17.7 C
Pristina
Saturday, May 18, 2024

Kurti në varrimin e Marigona Osmanit: Të angazhohemi të gjithë që raste të vrasjes mizore si kjo të mos e godasin asnjë familje

Më të lexuarat

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e varrimit të 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmani, e cila dyshohet se vdiq nga dhuna që ushtroi mbi të partneri i saj.

Kurti duke folur para qytetarëve të pranishëm në varrim tha se vrasja mizore e 18-vjeçares ka sjellë shumë pikëllim dhe shumë zemërim tek të gjithë.

Ai tha se fakti që i dyshuari për vrasjen e saj ka precedentë penalë prej viteve të mëhershme tregon se sa shumë punë kemi përpara që ta drejtojmë sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të veprojë pa vonesa, të gjykojë drejt, dhe të ndëshkojë kriminelët e keqbërësit në përgjithësi.

“Qeveria jonë prej fillimit ka ndërmarrë iniciativën për infrastrukturë të re ligjore, në mënyrë që kurrë më të mos na përsëriten këto raste, kemi bërë gati ligjin e ri për mbrojtje të viktimave dhe të mbrojtjes nga dhuna në familje si dhe strategjinë e re kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje”, tha kryeministri.

Kryeministri Kurti theksoi se në gjashtë muajt e parë të këtij viti 1063 gra e vajza kanë lajmëruar për dhunë në familje.

“Kjo tregon se është rritur besimi në institucione, por njëkohësisht që edhe përgjegjësia jonë si institucione duhet të jetë më e lartë se asnjëherë më parë”, tha ai.null

Kryeministri u shprehu ngushëllime të sinqerta familjarëve për humbjen e Marigonës, të gjithë qytetarëve të Ferizajt dhe mbarë popullit të Kosovës.

“U prehtë e qetë Marigona, e për t’u prehur me të vërtetë e qetë duhet të sjellim drejtësi për të dhe për të gjitha viktimat e tjera”, tha ai.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara familje Osmani,
Të nderuar familjarë, shoqe e shokë të Marigonës,
Të nderuar imam dhe ju klerikë të tjerë fetarë,
Motra dhe vëllezër, zonja dhe zotërinj,

Sot të gjithë ne kemi shumë pikëllim, sot të gjithë ne kemi shumë zemërim. Jeta e një vajze të re 18-vjeçare është këputur nga një vrasje mizore. Para një ore e gjysmë i dyshuari për vrasjen që e tronditi mbarë Kosovën është arrestuar dhe tash duhet të ketë gjykim të drejtë e dënim të merituar.

Bëhet fjalë për një të dyshuar i cili ka precedent penal edhe prej viteve të mëhershme në vepra të shumta që kanë qenë shkelje të ndryshme të ligjit. Kjo tregon se sa shumë punë kemi përpara që ta drejtojmë sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të veprojë pa vonesa, të gjykojë drejt, dhe të ndëshkojë kriminelët e keqbërësit në përgjithësi.

Qeveria jonë prej fillimit ka ndërmarrë iniciativën për infrastrukturë të re ligjore, në mënyrë që kurrë më të mos na përsëriten këto raste, kemi bërë gati ligjin e ri për mbrojtje të viktimave dhe të mbrojtjes nga dhuna në familje si dhe strategjinë e re kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje.

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti 1063 gra e vajza kanë lajmëruar për dhunë në familje. Kjo tregon se është rritur besimi në institucione, por njëkohësisht që edhe përgjegjësia jonë si institucione duhet të jetë më e lartë se asnjëherë më parë.

Unë e di që të gjithë ju e keni mërzinë, dhembjen e pikëllimin të pashmangshëm, mirëpo njëkohësisht të pikëlluar e duke u mërzitur nuk do të mundemi asnjëri prej nesh ta kthejmë kohën mbrapsht e ta ngjallim Marigonën.

Duhet t’i mbani kujtimet më të mira, që me siguri i keni të panumërta dhe të angazhohemi bashkë familja, shoqëria, dhe institucionet e shtetit që raste si vrasja mizore e Marigona Osmanit të mos e godasin më kurrë popullin tonë e familjen tuaj.

Ngushëllime jo vetëm familjes Osmani, por ngushëllime dhe Ferizajt e të gjithë popullit tonë. U prehtë e qetë Marigona, e për t’u prehur me të vërtetë e qetë duhet të sjellim drejtësi për të dhe për të gjitha viktimat e tjera. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit