…

Shumë prej xhamive të Tiranës qenë shndërruar ose rrënuar dhe trualli i tyre ishte zëvendësuar me ngrehina të tjera, por, për fatin e mirë, xhamia “Ethem Beu”, e cila bashkë me kullën e sahatit ishin bërë simbol i kryeqytetit në çdo imazh fotografie apo pikture që përfaqësonte Tiranën, arriti t’i shpëtonte tiranisë së komunizmit, që u përpoq të shkatërronte çdo vlerë të besimit. Ishte prej begative të Zotit, që kjo xhami qëndroi më këmbë gjersa u rihap sërish për t’iu rikthyer zemrave të besimtarëve.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë kujton se ishin Xhavit e Iljaz Alimehmeti, Ramazan Rusheku, Ibrahim Balla, Mehmet Sinella, etj., disa nga nismëtarët kryesorë myslimanë, të cilët hapën në Tiranë dyert e xhamisë “Ethem Beu” për besimtarët. Përmbajtja e fjalimeve të tyre në xhami, mund të përmblidhet në thirrjen e njerëzimit për paqe, dashuri, harmoni, mirëkuptim, bashkëpunim, miqësi e vëllazërim midis njerëzve pa dallim.

Atë të premte janari, për qytetarët e Tiranës kishte zbardhur një ditë e madhe, e cila do t’i ringjallte shpresën për ditë më të mira. Në fytyrat e pjesëmarrësve lexohej gëzimi për këtë ngjarje të madhe, e cila shënonte rikthimin e besimit në jetën e tyre, pas një diktature të shfrenuar dhe një regjimi të ashpër komunist, i cili u përpoq të ç’rrënjosë fenë dhe besimin, por që kurrë nuk ia doli mbanë. Edhe pse 23 vjet ngricë shpirtërore, shumë qytetarë të Tiranës, kishin ruajtur brenda tyre dashurinë për Zotin, kishin ruajtur ndezur brenda shpirtit të tyre një zjarr, që nuk lejoi ngricën komuniste të ftohte besimin e tyre në Zot. Kjo gjë, u vërtetua pikërisht në këtë ditë.

Vlerësim dhe mirënjohje për të gjithë ata njerëz, që me zell e përkushtim kontribuuan në skalitjen e datës 18 Janar 1991 në kujtesën historike të Tiranës, si dita e rihapjes së xhamisë “Ethem Beu”.

REDAKSIA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit