9.4 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Zgjedhje të reja në katër komunat në veri? Çfarë parasheh Ligji për Vetëqeverisje Lokale

Më të lexuarat

Situata në katër komunat në veri të Kosovës, vazhdon të jetë brishtë. Si rrjedhojë e tensioneve të fundit që u krijuan në këtë pjesë, ndërkombëtarët kanë shtuar presionet tek të dyja palët si Kosova ashtu edhe Serbia që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për shtensionim të situatës.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, paraqiten tri kërkesa për shtensionim të situatës, gjatë takimit që kishin me kryeministrin Albin Kurti.

Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog ishin tri kërkesat e tyre.

E për caktimin e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në komunat veriore, janë disa procedura që parashihen me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Në nenin 71 të këtij Ligji ku flitet për Largimin e kryetarit shkruan: “72.1 Qytetarët e komunës mund të ndërmarrin iniciativë për largimin e kryetarit të komunës. 72.2 Kërkesa e tillë duhet të nënshkruhet nga njëzet (20) përqind e votueseve të regjistruar dhe i dorëzohet kryesuesit të kuvendit të komunës, i cili e paraqet çështjen në institucionin përkatës për administrimin e votimit. 72.3 Nëse shumica e votueseve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi zgjedhjet”.

Edhe shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila dje ka përmendur dy procedurat për shpalljen e zgjedhjeve të reja.

“Dihen procedurat, njëra me dorëheqje, njëra me nënshkrime të listës së votuesve, dhe dorëzimi dhe shqyrtimi nga MAPL, dhe vendosja për datën, në cilëndo formë mbetet të shihet, por duhet të jetë me forma demokratike të parapara me ligj, dhe jo në mënyrën si e kishim shpërfaqjen e mospranimin kinse nga thuhej nga komuniteti serb, pamë çka ndodhi me veprimet e dhunshme ndaj KFOR-it nga grupe kriminale ”, ka thënë ajo.

Që nga 26 maji 2023, serbët në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq po vazhdojnë protestën e tyre për të pestën ditë më radhë. Ata po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill 2023 në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb. Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind. Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, kishte bërë thirrje për bojkotim të këtyre zgjedhjeve. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit