20.6 C
Pristina
Wednesday, May 1, 2024

TIKA ndihmon fermerët e komunës së Mitrovicës

Më të lexuarat

Me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) sot në komunën e Mitrovicës u organizua shpërndarja e makinerive bujqësore në kuadër të projektit “Përkrahja e Fermerëve të Mitrovicës me Makineri Bujqësore”, raporton AA.

Në aktivitetin për shpërndarjen e makinerive morën pjesë Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kıvılcım Kılıç, nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, koordinatori i TIKA-s për Kosovën, Necip Özay Özütok, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Komunës së Mitrovicës, Nasuf Aliu si dhe fermerët e kësaj komune.

Me këtë rast, në një prononcim për media Kılıç tha se Kosova është një shtet që zë një vend special në zemrën e turqve, duke theksuar se Turqia do të vazhdojë ta mbështes Kosovën në fusha të ndryshme, sidomos zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit, sipas saj, në mënyrë që ky vend të arrijë në një të ardhme të ndritur.

“Sot këtu po zhvillohet një projekt i bujqësisë dhe po shpërndahen makinat bujqësore tek fermerët kosovarë. Shpresojmë që ky projekt të kontribuojë në zhvillimin e bujqësisë së komunës së Mitrovicës. Ky nuk është projekti i parë që TIKA zhvillon këtu, edhe vitin e kaluar ka zhvilluar një projekt të rëndësishëm për prodhuesit e qumështit dhe ne sot këtu pamë që edhe ky projekt ka sjellur dobi dhe i ka bërë të lumtur familjarët”, tha Kılıç.

Kurse drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Mitrovicës, Nasuf Aliu tha se Mitrovica ka nevojë shumë për projekte të tilla. Duke theksuar se TIKA ka qenë institucioni i parë që kanë vizituar në vitin 2015 për të kërkuar mbështetje, Aliu tha se kjo agjenci i ka mirëpritur dhe ka mbështetur edhe 50 fermerë në projektin e vitit të kaluar.

“Sivjet përsëri kemi ofruar edhe disa projekte tjera dhe sot jemi në një rast shumë të mirë ku 27 fermerë i kemi përfitues direkt me mekanizëm bujqësor, që do t’i forcojë ekonomitë e tyre familjare, të lehtësojë punën dhe do të jenë vegël e lehtë edhe për banorët përreth tyre. Ne po shpresojmë që projektet e ngjashme të vazhdojnë edhe në vazhdimësi”, tha Aliu.

Sali Kalludra, fermer nga Mitrovica duke falënderuar agjencinë TIKA për ndihmën e dhënë deri më tani për fermerët e Mitrovicës, shprehu besimin se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen. “Falënderoj shumë TIKA-n për këto ndihma që na i ka dhënë, e falënderoj në përgjithësi Turqinë si dhe presidentin Erdogan që çdo herë ka ndihmuar popullin shqiptar”, tha Kalludra.

Ambasadorja Kılıç dhe koordinatori Özütok po ashtu zhvilluan një vizitë në Komunën e Mitrovicës, ku u takuan me përfaqësuesit e kësaj komune.

Në kuadër të këtij projekti, TIKA ka dhuruar për 27 fermerë të Kosovës 4 makina për mbjelljen e misrit, 4 për mbjelljen e patates, 6 freza, 4 kositëse të barit, 5 spërkatëse dhe katër mbledhëse të barit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit