24.4 C
Pristina
Monday, June 17, 2024

Unioni i Komoreve bëhet shteti i 9-të që shkëput lidhjet me Katarin

Më të lexuarat

Komoret i janë bashkuar vendeve, të cilat kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, ndërsa Xhibuti ka ulur nivelin e marrëdhënieve diplomatike me këtë vend…

Komoret i janë bashkuar vendeve, të cilat kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, ndërsa Xhibuti ka ulur nivelin e marrëdhënieve diplomatike me këtë vend.

Një vend ishullor në Afrikë, Komoret vendosën të ndjekin shembullin e Arabisë Saudite dhe Bahrejnit, të cilat e akuzojnë Katarin për financim të terrorizmit.

Siç raporton agjencia saudite e lajmeve, “SPA”, Ambasada e Katarit në Moroni, kryeqytet i Komoreve, është informuar të enjten për shkëputjen e marrëdhënieve diplomatike me këtë vend.

Kështu, Unioni i Komoreve është bërë shteti i 9-të që ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Dohën.

Ndërsa Xhibuti ka ulur nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Katarin.

Ministria e Punëve të Jashtme të Xhibutit njoftoi se ka ulur nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Katarin pas zhvillimeve të fundit në vendet e Gjirit.

Sipas komunikatës së Ministrisë, vendimi është marrë në shenjë mbështetjeje për koalicionin ndërkombëtar, i cili lufton kundër terrorizmit e dhunës ekstreme.

E njëjta komunikatë gjithashtu u bën thirrje palëve për zgjidhjen e problemeve me anë të dialogut.

Kurse Senegali ka vendosur që të tërheqë ambasadorin e tij nga Katari.

Përmes një deklarate me shkrim, Ministria e Jashtme senegaleze ka theksuar se ambasadori i Senegalit në Doha është thirrur që të kthehet në vend.

Në komunikatë, ku mes të tjerash vihet në pah se po ndiqen nga afër zhvillimet në rajonin e Gjirit pas vendimit të disa vendeve për të shkëputur marrëdhëniet diplomatike me Katarin, nënvizohet solidarizimi i Senegalit me Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejnin dhe Egjiptin.

Karvanit të shteteve, të cilat kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, u ishte bashkëngjitur më parë edhe Mauritania.

Sipas një lajmi të agjencisë zyrtare e lajmeve të Mauritanisë, “AMI”, marrëdhëniet diplomatike janë ndërprerë për shkak të insistimit të Katarit në vazhdimin e politikave aktuale.

“Republika Islame e Mauritanisë ka demonstruar përherë një qëndrim të fortë në lidhje me mbrojtjen e interesave arabe. Katari ka vepruar në kundërshtim me parimet e përbashkëta të arabëve, është përpjekur të përhapë trazira dhe konfuzion në vendet arabe, si dhe ka shkaktuar kriza humanitare”, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Jashtme të Mauritanisë, cituar nga i njëjti burim.

Arabia Saudite, Egjipti, Bahrejni, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jemeni, Libia dhe Maldivet shkëputën ditën e hënë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Katarin dhe mbyllën kufijtë detarë dhe ajrorë me këtë vend.

Menjëherë pas këtij vendimi, u bë e ditur se diplomatëve kataras iu njohën 48 orë dhe shtetasve të Katarit 14 ditë afat për t’u larguar nga territoret e këtyre vendeve; ndërkohë që iu dha fund rolit të Dohës në koalicionin ndërkombëtar nën drejtimin e Riadit kundër huthive të Jemenit.

Jordania, nga ana e saj vendosi që të ulë nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Katarin dhe të mbyllë zyrat lokale të kanalit televiziv, “Al Jazeera”.

Kurse Linjat Ajrore Mbretërore të Marokut (RAM) u dhanë fund fluturimeve me transit nga Doha drejt vendeve, të cilat kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Katarin.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit