12.3 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Zbulohen detajet e operacionit të madh për sjelljen e Bashar al-Asad para drejtësisë

Më të lexuarat

Gazetari i Daily Mail, Ian Birell, zbuloi detajet e një operacioni të madh që synon një gjë, që të sjellë para drejtësisë Bashar al-Asadin. Sipas tij, operativët nga Siria kanë arritur që të kontrabandonin rreth 800,000 dokumente që vërtetonin përgjegjësinë e tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Kam premtuar se nuk do të zbuloj lokacionin, edhe pse ky vend duket sikur çdo zyrë tjetër e mbushur me burra dhe gra që shtypin në kompiuterë dhe bisedojnë mes vete gjatë kohës që pijnë kafe”, shkruan Birell për vendin ku ruhen në mënyrë të sigurt kutitë e dokumenteve kundër Asadit.

Në mesin e tyre janë letrat që zbulojnë tregimet më të vrazhda të vdekjeve, perversitetit, torturat barbare dhe spitalet e shndërruara në morgje.

“Kjo dhomë e cila në shikim të parë duket e zakonshme, përmban 800,000 faqe të provave të mundshme që do të sjellin deri te procesi më i rëndësishëm gjyqësor kundër krimeve të luftës që nga Nurembergu, krahas të cilit vetëvrasja e Slobodan Praljak në Tribunalin e Hagës do të duket si një fusnotë bizare në histori”, thotë Birell.

Çdo telefon celular, kartë, dokument, përfshirë edhe ata me nënshkrimin e Asadit, janë kontrabanduar nga Siria me rrezik të madh personal. Ato fshihen në depo ose të varrosura në ara, në mënyrë që të mund të nxjerren më vonë në mënyra të ndryshme nga toka. Qëllimi është një: që të projektohet një rast solid kundër njerëzve kryesorë në vend, por ajo për çfarë ky hetim dallon nga të tjerët është se është lloji i parë i tillë që udhëhiqet nga një organizatë private dhe jofitimprurëse.

“Ne duam të dëshmojmë se askush nuk mund të shpëtojë pa u dënuar. Asad është krimineli më i madh në rajon dhe nuk mund të jetë mbi ligjin”, thotë Bill Wiley, i cili udhëheq këtë projekt, i cili gjithashtu ka fituar përvojë në hetime të ngjashme në ish-Jugosllavi dhe Ruandë.

Akti më i fundit monstruoz i forcave të Asadit, mbështetur nga Irani dhe Rusia, të cilat Amnesty International i quajti “krime lufte me përmasa epike”, është një bombardim i egër i civilëve të uritur në Ghouti. Vlerësohet se rreth 400,000 njerëz janë vrarë në të gjithë Sirinë, gjysma e popullsisë është dislokuar dhe një numër i madh njerëzish janë zhdukur, fati i të cilëve jo rrallë lidhet me qendrat e paraburgimit të cilat janë të njohura për torturat ekstreme të të burgosurve.

Ndër dokumentet kyçe, ekziston edhe një, në të cilën Zyra Qendrore për Menaxhimin e Krizave (të cilin e krijoi Assad kur shpërthyen trazirat) vë në dukje planin e tij për ndalimin e demonstratave të cilat kishin filluar në të gjithë vendin. Pas miratimit të vetë Asadit, ata filluan sulmet kundër atyre që morën pjesë në protesta, kundër atyre të cilët i financuan ata, madje edhe kundër atyre që biseduan me mediat dhe organizatat e huaja.

Rezultati është sundimi i terrorit që ka dhënë terren të frytshëm për ekstremistët. Siç thonë përfaqësues të të drejtave të njeriut, tmerret më të mëdha kanë qenë në spitalet që janë bërë vende për vrasje dhe frigoriferët e të cilëve ishin plot me trupa të paidentifikuar dhe të prishur.

Disa dokumente gjithashtu tregojnë se shefat e policisë përdorën shprehjen “sulm i papritur në zemër”, si eufemizëm për ata që kanë vdekur nga pasojat e rrahjeve brutale dhe torturës.

“Nuk e di nëse do të na duhen dy, pesë apo dhjetë vjet, por besoj se Assadi do të vihet para drejtësisë”, përfundoi Bill Wiley. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit