15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Zinaja

Më të lexuarat

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Krijuesit të mbarë botëve. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Përshëndetjet më të përzemërta qofshin mbi të Dërguarin e njerëzisë, Muhamedin alejhi selam, mbi familjen e tij të dashur, mbi shokët e tij të ndershëm dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij gjer në Ditën e Llogarisë.

Sëmundja shoqërore e cila quhet “prostitucion” ka marrë hov të madh, sidomos në kohën e fundit, pothuajse në tërë botën. Më e keqja është se po merr hov të madh edhe në vendin tonë.1

Një sëmundje e tillë nuk ka qenë aq e përhapur në trojet tona shqiptare. Islami i ndërpret rrugët të cilat çojnë drejt kësaj vepre të turpshme, të pamoralshme dhe rreptësisht të ndaluar. Feja islame ndalon edhe nga të gjitha ato rrugë të cilat të çojnë në këtë krim të turpshëm. Islami ndalon shikimin me qëllim epshi, prekjen, llafosjen me qëllime të tilla, nëpërmjet të cilave njeriu bie në këtë vepër të ligë. Kjo sëmundje shoqërore ka përfshirë më tepër popujt e arsimuar dhe me kulturë të lartë, të ashtuquajtur me kulturë perëndimore, sesa popujt që janë në nivel më të ulët të kulturës. Në këtë kohë tejet të vështirë, njerëzimit po i kanoset rreziku i dekadencës dhe i deformimit të pjellës njerëzore po nga kjo sëmundje shoqërore. Prostitucioni, qoftë ai në shtëpi publike ose në mënyrë ilegale po merr përmasa të gjera ndër radhët e rinisë, sidomos të asaj shkollore. Kjo vepër aq e shëmtuar dhe e dobët është e palejuar dhe dënohet nga etika dhe mjekësia. Edhe feja e sheh me përbuzje, e sidomos feja islame e gjykon si krejtësisht të ndaluar veprën e prostitucionit. Islami në të gjitha mënyrat dëshiron që kjo sëmundje të evitohet e të mos ekzistojë në radhët e besimtarëve. Për këtë Allahu xh.sh. thotë:

“Mos iu afroni imoralitetit, sepse është me të vërtetë një rrugë shumë e keqe.“2

I nderuar xhemat!

Me ajetin e lartpërmendur, Allahu xh.sh. së pari na bën me dije që të mos i afrohemi imoralitetit, ngase dëshira për të bashkuarit e gjinive të kundërta ka aktivizuar dhe aktivizon shumë energji, emocione, synime, shpresa por edhe shpirtligësi. Sot në botë po ndodhin shumë vrasje, grabitje, dhunime, vetëm e vetëm duke mos pasur mbështetje te Krijuesi i gjithësisë dhe mospasja frikë prej Tij. Po ashtu, Allahu Fuqiplotë në suren Furkan, thotë: “Edhe ata që pos Allahut nuk lusin ndonjë zot tjetër, nuk e vrasin njeriun që Allahu e ka ndaluar përveç kur meriton dhe nuk bëjnë zina (kurvëri), ndërsa kush i bën këto ai gjen ndëshkim.”3

Pejgamberi alejhi selam thotë: “Tre grupeve të njerëzve Allahu xh.sh. nuk do t’u flasë në Ditën e Gjykimit, nuk do t’i pastrojë (për xhenet), e as nuk do t’i shikojë ata dhe ata do të kenë dënim të rëndë (të dhimbshëm dhe të madh): plakun lavir, mbretin rrenacak dhe të zotin e shtëpisë mendjemadh.”4

Po ashtu, i Dërguari alejhi selam thotë: “Sa herë që kurvëria është shfaqur te një popull, aty janë përhapur sëmundje që nuk ishin të pranishme në kohën e stërgjyshërve të tyre.“

Gjithashtu edhe në hadithe të tjera është përmendur zinaja (prostitucioni), ndaj dhe kur është pyetur i Dërguari alejhi selam se cili mëkat është më i madh, ai ka thënë: “T’i bësh Allahut shok kur Ai të ka krijuar. Pastaj cili? Të mbysësh fëmijën tënd duke pasur frikë se mos po ushqehet me ty. Pastaj cili? Të bësh zina me gruan e fqinjit.”5

“Ai që bën zina (kurvari) nuk është besimtar në kohën kur bën prostitucion (kurvëri)…”6

Pasojat e prostitucionit janë shumë të mëdha, prandaj nuk është e tepërt që të njihemi me disa sëmundje sipas burimeve mjekësore. Më të rrezikshmet janë: sida (AIDS), sifilizi, gonorreja etj. Këtë më së miri e elaborojmë me një thënie të Dr. Fourner, i cili thotë: “Gruaja e një të sëmuri nga sifilizi kishte lindur nëntëmbëdhjetë fëmijë, prej të cilëve 5 kishin lindur të vdekur, kurse të tjerët kishin vdekur pas 1-6 muajsh jetë.” Masat e gjera të popullatës, pjesëtarët e Islamit të vendit tonë, e në veçanti rinia, i njohin shumë pak pasojat që vijnë nga binaja (prostitucioni). Prostitucioni i zgjeruar në një popull sjell fatkeqësi, pakënaqësi, shton numrin e të papunëve([7]), të cilët janë në gjendje të bëjnë çmos kundër rendit shoqëror dhe parimeve fetare. Prostitucioni humb të gjitha vlerat morale. Për këtë kemi thënien e të Dërguarit alejhi selam, i cili thotë: “O ju muslimanë, ruajuni nga imoraliteti, sepse nga ai vijnë të gjitha të këqijat. Në këtë botë të ikën fytyra, të shkurtohet jeta dhe të ndjek pas varfëria, ndërsa në botën tjetër të pret zemërimi i Allahut të Madhëruar, llogaria e keqe dhe ndëshkimi me zjarr.”

Xhemat i nderuar!

Në fund, duhet të jemi të vetëdijshëm se Allahu i Madhërishëm na ka mësuar se çfarë të veprojmë me laviret dhe lavirët, kur ata kapen duke bërë kurvëri dhe njëherazi na mëson se me kë duhet të martohen ata që bëjnë prostitucion. Ja se çfarë thotë Krijuesi Fuqiplotë kur është fjala për dispozitat e Allahut: “Laviren dhe lavirin rrihini secilin prej tyre me nga njëqind të rëna dhe mos u tregoni zemërbutë ndaj tyre në këto dispozita të fesë.”8

Për sa i përket lidhjes martesore Allahu e ka treguar mjaft bukur në ajetin vijues, ku thotë: “Laviri nuk duhet të martohet me dikë tjetër, vetëm me ndonjë lavire ose idhujtare e me laviren nuk duhet të martohet askush tjetër përveç ndonjë laviri apo idhujtari. Ajo është e ndaluar për besimtarët.”9

Falënderimi i qoftë Allahut xh.sh., i Cili na bëri prej besimtarëve të drejtë dhe përmes argumenteve të Tij na tregoi se çfarë pasojash na sjell kjo rrugë e keqe dhe e shëmtuar. Në të njëjtën kohë e lusim Allahun xh.sh. që të na ruajë ne dhe të gjithë besimtarët nga kjo vepër e shëmtuar. Amin!

Përgatiti: Mr. Fehim Dragusha
25.1.2009

1 Nga aktivistë ndërkombëtarë e vendorë për të drejtat e njeriut është vërtetuar se “në Kosovë ka prostitucion dhe ka edhe klientelë”. Qindra e ndoshta me mijëra vajza të reja po kalojnë në Kosovë kalvarin e “zanatit më të vjetër në botë”. Mosha mesatare e tyre, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), është 23 vjeç, ndërsa rrugëtimi i pjesës dërmuese të tyre është i ngjashëm me të gjitha rrugëtimet e shoqeve të tyre nëpër botë, vetëm se në Ballkan duket që shkalla e “egërsisë” së bosëve është më e madhe. Policia e Kosovës, që drejtohet nga Misioni i Kombeve të Bashkuara, ka zbuluar disa shtëpi publike nëpër qendra të ndryshme të Kosovës. Janë arrestuar në vitet e pasluftës disa dhjetëra persona, ndërsa mbi 100 femra janë riatdhesuar me ndihmën e IOM-it.
2 Kurani, El-Isra; 32.
3 Kuran, Furkan; 68.
4 Muslimi 1/102, 103 nr: 107; Nesaiu 6/86.
5 Transmeton Buhariu v. 8, f. 163, nr: 4477: Muslimi v. 1, f. 90, nr: 86; Tirmidhiu nr: 3181; Nesaiu v. 7, f. 89; Ebu Davudi nr: 2310 dhe Imam Ahmedi 1/280.
6 Buhariu 5/119 nr: 2475; Muslimi 1/76, nr: 57; Ebu Davudi nr: 4689; Tirmidhiu nr: 2627; Nesaiu 8/64.
7  Statistikat thonë se 70 për qind e këtyre femrave në vendet e tyre kanë marrë paga më të vogla se 20 euro në muaj, prandaj ato bëhen lehtë pre e agjencive të ndryshme, edhe “turistike”. Shumë prej tyre besojnë se do të shkojnë në Gjermani, Francë apo Itali për të punuar si kujdestare fëmijësh apo si kameriere, por përfundojnë në Kosovë. Ndërkaq, 48 për qind e prostitutave të ardhshme rekrutohen nga vetë femrat, të cilat pastaj ua dorëzojnë ato “kodoshëve”, që vazhdojnë rrjetin ndërkombëtar. Rreth 71 për qind e femrave që punojnë në Kosovë pohojnë se u janë nënshtruar abuzimeve seksuale të “bosëve” dhe miqve të tyre menjëherë pasi janë futur në këtë rrjet. Atyre zakonisht u merren dokumentat e identifikimit dhe mbahen në vende të mbyllura. Gjashtëdhjetë për qind e tyre pohojnë se kushtet në të cilat jetojnë e punojnë në Kosovë janë tepër të rënda dhe të dhunshme. Shumë prej tyre kanë pohuar se janë ushqyer shumë keq (shpeshherë vetëm me një hamburger në ditë), janë detyruar të kenë marrëdhënie seksuale me shumë persona brenda një dite, ndërsa paratë u janë marrë (dhe u merren) nga bosët. Një e re nga Moldavia, para se të riatdhesohet, ka pohuar se “është rrahur pamëshirshëm nga bosët, të cilët e kanë shitur e stërshitur disa herë me radhë”.
8 Kur’an, Nur; 2.
9 Kur’an, Nur; 3.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit