Gjermania pezullon eksportet e armëve dhe pajisjeve ushtarake në Izrael
Kancelari gjerman Friedrich Merz njoftoi se ai dhe qeveria e tij do të ndalojnë të gjitha eksportet e armëve dhe pajisjeve ushtarake në Izrael që mund të përdoren në Rripin e Gazës.
Ky reagim është në përgjigje të njoftimit të Izraelit se do të pushtojë Qytetin e Gazës dhe të gjithë enklavën.
“Gjermania nuk do të miratojë eksportin e pajisjeve ushtarake në Izrael deri në njoftim të mëtejshëm nëse ekziston mundësia që ato të mund të përdoren në Gaza,” tha Merz pak çaste pasi u njoftuan planet e Izraelit.
Kancelari theksoi se është “gjithnjë e më e vështirë të kuptohet” se si strategjia ushtarake e Izraelit mund të kontribuojë në arritjen e qëllimeve legjitime. Ai shtoi se, duke pasur parasysh rrethanat aktuale, Gjermania nuk do të miratojë eksportin e pajisjeve ushtarake që mund të përdoren në Rripin e Gazës.
Edhe pse Gjermania është një nga aleatët më të ngushtë të Izraelit dhe ndër eksportuesit kryesorë të armëve te shteti sionist, ky vendim nuk vjen si surprizë. Të dhënat nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI) tregojnë se midis viteve 2020 dhe 2024, Shtetet e Bashkuara ishin furnizuesi kryesor i pajisjeve ushtarake të Izraelit, ndërsa Gjermania ishte menjëherë pas tyre.
Pavarësisht mbështetjes së gjatë, kancelari i ri gjerman Merz kohët e fundit ka shprehur pikëpamje gjithnjë e më të kujdesshme për shkak të situatës së vështirë humanitare në Gaza të shkaktuar nga operacioni ushtarak izraelit, kështu që kjo masë përfaqëson një vazhdim logjik të atij ndryshimi në ton. /tesheshi.com/
