Ndër të tjera në letrën ku theksohet se përdorimi i lëndëve kimike helmuese përbën krim lufte dhe kundër njerëzimit, vihet në dukje se kjo është shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe e marrëveshjes për armët kimike
OKB (AA) – Turqia në lidhje me sulmin me armë kimike të kryer nga regjimi i Astadit në rajonin Han Shejhun, në qytetin Idlib të Sirisë, i ka dërguar një letër Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe ka kërkuar ndëshkimin e regjimit të Asadit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në letrën e përfaqësuesit të përhershëm të Turqisë në OKB, Feridun Sinirlioğlu, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-ve, Antonio Guterres, dhe kryetares për muajin prill të Këshillit të Sigurimit të OKB-ve, përfaqësueses së përhershme të SHBA-ve në OKB, Nikki Haley, theksohet se sulmi në Han Shejhun tregon se regjimi vazhdon të përdorë armë kimike dhe se shkel vendimet e OKB-së.
Ndër të tjera në letrën ku theksohet se përdorimi i lëndëve kimike helmuese përbën krim lufte dhe kundër njerëzimit, vihet në dukje se kjo është shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe e marrëveshjes për armët kimike.
Gjithashtu në letër thuhet se regjimi i Asadit ka përdorur shumë herë armë kimike kryesisht në rajonin Guta Lindore, ku dhe sulmi i fundit vërteton se regjimi ka përdorur gaz sarin ashtu si në Gutën Lindore.
“Rekordet e këqija të regjimit janë të dokumentuara”
“Kështu në këtë mënyrë me përdorimin e kimikateve helmuese janë dokumentuar edhe rekordet e këqija të regjimit sirian”, thuhet në letrën ku rikujtohet se përdorimi i armëve kimike nga regjimi i Asadit është konstatuar edhe në raportet e mëparshme të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) dhe të Misionit të OKB-së për Hetimin e Përbashkët (JIM).
Në letrën ku theksohet se regjimi ka përdorur armë kimike edhe më 20 dhe 30 mars, thuhet se këto lloj sulmesh do të vazhdojnë pa u pakësuar për sa kohë që nuk ndëshkohen ata që përdorin në mënyrë sistematike këto armë.
“Përdorimi i armëve kimike nuk mund të lejohet më shumë që të vazhdojë duke u përjashtuar nga ndëshkimi. Regjimi i cili në duart e tij ka gjakun e popullit të Sirisë duhet të përgjigjet. Krimet e regjimit nuk duhet të mbesin pa u ndëshkuar. Ne i bëjmë thirrje KS-OKB-së, palëve të interesuara dhe kryesisht atyre që kanë ndikim mbi regjimit që duke zbatuar përgjegjësitë morale, njerëzore dhe ligjore të sigurojë përfundimin e këtyre sulmeve mizore.”
