Në një shoqëri ku mungon dija dhe frika nga Allahu, udhëheqja kthehet në sprovë të rrezikshme dhe në burim padrejtësie. Kur pushteti bie në duar të atyre që nuk kanë dituri, ndërgjegje e devotshmëri, ai nuk sjell dobi, por shkatërrim. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur t’i jepet përgjegjësia atij që nuk është i aftë, prite kijametin.” Transmeton Imam Buhariu.
Ky hadith është paralajmërim i qartë se udhëheqja nuk është nder për t’u kërkuar, por amanet për t’u mbajtur me frikë dhe përgjegjësi. Çdo udhëheqës do të qëndrojë para Allahut Ditën e Gjykimit për çdo vendim dhe padrejtësi që ka bërë.
Sot shohim shumë kandidatë për kryetarë komunash që kërkojnë pushtet me fjalë të mëdha, por pa dije fetare e pa ndjenjë amaneti. Ata e shohin postin si mjet ndikimi dhe përfitimi, jo si përgjegjësi; si privilegj, jo si shërbim ndaj popullit. Por njeriu që nuk ka frikë nga Allahu, që nuk dallon hallallin nga harami dhe që nuk e njeh drejtësinë, nuk mund të udhëheqë me drejtësi.
Udhëheqësi i vërtetë është ai që njeh fenë, që këshillohet me dijetarët, që është i përulur dhe që e di se çdo padrejtësi do ta rëndojë Ditën e Gjykimit. Ai udhëheq me drejtësi sepse e di se pushteti është sprovë e jo privilegj.
Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu ju urdhëron t’ua jepni amanetet atyre që janë të denjë për to.” (En-Nisa, 58), dhe gjithashtu: “Mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin, e as amanetet që u janë besuar, duke e ditur.” (El-Enfal, 27).
Në komunën tonë të Fushë-Kosovës, a ka vallë ndonjë që e kupton këtë amanet?
A ka dikush që udhëheq me frikë nga Allahu, me drejtësi dhe përulësi?
Udhëheqja nuk është mjet ndikimi dhe përfitimi, por përgjegjësi e shenjtë para Zotit. Ai që e merr këtë barrë pa dije dhe pa devotshmëri, do të mbajë mbi supe peshën e çdo padrejtësie që ka lejuar, dhe ajo peshë do ta ndjekë deri në Ditën e Gjykimit.
Hoxhë Fitim Gërguri
