11.9 C
Pristina
Tuesday, October 15, 2024

Rama për Kurtin: Atë po e fajëson e tërë bota demokratike – në pyetje nuk është fati i tij por i tërë Kosovës

Më të lexuarat

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një konferencë për media ka treguar se i ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Duke folur rreth këtij drafti, Rama është pyetur edhe rreth lajmeve që kanë qarkulluar për sanksione ndaj Kosovës si dhe vetë kryeministrit Albin Kurti.

Ai tha se ato janë dokumente të pa konfirmuara dhe nuk janë të rëndësishme, duke shtuar se nuk është në pyetje fati i Albin Kurtit por i Republikës së Kosovës, shkruan Telegrafi.

“Nuk hy fare në këto sepse nuk është se kanë rëndësi të veçantë nëse janë apo jo të vërteta për sa kohë nuk janë deklarata publike, por janë dokumente që qarkullojnë të pa konfirmuara por as të pamohuara. Nuk është fati i Albin Kurtit sot në loj, është fati i Republikës së Kosovës si e tërë”, tha Rama.

Tutje kryeministri shqiptar u shpreh se “Unë dua vetëm suksesin e Albin Kurtit dhe Qeverisë së Kosovës, por nuk mund të rri më duke parë në kushtet kur realisht ajo që shoh duhet ndarë me të gjithë sepse është një kërcënim shumë i madh që nuk i vjen Kosovës nga Serbia por i vjen nga reduktimi i marrëdhënieve me aleatët në një nivel ku e humbura e madhe është Kosova”.

Rama sqaroi se drafti për Asociacion është i hartuar nga ekspertë të pavarur që kanë punuar bashkërisht për të dhënë një kontribut.

“Ajo që unë kam bërë është që këtë kontribut ta kthej në një mundësi për dialogun pastaj aty e dinë vet të gjithë ata që marrin pjesë në dialog se çfarë marrin e çfarë jo. Për Kosovën është jetike që të dalë nga ky qorrsokak dhe të finalizoj procesin që i mundëson njohjen e ndërsjellë. Është një gjë shumë e madhe për tu tretur në dallgët e furtunës në gotën e katër komunave për katër kryetarë komunash që e kanë kryer misionin e tyre dhe që mund ta vazhdojnë detyrën në ndërtesa tjera pa pasur nevojë që të angazhohet një polici e tërë për të rritur në mënyrë artificiale frymën e vetëvendosjes së serbëve atje. Fakt i hidhur por shumë i vërtetë”, u shpreh Rama.

I pyetur nga gazetarët se përse po e sulmon kryeministrin Albin Kurti, nëse ai ka vendosur kryetarët e dalur nga rezultati i zgjedhjeve që kanë njohur edhe ndërkombëtarët, Rama tha se “unë nuk e sulmoj Albin Kurtin”.

“Unë nuk e sulmoj Albin Kurtin, atë e fajëson bota e tërë demokratike dhe kjo mua më shkakton vetëm keqardhje sepse nuk shoh pse duhet të ndodhi kështu. Nuk jam as për të gjykuar e aq më pak për të sulmuar Albin Kurtin”, tha Rama. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit