Këto dy foto kanë një gjë të përbashkët; janë të dyja të sponsorizuara nga Izraeli. Në të parën janë një grup deputetësh nga Kuvendi i Shqipërisë, në të dytën një grup gazetarësh nga Shqipëria dhe Kosova.
Do thoni ju si janë bërë bashkë për të vizituar Izraelin? Me ftesë të Izraelit dhe me udhëtim të paguar nga ky shtet gjenocidal. Ftesa dhe oferta për të shkuar në Izrael u është bërë disa medieve në Shqipëri, çdo shpenzim i paguar. Kushti? Duhen bërë “lajme” pozitive për Izraelin, e shprehur qartësisht si “këshillë” për ata që do të shkonin.
Kësaj çorbe i janë bashkuar deputetë, që mesa duket paskan nevojë për një udhëtim në Izrael, për të treguar “solidaritet” me një shtet fashist. I zhgënjyer vetëm me Erald Kaprin në këtë foto.
Gazetarët në këtë rast janë shndërruar në mjet propagande, se kush të paguan udhëtimin, të dikton edhe narrativën e asaj që do të “raportosh”. E gjitha ka qenë një operacioni PR-i i shteti Izraelit, i cili nga njëra anë kryen gjenocid në Gaza dhe nga ana tjetër kujdeset që gjakun e tmerret t’i lajë më fushata të tilla bajate.
Në profilin e secilit prej këtyre gazetarëve apo në mediet ku ata punojnë do të shihni “lajme” për Izraelin, zhvillimin atje, apo për dhimbjen e madhe që po kalojnë. Disa më të zellshëm se të tjerë. Ama, asnjë fjalë për gjenocidin në Gaza gjatë kësaj vizite.
Si gazetarë, nuk e di në e kanë pyetur veten “pse në Izrael sponsorizohen udhëtimet e gazetarëve, ndërsa në Gaza ata nuk lejohen as të futën?” Gazetarët lejohen të raportojnë edhe nga zonat e luftës, por vetëm kur bëhet fjalë për vrasje fëmijësh dhe civilësh nga Izraeli, raportimi ndalohet, ashtu sikurse janë ndaluar ushqimet dhe gjërat më bazike, përmbi një gjenocidi të pamëshirshëm nga një shtet dhe një ushtri çnjerëzore, që shpërfill ligjet dhe konventat ndërkombëtare.
Madje kanë shkruar në një shënim të firmosur se paskan parë me sytë e tyre tragjedinë që ka ndodhur aty dhe se janë në solidaritet më popullin e Izraelit. Një solidaritet i sponsorizuar duhet thënë, se nëse do të ishte real, solidariteti do të niste me popullin e Palestinës fillimisht, por mesa duket, duhet edhe ata të fillojnë të sponsorizojnë udhëtime si ky, sigurisht, nëse i lë gjallë Izraelit deri atëherë.
Të bëhesh palë me këtë propagandë, jo vetëm të shpifur, por edhe makabër, kur Izraeli ka shkatërruar gjithë Gazën, ka vrarë fëmijë dhe civilë, e po mundohet të zhdukë ditën për diell një komb të tërë përmes një spastrimi të pastër, është t’i shërbesh të keqes me dëshirë.
Bëni sa të doni video dhe lajme të sponsorizuara, gjenocidi i Izraelit mbi Palestinezët nuk mund të fshihet, as mbulohet me propagandë; është një fakt dhe një gur i rëndë mbi secilin që ka sadopak ndërgjegje njerëzore!
– Nga Andi Kurti, Gazetar i Ora News
