Ky ishte Nebojsha Pavkoviç, i dënuar për krime lufte në Hagë
Ish-gjenerali i Ushtrisë Jugosllave, i dënuar për krime lufte në Hagë, ka vdekur në moshën 79 vjeç në Beograd.
Pavkoviç, si komandant i Armatës së 3-të të Ushtrisë Jugosllave, u dënua nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë (ICTY) me 22 vjet burg për krime kundër shqiptarëve në Kosovë në vitin 1999.
Ai po vuante dënimin e tij në një burg në Finlandë, nga ku, me kërkesë të qeverisë serbe, u lirua para kohe disa ditë më parë, më 28 shtator, për shkak të shëndetit të tij të dobët.
Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë në Hagë lëshoi një aktakuzë kundër Pavkoviçit dhe gjeneralëve të tjerë të Ushtrisë Jugosllave në prill të vitit 2005. Kur u lëshua aktakuza, Pavković u dorëzua vullnetarisht në gjykatën në Hagë për t’u gjykuar.
Në vitin 2009, ai u shpall fajtor për dëbime, zhvendosje me forcë të popullsisë, vrasje dhe persekutime të qytetarëve shqiptarë nga Kosova në gjysmën e parë të vitit 1999. Vendimi i shkallës së parë u konfirmua në vitin 2014.
Gjatë bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi në vitin 1999, Kosova i përkiste zonës së përgjegjësisë së Armatës së 3-të, komandanti i së cilës ishte Nebojsha Pavkoviç.
Pas rënies së regjimit të Millosheviçit dhe nga viti 2000 deri në vitin 2002, Pavkoviç shërbeu si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave. /tesheshi.com/
