13.6 C
Pristina
Friday, May 3, 2024

Vlerat e ditës Xhuma

Më të lexuarat

Nga: Dr Jusuf Kardavi

Vlerat e ditës Xhuma

Thotë Zoti në Kuranin fisnik:” O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju! Dhe, kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Allahut dhe përmendeni shumë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni. Mirëpo, sa herë që ata shohin ndonjë tregti ose lojë, shkojnë tek ajo e të lënë ty në këmbë. Thuaj: “Ajo që është tek Allahu, është më e mirë nga argëtimi e nga tregtia.” Allahu është Dhuruesi më bujar.” (Xhumua, 9-11)
 
Dita e Xhuma, ditë feste për myslimanët
Zoti i lartësuar e ka bërë ditën e xhuma, ditë feste javore për mbarë myslimanët, ajo është një konference hyjnore, ku besimtarët i bashkon adhurimi i Zotit, i bashkon fjala devotshmëri dhe përmendja e Krijuesit. Për faktin se kjo është ditë feste për myslimanët, nuk parapëlqehet që të agjërohet në këtë ditë, pasi ditën e festës, nuk agjërohet. Kështu, dita e xhuma është shumë e ngjashme me festat vjetore. Nëse agjërimi ditën e Bajramit është haram, ditën e xhuma nuk është i pëlqyeshëm. Sigurisht, flitet për agjërimin nafile, vullnetar. Kushdo që do të agjërojë nafile ditën e xhuma, ta dijë se është diçka e papëlqyeshme. Por nëse dëshiron të shlyesh ditë nga atjërimi i Ramamzanit dhe një nga këto ditë rastis të jetë e xhuma, apo dita e Ashurasë ku duhet agjëruar një ditë para ose një pas Ashurasë, nuk prish punë.
 
Namazi i Xhumasë, specifik për këtë ditë
Meqë dita e Xhuma është ditë feste javore, Zoti i lartësuar e ka zbukuruar dhe stolisur atë, me namazin e Xhumasë. Këtë namaz, Zoti e ka bërë obligim për këtë ditë, duke zëvendësuar me të, namazin e drekës. Nëse thirret ezani i namazit të Xhumasë, i duhet përgjigjur duke u nisur për në xhami. Megjithatë, ai është namaz farz për burrat dhe jo për gratë, për rezidentët dhe jo për udhëtarët, për të shëndetshmit dhe jo për të sëmurët. Megjithatë, nëse një udhëtar e fal namazin e Xhumasë, apo nëse e fal gruaja, pranohet. Vetë gratë e myslimanëve në kohën e Profetit a.s, shkonin në xhami për të falur xhumanë dhe pesë namazet ditore.
” O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë!” Në kohën kur falet namazi i Xhumasë, duhet pezulluar çdo aktivitet i përditshëm. Me të dëgjuar ezanin, tregtari e mbyll dyqanin e tij, blerësi pezullon aktivitetin e vet, punëtori lë punën dhe nisen për në xhami, tek përmendja e Zotit, tek ky ritual kolektiv të cilin Zoti e obligoi çdo javë.
 
Islami është fe kolektive
Islami është fe kolektive dhe jo individuale. Ai nuk dëshiron që myslimani të jetojë i vetëm, pasi “Delen e vetme e han ujku” sepse “Ndihma e Zotit është në kolektiv, xhemat” “ dhe se “Besimtari për besimtarin është si ndërtesa, elementët e të cilës mbajnë njëri-tjetrin.”
Që këtu, islami i nxit besimtarët që të falen me xhemat pesë herë në ditë. Namazi me xhemat është sunet i pëlqyeshëm, madje, tek imam Ahmedi është obligim. Imam Ahmedi e sheh si obligim, vaxhib, namazin me xhemat për të gjithë burrat, përveç rasteve kur kanë arsye. Kështu, kushdo që nuk ka arsye, duhet të falet në xhami me xhemat. Vetë Profeti a.s, qe shprehur njëherë, se dëshironte tu djegë shtëpitë atyre që nuk falin sabahun me xhemat. Ai nuk ia pranoi justifikimin një të verbëri që të falet në shtëpi. Përveç faktit se ishte i verbër, ai i tha se është edhe larg xhamisë. Megjithatë, Profeti a.s iu përgjigj:”Përderisa e dëgjon ezanin, duhet të vish të falesh në xhami.” Për këtë, myslimanët takohen pesë herë në ditë në xhami, për të falur namazin me xhemat, gjë e cila i jep vlera namazit të tyre dhe ua forcon lidhjet vëllazërore mes tyre. Gjatë takimit në xhami, ata interesohen për njëri-tjetrin. Nëse dikush prej tyre mungon, interesohen dhe nëse është i sëmurë shkojnë e vizitojnë, nëse është i zënë me punë, shkojnë e ndihmojnë, nëse ka harruar ia kujtojnë. E tillë është shoqëria myslimane.
Përveç pesë namazeve në ditë, dispozitat islame e obligojnë besimtarin që të falë namazin e xhumasë, një herë në javë. Pesë namazet e ditës, falen në xhamitë e lagjeve, ndërkohë që namazi i xhumasë falet në xhamitë qendrore, atje ku mblidhen shumica e besimtarëve. Ai është një grumbullim i detyrueshëm për të gjithë. Myslimani lë shtëpinë e tij, dyqanin dhe punën, kudo qoftë, për tu nisur drejt xhamisë, atij bashkimi dhe grumbullimi madhor dhe kjo, me të dëgjuar ezanin. Ai i përgjigjet thirrjes së Zotit, kryen obligimin karshi Krijuesit dhe takohet me vëllezërit e tij të besimit, në rituale që shprehin bindjen ndaj Zotit.
“kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë!”
 
Hytbja e xhumasë
Besimtari niset drejt xhamisë për të përkujtuar Zotin. Namazi i xhumasë është adhurim karshi Zotit, ndërsa hytbja e xhumasë, është përmendje e Zotit. Ajo nuk është përmendje e filanit e filanit. Po, predikuesi mund të flasë për çështje të ndryshme, për problemet me të cilat ndeshen njerëzit çdo ditë, u përgjigjet pyetjeve dhe shqetësimeve të tyre. Megjithatë, ajo mbetet përkujtim dhe përmendje e Zotit. Herë pas here, predikimi ndërpritet për të përmendur Zotin, përmenden emrat e bukur të Zotit dhe atributet e Tij, u kujtohet besimtarëve Zoti, takimi dhe llogaria që do të japim para Tij. U kujtohen begatitë që na ka dhënë Zoti, si dhe ndalesat që na ka urdhëruar tu shmangemi dhe të mos u afrohemi. hytbeja, fillon me lavdërim të Zotit, dëshminë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut që na ka krijuar dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij. Gjatë hytbes, predikuesi i nxit besimtarët të jenë të devotshëm dhe të përkushtuar në fenë e Zotit.
 
Nuk lejohet vonesa në namazin e xhumasë
“O ju besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë!”
Besimtari nuk ka sesi të neglizhojë namazin e xhumasë e të merret me gjëra të tjera. Ai nuk ka përse ta bëjë zakon dhe ves që çdo ditë të xhuma, të udhëtojë dhe largohet, duke humbur namazin e xhumasë. Nuk ka përse atij ti humbasë e xhuma pas të xhumaje. Nuk i lejohet të mos e falë të xhumanë pa një arsye të fortë, më shumë se tre herë. Thotë profeti Muhamed a.s në një hadith:”Kush e lë namazin e xhumasë tre javë rresht, pa justifikim, Zoti ia ka damkosur zemrën.” Një zemre të damkosur nga Zoti, nuk i mbërrijnë rrezet e dritës dhe nurit hyjnor.
Ajo shndërrohet në një zemër të errët. “Mendo pak! Kush, përveç Allahut, mund ta udhëzojë atë njeri, që dëshirat e veta i ka bërë zot; atë njeri, të cilin Allahu, duke e njohur për të tillë, e ka shpënë në humbje, duke ia vulosur dëgjimin dhe zemrën e duke i vënë perde para syve të tij?! A nuk po merrni vesh?” (Xhathije, 17)
Namazi i xhumasë është obligim javor dhe myslimanët duhet ta respektojnë në maksimum, të grumbullohen në xhami dhe askush të mos mungojë. Islami nuk është si hebraizmi, i cili e ka bërë haram punën ditën e shtunë. Hebrenjtë nuk duhet të bëjnë as dhe një punë ditën e shtunë. Historia e tyre na tregon se një pjesë e tyre, gjuanin peshk. Ditët e tjera të javës, nuk kishte peshq dhe mezi siguronin jetesën, ndërkohë që të shtunën vinin turmat e peshqve tufa-tufa. Ata nuk e përmbajtën dot veten nga një tundim i tillë. Kështu, përdorën hilet. Hodhën rrjetat ditën e premte dhe i grumbulluan të dielën. Këtë ngjarje e përmend Kurani, i cili e dënon hilen e tyre. Zoti i ndëshkoi dhe i shndërroi në majmunë.
 
Islami nuk e ndalon punën ditën e xhuma
Zoti ia hoqi umetit mysliman barrën e mos angazhimit me punë ditën e xhuma. Kështu, myslimani mund të punojë gjatë gjithë ditës së xhuma, përveç kohës së namazit, njëlloj si ditët e tjera. Islami nuk e ndalon punën për të fituar jetesën në asnjë kohë. Po, myslimani mund të punojë dhe në ditën e Xhuma, të punojë edhe gjatë muajit të Ramazanit, të punojë edhe gjatë muajve të shenjtë.
Gjithçka që kërkohet prej myslimanit, është që me të dëgjuar ezanin e namazit të xhumasë, ti përgjigjet dhe të niset për në xhami, duke lënë gjithçka që ka në dorë, sado të mëdha të jenë fitimet në atë orë, sado të rëndësishme të jenë marrëveshjet që mund të nënshkruhen. Kurani na thotë:” nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë!” Në Kuran, Zoti i përshkruan besimtarët myslimanë, si njerëz të cilët nuk i josh asnjë lloj biznesi për ti larguar nga namazi dhe kryerja e obligimeve ndaj Zotit.
Lidhur me xhamitë, Zoti na thotë në Kuran:” Në xhamitë, që Allahu ka urdhëruar të ngrihen e të përmendet aty emri i Tij, Atë e lavdërojnë në mëngjes dhe mbrëmje, njerëz, të cilët shitblerja nuk i pengon për të përmendur Allahut dhe të cilët falin namazin dhe japin zeqatin dhe të cilët kanë frikë nga Dita (e Kiametit), kur zemrat dhe shikimet do të jenë të shqetësuara. (Këta shpresojnë) që Allahu t’i shpërblejë sipas veprave më të mira që kanë bërë e t’ua shtojë dhuntinë e Tij. Allahu i jep kujt të dojë, pa llogari.” (Nur, 36-38)
Ata nuk i pengon biznesi as shitblerja kur vjen puna për të përmendur Zotin, e si mund të neglizhojnë namazin e xhumasë? Myslimanin nuk ka përse ta pengojë dhe joshë asgjë, për të vajtur në xhami dhe kryer këtë obligim javor. Kjo është karakteristike e myslimanëve në këtë ditë dhe këtë festë javore.
 
Çfarë është e pëlqyeshme gjatë namazit të xhumasë?
Myslimani niset drejt xhamisë, ditën e xhuma, i pastër dhe me abdes, me pamje të hijshme, i parfumuar. Është traditë profetike që ai të lahet ditën e xhuma. Dushi ditën e xhuma është diçka e pëlqyeshme, ndërkohë që disa dijetarë e shohin si obligim, duke u bazuar në një hadith i cili thotë:”Larja ditën e xhuma është detyrë për çdo adut.” Ndërsa në një hadith tjetër, thuhet:”Është detyrë për çdo mysliman që në çdo shtatë ditë, të lajë kokën dhe trupin e tij.” Dhe dita më e meritueshme për ta bërë këtë, është dita e xhuma. Nëse njerëzit e feve të mëparshme, e adhuronin Zotin duke u distancuar nga uji dhe duke qëndruar sa më të pistë, saqë kur e lëvdojnë një shenjtor, thonë:”Ka qenë burrë madhështor, i cili e kaloi gjithë jetën, pa mëkatuar duke larë qoftë dhe këmbët.”
Ne myslimanët, në fenë tonë, e konsiderojmë pastërtinë si adhurim, si formë afrimi me Zotin, e konsiderojmë abdesin, si kusht për saktësinë e namazit, ashtu siç e konsiderojmë kusht edhe pastërtinë e rrobave, trupit dhe vendin ku do të falemi. Pa u plotësuar këto kushte, nuk është i saktë namazi që falim.
Në këtë ditë madhështore, myslimani shkon në xhami i larë, i pastruar dhe i parfumuar, me qëllim që rrezatojë mirësi si shpirtërisht ashtu dhe fizikisht. Profeti a.s i urdhëronte njerëzit qaë kundërmojnë erë të keqe, që të mos vijnë në xhami, me qëllim që të mos i neverisin besimtarët e tjerë, si në rastin e atyre që kanë ngrënë hudhra apo qepë. Ai thoshte:”Kush ka ngrënë hudhër apo qepë, të mos i afrohet xhamisë!”
Këtë le ta kenë parasysh ata njerëz të cilët i rëndojnë të tjerët me aromën e rëndë të duhanit. Sipas hadithit të Profetit a.s, njerëz të tillë nuk kanë përse të shkojnë në xhami.
Ditën e xhuma, besimtari, përveçse lahet, pastrohet dhe parfumohet, vesh dhe rrobat më të mira që ka. Profeti Muhamed a.s kishte rroba të cilat i vishte vetëm për ditën e xhuma, për bajram dhe për takimin me delegacione të ndryshme. Ai donte që të shfaqej para njerëzve, në mënyrën më të hijshme.
“O ju besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë!”
 
Perktheu: Elmaz Fida

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit