17.5 C
Pristina
Thursday, May 2, 2024

Turqia me “Mburojën e Eufratit” goditi kasafortën e DEASH-it

Më të lexuarat

Në raport thuhet se të ardhurat vjetore të organizatës të cilat kanë qenë 1,9 miliardë dollarë për vitin 2014, kanë rënë në 870 milionë dollarë në fund të vitit 2016

ANKARA (AA) – Çlirimi i Jarabulusit nga DEASH-i dhe Operacioni “Mburoja e Eufratit” që Turqia ka kryer kundër organizatave terroriste nuk ka goditur vetëm veprimet e organizatës terroriste, por edhe burimet e të ardhurave të tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Raporti me temë “Pasuria dhe burimet e të ardhurave të DEASH-it” i përgatitur nga Qendra e Ndërkombëtare e Kërkimeve për Radikalizmin dhe dhunën Politike (ICSR) me qendër në Londër dhe kompania e konsulencës Ernst and Young (EY) ka zbuluar se si ofensiva” Mburoja e Eufratit” e nisur nga Turqia dhe çlirimi i Jarabulusit nga DEASH-i kanë “tharë” burimet e të ardhurave të organizatës.

Në raport thuhet se të ardhurat vjetore të organizatës të cilat kanë qenë 1,9 miliardë dollarë për vitin 2014, kanë rënë në 870 milionë dollarë në fund të vitit 2016.

Operacioni “Mburoja e Eufratit” 

Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) dhe Ushtria e Lirë Siriane (ULS) me Operacionin “Mburoja e Eufratit” që Turqia ka nisur kundër organizatave terroriste deri më sot kanë përparuar deri në 35.1 km brenda Sirisë nga kufiri i Turqisë. Që nga 24 gushti 2016 e deri tani është pastruar një territor më i madh se 1.920 km katrorë nga organizatat terroriste DEASH dhe PYD/PKK.

Ofensiva e nisur në drejtim të veriut të Sirisë me qëllim për të zmbrapsur kërcënimin nga organizatat terroriste kryesisht nga DEASH-i dhe për të mbështetur forcat e koalicionit, nga njëra anë teksa mundëson sigurinë kufitare të Turqisë, nga ana tjetër ka penguar në masë të madhe planin e PYD/PKK-së për të bashkuar rajonet nën pushtim në lindje dhe në perëndim të Lumit Eufrat.

Gjithashtu ofensiva ka mundësuar që DEASH-i të humbasë edhe burimet e të ardhurave të fituara nga plaçkitjet dhe grabitjet e popullatës lokale.

Burimet e të ardhurave të DEASH-it

Në raport theksohet se DEASH-i që cilësohet si “organizata më e pasur” pas shpalljes së të ashtuquajturit “kalifat” në vitin 2014, ka zhvilluar burimet e të ardhurave pas marrjes nën kontroll të Mosulit në qershor të vitit 2014.

Ndër të tjera tërhiqet vëmendja se DEASH-i ndryshe nga organizatat e tjera shfrytëzon burimet natyrore dhe të pasurive në territoret që ka nën kontroll dhe mbledh taksa nga popullata lokale.

Në raport theksohet se organizata terroriste burimet më të mëdha i përfiton nga territoret që merr nën kontroll duke mbledhur taksa, duke plaçkitur, duke konfiskuar pronat private, duke vendosur gjoba dhe duke përfituar nga burimet e naftës.

Pavarësisht se edhe veprimet si donacionet e huaja, shitja e veprave historike dhe pagesat për rrëmbimet e personit kontribuojnë sadopak në burimet financiare të DEASH-it, theksohet se burimet kryesore të të ardhurave të organizatës përfitohen duke shfrytëzuar në mënyra të ndryshme territoret që merr nën kontroll.

Ndër të tjera është vënë në dukje se si rezultat i humbjes së territoreve dhe aktivizimi i ndërhyrjes ndërkombëtare kundër DEASH-it, organizata terroriste ka pësuar humbje serioze të të ardhurave.

Çlirimi i Jarabulusit

DEASH-i mori një goditje të madhe në ndikimin e tij në rajon pasi Turqia me Operacionin “Mburoja e Eufratit” nxori në pah si forcë kryesore të operacionit popullatën lokale të Jarabulusit.

Forcat e Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS) të cilët përparuan deri në Jarabulus brenda disa orëve më 24 gusht, morën nga DEASH-i rajonin po brenda ditës. Si rezultat i çlirimit të Jarabulusit dhe mbështetjes logjistike dhe ushtarake ndaj opozitarëve të moderuar në Jarabulus deri tani janë kthyer afërsisht 45 mijë banorë.

Mbrojtja e rajonit nga banorët e Jarabulusit duke e çliruar qytetin e tyre nga DEASH-i bëri që organizatës ti ndërpriten të ardhurat që ajo përfitonte nëpërmjet taksave, zekatit, grabitjeve dhe plaçkitjeve.

Në raport tërhiqet vëmendja se të ardhurat që DEASH-i përfitonte nga paratë dhe taksat e mbledhura në emër të “zekatit” për vitin 2014 kanë qenë 400 deri në 800 milionë dollarë, dhe me fillimin e Operacionit “Mburoja e Eufratit” pasi DEASH-i humbi Jarabulusin një prej vendeve kyçe në Siri të ardhurat nga “zekati” u ulën nga 200 deri në 400 milionë dollarë.

Ndër të tjera në raport thuhet se të ardhurat e organizatës terroriste të përfituara me plaçkitjet në territoret e marra nën kontroll, konfiskimet dhe gjobat për vitin 2014 arrinin nga 500 milionë deri në 1 miliard dollarë, ndërsa kjo shifër me humbjen e territoreve nga DEASH-i për vitin 2016 ka shënuar rënie deri në 110 milionë dollarë.

Humbja territoriale e organizatës

Në raportin ku përfshihen edhe të dhënat e publikuara nga koalicioni ndërkombëtar kundër DEASH-it tërhiqet vëmendja se organizata terroriste që nga nëntori 2016 ka humbur 62 për qind të territoreve që kontrollon në Irak dhe 30 për qind të territorit që kontrollon në Siri.

Në raport theksohet se rëniet e të ardhurave si rezultat i humbjeve të territoreve të DEASH-it paraqiten në edhe në dokumentet e rrjedhura nga organizata.

Rënia e DEASH-it në Al Bab dhe Mosul 

Vihet në dukje se hapësira vepruese e organizatës do të ngushtohet dhe burimi i të ardhurave do të pakësohet edhe më shumë pasi popullata lokale të kthehet në rajonin Al Bab ashtu sikurse ndodhi edhe në Jarabulus pas pastrimit të DEASH-it nga rajoni nga forcat e ULS të mbështetura nga forcat e TSK.Gjithashtu në raport theksohet se edhe pas çlirimit të Mosulit i cili vërehet si “kryeqyteti i tregtisë” së DEASH-it burimet e të ardhurave të organizatës do të pësojnë një rënie të madhe.

DEASH mund të vazhdojë sulmet terroriste

Në raportin ku vihet në dukje se nuk ka asnjë shenjë që DEASH-i ka krijuar burime të reja për të rifituar të ardhurat e rëna si pasojë e humbjeve të territoreve, thuhet se do të shkatërrohet së shpejti “modeli ekonomik” i organizatës terroriste.

Humbja serioze e të ardhurave të organizatës nuk do ta pengojë që ajo të vazhdojë sulme e saj terroriste jashtë territoreve që ka nën kontroll, thuhet ndër të tjera në raport.

Duke u tërhequr vëmendja se DEASH-i mund të kryejnë sulme terroriste me kosto relativisht të ulët, në raport paralajmërohet se organizata mund të kryejë sulme terroriste duke kaluar në veprim edhe agresorët me “telekomandë” dhe “ujqit e vetmuar”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit