Thirrja Islame: Nevojë ontologjike dhe mobilizim emergjent në epokën e nihilizmit – Hoxhë Bekir Halimi

Më të lexuarat

Thirrja Islame: Nevojë Ontologjike dhe Mobilizim Emergjent në Epokën e Nihilizmit

  1. Kriza Globale: Një Botë në Prag të Vetëshkatërrimit

Sot, bota gjendet në një paradoks tragjik: ndonëse ka arritur kulmin e zhvillimit teknologjik, ajo po përjeton dështimin më të thellë moral dhe shpirtëror. Largimi i njeriut nga udhëzimi hyjnor ka prodhuar një vakum ekzistencial, i cili po mbushet me dukuri që po rrënojnë indin njerëzor.

Statistikat globale pasqyrojnë një realitet të zymtë:

  • Substancat Abuzive: Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), mbi 3 milionë njerëz vdesin çdo vit nga konsumimi i tepërt i alkoolit, ndërsa vdekjet nga mbidoza e drogës janë rritur me ritme alarmante, duke shkatërruar miliona familje.
  • Kriza e Familjes dhe Divorci: Shkalla e divorcit në shumë vende perëndimore kalon 50%. Pasojat më të rënda i bartin fëmijët; studimet tregojnë se fëmijët e divorcit kanë probabilitet më të lartë për të pasur dështime akademike, depresion dhe vështirësi në krijimin e raporteve të qëndrueshme.
  • Industria e Kumarit: Bastoret dhe bixhozi janë shndërruar në një “taksë mbi të varfrit”, ku humben miliarda dollarë çdo vit, duke prodhuar krizë financiare dhe rritje të shkallës së vetëvrasjeve.
  1. Shoqëria Shqiptare: Mes Sfidave të Tranzicionit dhe Rrezikut Moral

Bota shqiptare, si pjesë e këtij globaliteti, po përballet me këto sfida në mënyrë akoma më agresive për shkak të tranzicionit të gjatë dhe dobësimit të strukturave tradicionale të moralit.

  • Plaga e Aborteve: Në hapësirat tona, statistikat e aborteve mbeten shqetësuese. Aborti nuk po përdoret vetëm si procedurë mjekësore, por si mjet për të “korrigjuar” pasojat e një jete pa përgjegjësi morale, duke shkaktuar një krizë demografike dhe vrasje të potencialit jetësor.
  • Dhuna dhe Kriminaliteti: Rrahjet, vrasjet për motive banale dhe konfliktet e armatosura janë tregues të mungesës së “takuas” (frikës ndaj Zotit). Kur njeriu humb lidhjen me Krijuesin, jeta e tjetrit zhvlerësohet.
  • Vobektësia dhe mungesa e strehës: Derisa shpenzohen shuma marramendëse në luks dhe vese, mijëra fëmijë shqiptarë jetojnë në shtëpi të rrënuara apo pa asnjë strehë, si pasojë e një sistemi që nuk promovon solidaritetin zekator.

III. Thirrja Islame si Imperativ dhe Mision Shpëtimi

Në këtë kontekst, thirrja islame (da’wah) nuk është thjesht një obligim fetar ritual, por një mision shpëtimi civilizues. Bota, dhe veçanërisht trojet tona, kanë nevojë për:

  1. Rikthimin e Autoriteti Moral: Islamit i takon të risjellë konceptin e llogaridhënies para Zotit, që është barriera e vetme e vërtetë kundër krimit dhe veseve.
  2. Mbrojtjen e Familjes: Islami e sheh familjen si kështjellë. Thirrja duhet të fokusohet në edukimin e brezave për vlerën e martesës dhe përgjegjësinë ndaj fëmijëve.
  3. Luftën kundër Varësisë: Ndalimi i alkoolit, bixhozit dhe drogës në Islam nuk është privim, por çlirim i njeriut nga skllavëria e pasioneve shkatërruese.
  1. Thirrje për Mobilizim të Përgjithshëm

Mobilizimi në këtë drejtim është detyrë e secilit prej nesh. Nuk mjafton të jemi besimtarë pasivë; ne duhet të jemi aktivistë të moralit.

  • Përgjegjësia Intelektuale: Intelektualët, hoxhallarët dhe edukatorët duhet të unifikojnë diskursin e tyre për të mbrojtur rininë nga bastoret dhe rruga e krimit.
  • Përgjegjësia Shoqërore: Secili shqiptar duhet të bëhet një “shembull i gjallë” i Islamit. Njerëzit nuk udhëzohen vetëm nga fjalët, por nga sjellja jonë, nga drejtësia jonë dhe nga ndihma që u japim të varfërve.
  • Urgjenca e Kohës: Çdo ditë vonese në këtë mobilizim do të thotë më shumë familje të shkatërruara, më shumë fëmijë jetimë të gjallë (viktima të divorcit) dhe më shumë gjak të derdhur pa të drejtë.

Përfundim:

Bota po lëngon nga mungesa e shpirtërores. Thirrja islame është ilaçi i vetëm që mund të shërojë këto plaga sociale. Na takon neve të jemi bartësit e kësaj drite, që ta kthejmë shoqërinë tonë nga rruga e humbjes drejt rrugës së shpëtimit dhe dinjitetit njerëzor. Allahu e ndihmon atë popull që angazhohet për të ndryshuar gjendjen e tij drejt së mirës.

Hapa në Rrugën e Thirrjes (Davetit)

Koncepti i Thirrjes tek Allahu dhe Gjykimi i saj Juridik

Thirrja tek Allahu konsiston në ftesën për të besuar në Të, në vërtetimin e mesazhit me të cilin erdhi Zotëria i krijesave dhe i të dërguarve, si dhe në veprimin sipas asaj që përmban ky mesazh prej adhurimeve, bindjeve dhe shmangies së mëkateve e të dënueshmeve që ai ndaloi. Rrjedhimisht, thirrja tek Allahu është e pandashme nga nxitja për kryerjen e veprave të mira dhe braktisjen e punëve të mbrapshta. Ajo lidhet me fusha të ndryshme të jetës së besimtarit dhe marrëdhëniet e tij me mjedisin rrethues. Thirrja tek Allahu është mesazhi i Islamit dhe Sheriati i tij, i cili nuk ndikohet nga koha apo vendi; ajo është nder për ata që e ushtrojnë, qofshin dijetarë apo thirrës.

Allahu i Lartësuar ka thënë në Librin e Tij:

{إِنَّ الدِّينَ عِنْدَ اللَّهِ الْإِسْلَامُ}

“Vërtet, feja tek Allahu është Islami.” [Ali Imran: 19]

Thirrja tek Allahu është një obligim kolektiv (fard kifaje) për muslimanët. Ajo është e detyrueshme për këdo që zotëron dije dhe aftësi për të përcjellë mesazhin, veçanërisht nëse në një zonë të caktuar nuk ka dikë tjetër që merret me këtë çështje. Ajo nuk kufizohet vetëm te thirrësit zyrtarë; çdokush që ka mundësi të kontribuojë, duhet ta bëjë këtë.

Allahu i Lartësuar thotë:

{وَمَنْ أَحْسَنُ قَوْلًا مِّمَّن دَعَا إِلَى اللَّهِ وَعَمِلَ صَالِحًا وَقَالَ إِنَّنِي مِنَ الْمُسْلِمِينَ}

“E kush ka fjalën më të mirë se ai që thërret tek Allahu, bën vepra të mira dhe thotë: ‘Unë jam prej muslimanëve’?” [Fussilet: 33]

Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja konsiderohen forma të thirrjes tek Allahu. 

I Lartësuari thotë:

{وَالْمُؤْمِنُونَ وَالْمُؤْمِنَاتُ بَعْضُهُمْ أَوْلِيَاء بَعْضٍ يَأْمُرُونَ بِالْمَعْرُوفِ وَيَنْهَوْنَ عَنِ الْمُنكَرِ}

“Besimtarët dhe besimtaret janë mbrojtës të njëri-tjetrit, urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë nga e keqja.” [Et-Teube: 71]

Thirrja është një formë e bashkëpunimit në mirësi dhe devotshmëri, për të cilën Allahu ka urdhëruar:

{وَتَعَاوَنُوا عَلَى الْبِرِّ وَالتَّقْوَىٰ ۖ وَلَا تَعَاوَنُوا عَلَى الْإِثْمِ وَالْعُدْوَانِ}

“Bashkëpunoni në mirësi dhe devotshmëri, dhe mos bashkëpunoni në mëkate dhe armiqësi.” [El-Maide: 2]

Pejgamberi ﷺ na ka nxitur për këtë duke thënë:

«بَلِّغُوا عَنِّي وَلَوْ آيَةً»

“Përcillni prej meje qoftë edhe një ajet.” [Buhariu, nr. 3461]

Gjithashtu ka thënë:

«مَنْ سُئِلَ عَنْ عِلْمٍ فَكَتَمَهُ، أَلْجَمَهُ اللَّهُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ بِلِجَامٍ مِنْ نَارٍ»

“Kushdo që pyetet për një dije e pastaj e fsheh atë, Allahu do t’i vërë një fre zjarri në Ditën e Kiametit.” [Ebu Davudi, nr. 3658 dhe Tirmidhiu, nr. 2649]

Ai sqaroi edhe rrezikun e plogështisë ndaj thirrjes:

«إِنَّ النَّاسَ إِذَا رَأَوْا الظَّالِمَ فَلَمْ يَأْخُذُوا عَلَى يَدَيْهِ أَوْشَكَ أَنْ يَعُمَّهُمُ اللَّهُ بِعِقَابٍ مِنْهُ»

“Vërtet, nëse njerëzit e shohin shtypësin dhe nuk ia kapin duart (nuk e ndalojnë), rrezikohen që Allahu t’i përfshijë të gjithë me një dënim prej Tij.” [Ebu Davudi, nr. 4338 dhe Tirmidhiu, nr. 2168]

Objektivat e Thirrjes tek Allahu

Thirrja tek Allahu radhitet ndër veprat më fisnike, për të cilat Allahu zgjedh nga robërit e Tij të dërguarit dhe njerëzit e mirë. Ajo erdhi për të udhëzuar njerëzit drejt rrugës së besimit dhe shpëtimit në këtë botë dhe në Ahiret. Një nga objektivat kryesorë është përhapja e Islamit në nivel global, në përputhje me fjalën e Allahut:

{وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلَّا كَافَّةً لِلنَّاسِ بَشِيرًا وَنَذِيرًا وَلَٰكِنَّ أَكْرَمَ الناسِ لَا يَعْلَمُونَ}

“Ne nuk të dërguam ty ndryshe, vetëm se për të gjithë njerëzit, përgëzues dhe paralajmërues, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” [Sebe: 28]

Bazat (Usuli) e Thirrjes tek Allahu

Allahu i besoi Profetëve përcjelljen e thirrjes. Pejgamberi ﷺ i sqaroi bazat e thirrjes në porosinë e tij drejtuar Muadh bin Xhebelit (radijallahu anhu) kur e dërgoi në Jemen:

«فَلْيَكُنْ أَوَّلَ مَا تَدْعُوهُمْ إِلَيْهِ شَهَادَةُ أَنْ لاَ إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ وَأَنَّ مُحَمَّدًا رَسُولُ اللَّهِ، فَإِنْ هُمْ أَجَابُوا لِذَلِكَ فَأَعْلِمْهُمْ أَنَّ اللَّهَ افْتَرَضَ عَلَيْهِمْ خَمْسَ صَلَوَاتٍ فِي كُلِّ يَوْمٍ وَلَيْلَةٍ، فَإِنْ هُمْ أَجَابُوا لِذَلِكَ فَأَعْلِمْهُمْ أَنَّ اللَّهَ افْتَرَضَ عَلَيْهِمْ صَدَقَةً فِي أَمْوَالِهِمْ تُؤْخَذُ مِنْ أَغْنِيَائِهِمْ وَتُرَدُّ عَلَى فُقَرَائِهِمْ»

“Le të jetë gjëja e parë në të cilën i thërret dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij. Nëse të binden për këtë, njoftoji se Allahu u ka bërë obligim pesë namaze gjatë ditës dhe natës. Nëse të binden për këtë, njoftoji se Allahu u ka bërë obligim lëmoshën (zekatin) nga pasuria e tyre, që merret nga të pasurit e tyre dhe u jepet të varfërve të tyre.” [Buhariu, nr. 1395 dhe Muslimi, nr. 19]

Kush është Thirrësi (Daiu) dhe roli i tij?

Thirrësi tek Allahu është çdo person i ngarkuar fetarisht (mukelef) me përcjelljen e mesazhit.

Pejgamberi ﷺ ka thënë:

«مَنْ دَعَا إِلَى هُدًى كَانَ لَهُ مِنَ الأَجْرِ مِثْلُ أُجُورِ مَنْ تَبِعَهُ، لاَ يَنْقُصُ ذَلِكَ مِنْ أُجُورِهِمْ شَيْئًا»

“Kushdo që thërret në një udhëzim, do të ketë shpërblim të barabartë me shpërblimet e atyre që e pasojnë atë, pa iu pakësuar asgjë nga shpërblimet e tyre.” [Muslimi, nr. 2674]

Kushtet e Thirrjes tek Allahu

Që thirrja të ngrihet mbi baza të forta, thirrësi duhet të plotësojë këto kushte:

  1. Dija e mjaftueshme (El-Ilm): Të ketë dritë (besirah) mbi atë që thërret.
  2. Urtësia (El-Hikmeh): Allahu i Lartësuar thotë:

{ادْعُ إِلَىٰ سَبِيلِ رَبِّكَ بِالْحِكْمَةِ وَالْمَوْعِظَةِ الْحَسَنَةِ}

“Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të mirë.” [En-Nehl: 125]

  1. Durimi (Es-Sabr): Përballja me vështirësitë në rrugën e thirrjes. Përballje me kundërshtarët, me ofertat joshëse, me presionit edhe përshpjetimin e procesit.
  2. Sjellja korrekte (El-Kudve): ofrimi i modelit islam me vepra krahas fjalëve të mira që i thotë për Islamin edhe rreth Islamit.

Allahu i Lartësuar thotë:

{أَتَأْمُرُونَ النَّاسَ بِالْبِرِّ وَتَنسَوْنَ أَنفُسَكُمْ}

“A i urdhëroni njerëzit për mirësi, e harroni veten tuaj?” [El-Bekare: 44]

 

Roli i Sahabëve (radijallahu anhu) në përcjelljen e Mesazhit dhe Thirrjen tek Allahu

Nuk është sekret për askënd pozita e thirrjes (da’wah) tek Allahu dhe rëndësia e saj në fenë tonë. Allahu e ka lartësuar pozitën e atyre që ngrihen për thirrje dhe i ka bërë ata krijesat më të mira dhe me pozitën më të lartë mes njerëzve. I Plotfuqishmi ka thënë në Librin e Tij:

{وَمَنْ أَحْسَنُ قَوْلًا مِمَّنْ دَعَا إِلَى اللَّهِ وَعَمِلَ صَالِحًا وَقَالَ إِنَّنِي مِنَ الْمُسْلِمِينَ}

“E kush ka fjalën më të mirë se ai që thërret tek Allahu, bën vepra të mira dhe thotë: ‘Unë jam prej muslimanëve’?” [Fussilet: 33]

Për shkak të madhështisë së këtij kuptimi dhe vlerës së lartë të tij, Allahu zgjodhi nga robërit e Tij më të ndershmit për ta kryer atë, e ata janë Profetët (paqja qoftë mbi ta), i fundit i të cilëve ishte i dërguari dhe i dashuri ynë, Muhamedi ﷺ.

Meqenëse mesazhi i Pejgamberit ﷺ ishte për të gjithë njerëzit, roli i shokëve të tij në mbartjen e mesazhit të tij ishte më i madhi dhe më i rëndësishmi. Pas vdekjes së Pejgamberit ﷺ, sahabët e tij të nderuar morën mbi supe rolin e thirrjes tek Allahu, mbartjen e mesazhit të së vërtetës dhe përhapjen e tij në të gjitha kombet dhe vendet. Ata (Allahu qoftë i kënaqur me ta) ishin njerëzit më të mirë që mbartën amanetin dhe e përmbushën atë me hakin e tij.

Thirrja tek Allahu ishte motori mbi të cilin ngrihej jeta e sahabëve; nuk gjeje asnjë prej tyre veçse si një thirrës që mbartte mesazhin. Si të mos ishte kështu, kur ata u edukuan në duart e mësuesit dhe edukatorit më të ndershëm në të gjithë historinë?! Sahabët e dinin me bindje shpërblimin dhe sevapin e madh që fitonin nga thirrja tek Allahu, dhe se me thirrjen e tyre ndaj kombeve dhe fiseve, ata po përmbushnin mesazhin më të madh në Islam.

Ebu Hurejre, radijallahu anhu, na rrëfen nga Pejgamberi ﷺ:

«مَنْ دَعَا إِلَى هَدْيٍ كَانَ لَهُ مِنَ الْأَجْرِ مِثْلُ أُجُورِ مَنْ تَبِعَهُ لَا يَنْقُصُ ذَلِكَ مِنْ أُجُورِهِمْ شَيْئًا، وَمَنْ دَعَا إِلَى ضَلَالَةٍ كَانَ عَلَيْهِ مِنَ الْإِثْمِ مِثْلُ آثَامِ مَنْ تَبِعَهُ لَا يَنْقُصُ ذَلِكَ مَنْ آثَامِهِمْ شَيْئا»

“Kushdo që thërret në një udhëzim, do të ketë shpërblim të barabartë me shpërblimet e atyre që e pasojnë atë, pa iu pakësuar asgjë nga shpërblimet e tyre. Dhe kushdo që thërret në humbje (devijim), do të ketë mëkat të barabartë me mëkatet e atyre që e pasojnë atë, pa iu pakësuar asgjë nga mëkatet e tyre.” [Muslimi]

Allahu i Lartësuar ka thënë për sahabët e nderuar:

{كُنْتُمْ خَيْرَ أُمَّةٍ أُخْرِجَتْ لِلنَّاسِ تَأْمُرُونَ بِالْمَعْرُوفِ وَتَنْهَوْنَ عَنِ الْمُنكَرِ وَتُؤْمِنُونَ بِاللَّهِ}

“Ju jeni populli më i mirë i nxjerrë për njerëzimin; urdhëroni për të mirë, ndaloni nga e keqja dhe besoni Allahun.” [Ali Imran: 110]

Allahu i lavdëroi ata në Kuranin Fisnik për përkushtimin e tyre në thirrjen tek Allahu përmes urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja. Përmes leximit të biografisë (sirah), shohim rolin e tyre gjigant në mbartjen e mesazhit dhe përhapjen e thirrjes tek Allahu, qoftë gjatë jetës së të Dërguarit, qoftë pas vdekjes së tij ﷺ. Gjatë jetës së tij, ata ishin mbështetja dhe ndihma më e mirë për të në mbartjen dhe përcjelljen e mesazhit tek njerëzit, duke mbrojtur thirrjen dhe Pejgamberin ﷺ përmes xhihadit ose përmes dërgimit të tyre në vende të ndryshme për të udhëzuar njerëzit. Allahu dërgoi sahabë tek mbretërit dhe popujt brenda dhe jashtë Gadishullit Arabik për t’u përcjellë mesazhin e Pejgamberit dhe për t’i ftuar në Islam. Ja ku janë sahabët si Dehje el-Kelbi që u dërgua te Romakët, Abdullah es-Sehmi në Persi, Hatib bin Ebi Belte’ah në Egjipt e të tjerë, të cilët nuk u kursyen për asnjë moment të jetës së tyre në shërbim të kësaj feje dhe thirrjes në të.

Sahabët (radijallahu anhu) e mbartën amanetin e thirrjes dhe përcjelljes së mesazhit tek kombet dhe popujt pas vdekjes së Pejgamberit ﷺ, dhe ishin mbartësit më të mirë. Ata emigruan nëpër vende, lanë shtëpitë e tyre dhe duruan vështirësitë dhe mundimet në rrugën e përcjelljes së mesazhit dhe thirrjes në fenë e Allahut. Historia nuk përmend asnjë nga sahabët që të ketë neglizhuar në përcjelljen e mesazhit; përkundrazi, shohim përkushtimin e tyre të skajshëm ndaj këtij amaneti. Kjo shfaqet qartë: në Haxhin e Lamtumirës morën pjesë rreth 100 mijë sahabë, ndërkohë që sahabët e varrosur në Medine nuk i kalojnë 10 mijë. Kjo tregon shkallën e interesimit të tyre për këtë amanet të madh. Allahu i Madhëruar ka thënë për ta:

{وَالَّذِينَ آمَنُوا وَهَاجَرُوا وَجَاهَدُوا فِي سَبِيلِ اللَّهِ وَالَّذِينَ آوَوا وَنَصَرُوا أُوْلَئِكَ هُمُ الْمُؤْمِنُونَ حَقًّا لَهُمْ مَغْفِرَةٌ وَرِزْقٌ كَرِيمٌ}

“Ata që besuan, emigruan dhe luftuan në rrugën e Allahut, si dhe ata që i strehuan dhe i ndihmuan – ata janë besimtarët e vërtetë. Për ta ka falje dhe furnizim bujar.” [El-Enfal: 74]

Emigrimi i sahabëve nëpër vende për të udhëzuar njerëzit drejt së vërtetës ishte një dritë që ndriçoi tokën pasi e kishin mbuluar errësirat e injorancës dhe kufrit. Sahabët në emigrimin dhe thirrjen e tyre ishin si yjet që ndriçojnë tokën. Ata ishin thirrës, udhëheqës dhe udhërrëfyes; i çliruan njerëzit nga padrejtësia e kufrit dhe u ndriçuan rrugën e udhëzimit dhe Islamit.

Sahabët nuk u lodhën kurrë dhe vullneti i tyre nuk u thye në rrugën e thirrjes. Ata hoqën nga vetja çdo mbulesë që i pengonte nga kryerja e misionit të tyre fisnik dhe rolit madhështor në historinë njerëzore. U armatosën me vullnet të fortë për të mbartur barrët e thirrjes tek Allahu. Nuk u dobësuan dhe nuk u përkulën, por plotësuan rrugën që nisi udhëheqësi dhe mësuesi i tyre i parë, Muhamedi ﷺ. Allahu i ishte drejtuar Pejgamberit ﷺ për të forcuar vullnetin e tij në mbartjen e barrës së thirrjes:

{يَا أَيُّهَا الْمُدَّثِّرُ * قُمْ فَأَنذِرْ * وَرَبَّكَ فَكَبِّر * وَثِيَابَكَ فَطَهِّرْ}

“O ti i mbuluar! Ngrihu dhe paralajmëro! Zotin tënd madhëroje! Dhe rrobat e tua pastroji!” [El-Mudethir: 1-4]

Sahabët e kuptuan mirë këtë fjalim dhe u armatosën me të për të përcjellë mesazhin te popujt e tokës. Dobitë që morën vendet nuk ishin vetëm fetare; emigrimi i sahabëve mbante me vete çdo mirësi. Ata themeluan qytetërime, arritjet e të cilëve i dëshmon historia, si qytetërimi i Andaluzisë. Popujt e ndryshëm ndjenë madhështinë e kësaj feje nga sjellja e tyre, ku gjetën zbatimin e parimeve si: barazia, liria, siguria dhe drejtësia. Këto moraletë larta nuk i gjejmë as në shoqëritë më të përparuara të ditëve tona.

Qëllimi i tyre nuk ishte fitimi i pasurisë apo pushtetit, por përhapja e fesë dhe udhëzimi i njerëzve. Drejtësia e Islamit barazonte njerëzit pa dallim race apo gjinie në të drejta dhe detyra. Pejgamberi ﷺ ka thënë për ta:

«إِنَّ اللَّهَ نَظَرَ فِي قُلُوبِ الْعِبَادِ فَوَجَدَ قَلْبَ مُحَمَّدٍ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ خَيْرَ قُلُوبِ الْعِبَادِ فَاصْطَفَاهُ لِنَفْسِهِ فَابْتَعَثَهُ بِرِسَالَتِهِ؛ ثُمَّ نَظَرَ فِي قُلُوبِ الْعِبَادِ بَعْدَ قَلْبِ مُحَمَّدٍ فَوَجَدَ قُلُوبَ أَصْحَابِهِ خَيْرَ قُلُوبِ الْعِبَادِ فَجَعَلَهُمْ وُزَرَاءَ نَبِيِّهِ يُقَاتِلُونَ عَلَى دِينِهِ…»

“Vërtet Allahu shikoi në zemrat e robërve dhe gjeti zemrën e Muhamedit ﷺ si më të mirën, andaj e zgjodhi për Veten dhe e dërgoi me mesazhin e Tij. Pastaj shikoi në zemrat e robërve pas zemrës së Muhamedit dhe gjeti zemrat e shokëve të tij si më të mirat, andaj i bëri ata ndihmës (ministra) të Pejgamberit të Tij…” [Ahmedi]

Këshilla për thirrësit (nga jeta e sahabëve):

  1. Qartësia e qëllimit dhe besimi i vërtetë në rëndësinë e kësaj pune.
  2. Sinqeriteti (Ikhlasi) për Allahun, pa synuar famë, pasuri apo pushtet.
  3. Gatishmëria për sakrificë dhe durimi ndaj sfidave.
  4. Bashkëpunimi mes thirrësve për të zhvilluar punën davetore.
  5. Shpresa dhe pozitiviteti në thirrjen tek Allahu.
  6. Urtësia dhe butësia, sepse ashpërsia i largon njerëzit.

 

Një model për secilin thirrës

Ky është tregimi i Dr. Gary Miller (i cili pas pranimit të Islamit u quajt Abdul-Ahad), 

Ai ishte një misionar mjaft aktiv në thirrjen drejt krishterimit dhe posedonte një dije të gjerë mbi Biblën. Ky njeri ushqente një dashuri të madhe për matematikën, rrjedhimisht, ai preferonte logjikën dhe sekuencën logjike të gjërave.

Një ditë, ai vendosi të lexonte Kuranin me qëllim që të gjente gabime, të cilat do t’i shërbenin për të forcuar pozicionin e tij gjatë thirrjes së muslimanëve në fenë krishtere. Ai priste të gjente një libër të vjetër, të shkruar para 14 shekujve, që fliste për shkretëtirën e gjëra të tilla, mirëpo u mahnit nga ajo që gjeti. Madje, ai zbuloi se ky libër përmban gjëra që nuk gjenden në asnjë libër tjetër në këtë botë.

Ai priste të gjente disa nga ngjarjet e vështira që kaloi Profeti Muhamed ﷺ, si vdekja e gruas së tij, Hadixhes (radijallahu anha), apo vdekja e bijve dhe bijave të tij, mirëpo nuk gjeti asgjë nga këto. Ajo që e habiti ishte fakti se gjeti një suren të plotë në Kuran që quhej “Suretu Merjem”, ku kishte një nderim për Merjemen (paqja qoftë mbi të) që nuk ekzistonte as në librat e krishterë e as në ungjijtë e tyre. Ai nuk gjeti asnjë suren me emrin e Aishes apo Fatimes (radijallahu anhuma).

Gjithashtu, gjeti se Isai (paqja qoftë mbi të) përmendej me emër 25 herë në Kuran, ndërsa Profeti Muhamed ﷺ nuk përmendej veçse 5 herë; kjo e shtoi edhe më shumë habinë e tij. Ai filloi ta lexonte Kuranin me më shumë vëmendje, duke shpresuar të gjente ndonjë të metë, por u trondit nga një ajet madhështor:

{أَفَلَا يَتَدَبَّرُونَ الْقُرْآنَ ۚ وَلَوْ كَانَ مِنْ عِنْدِ غَيْرِ اللَّهِ لَوَجَدُوا فِيهِ اخْتِلَافًا كَثِيرًا}

“A nuk e studiojnë ata Kuranin? Sikur ai të ishte prej dikujt tjetër përveç Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.” [En-Nisa: 82]

Dr. Miller thotë për këtë ajet: “Një nga parimet shkencore të njohura sot është parimi i gjetjes së gabimeve në teori derisa të vërtetohet saktësia e tyre (Falsification test). Është e mrekullueshme se si Kurani i fton muslimanët dhe jomuslimanët të gjejnë gabime në të, dhe nuk do të gjejnë.”

Gjithashtu, ajeti që e ndali gjatë Dr. Millerin ishte:

{أَوَلَمْ يَرَ الَّذِينَ كَفَرُوا أَنَّ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ كَانَتَا رَتْقًا فَفَتَقْنَاهُمَا ۖ وَجَعَلْنَا مِنَ الْمَاءِ كُلَّ شَيْءٍ حَيٍّ ۖ أَفَلَا يُؤْمِنُونَ}

“A nuk e shohin ata që nuk besuan se qiejt dhe toka ishin të ngjitura, e Ne i ndamë ato dhe prej ujit bëmë çdo gjë të gjallë? A nuk besojnë?” [El-Enbija: 30]

Ai thotë se ky ajet është saktësisht tema e kërkimit shkencor që fitoi çmimin Nobel në vitin 1973 rreth teorisë së “Shpërthimit të Madh” (Big Bang).

Mbi pretendimin se djajtë e ndihmonin Profetin Muhamed ﷺ, Dr. Miller citon:

{وَمَا تَنَزَّلَتْ بِهِ الشَّيَاطِينُ * وَمَا يَنْبَغِي لَهُمْ وَمَا يَسْتَطِيعُونَ}

“Atë (Kuranin) nuk e zbritën djajtë. Atyre nuk u takon e as nuk munden.” [Esh-Shuara: 210-211]

{فَإِذَا قَرَأْتَ الْقُرْآنَ فَاسْتَعِذْ بِاللَّهِ مِنَ الشَّيْطَانِ الرَّجِيمِ}

“Kur ta lexosh Kuranin, kërko mbrojtjen e Allahut prej shejtanit të mallkuar.” [En-Nehl: 98]

Miller pyet: “A është kjo mënyra e shejtanit? Të shkruajë një libër e të thotë ‘para se ta lexosh, kërko mbrojtje prej meje’?”

Një nga tregimet që e mahnitën ishte sfida me Ebu Lehebin. Ebu Lehebi e urrente Islamin dhe e ndiqte Profetin kudo për ta përgënjeshtruar. Dhjetë vjet para vdekjes së tij, zbriti sureja:

{تَبَّتْ يَدَا أَبِي لَهَبٍ وَتَبَّ * مَا أَغْنَىٰ عَنْهُ مَالُهُ وَمَا كَسَبَ * سَيَصْلَىٰ نَارًا ذَاتَ لَهَبٍ}

“Qofshin shkatërruar duart e Ebu Lehebit dhe ai u shkatërrua! Pasuria dhe ajo që fitoi nuk i bënë dobi. Ai do të hyjë në një zjarr me flakë.” [El-Mesed: 1-3]

Kjo sure deklaroi se ai do të vdiste jomusliman. Dr. Miller thotë se Ebu Lehebi kishte 10 vjet kohë që të vinte para njerëzve e të thoshte: “Unë po bëhem musliman”, duke shkatërruar kështu vërtetësinë e Kuranit në një minutë. Por ai nuk e bëri këtë. Si mund ta dinte Profeti ﷺ se Ebu Lehebi nuk do të pranonte Islamin nëse ky nuk do të ishte shpallje nga Ai që njeh të fshehtën?

Mbi sfidën e marrëdhënieve me hebrenjtë:

{لَتَجِدَنَّ أَشَدَّ النَّاس عَدَاوَةً لِلَّذِينَ آمَنُوا الْيَهُودَ وَالَّذِينَ أَشْرَكُوا ۖ وَلَتَجِدَنَّ أَقْرَبَهُمْ مَوَدَّةً لِلَّذِينَ آمَنُوا الَّذِينَ قَالُوا إِنَّا نَصَارَىٰ}

“Gjithsesi, ti do të gjesh se njerëzit me armiqësi më të fortë kundër atyre që besuan janë hebrenjtë dhe idhujtarët; dhe gjithsesi do të gjesh se më të afërmit në dashuri me besimtarët janë ata që thanë: ‘Ne jemi të krishterë’…” [El-Maide: 82]

Ky ajet u vërtetua edhe në rastin e Dr. Millerit, i cili si i krishterë, kur njohu të vërtetën, besoi dhe u bë thirrës i Islamit.

Së fundi, Dr. Miller mahnitet nga stili unik:

{تِلْكَ مِنْ أَنْبَاءِ الْغَيْبِ نُوحِيهَا إِلَيْكَ ۖ مَا كُنتَ تَعْلَمُهَا أَنتَ وَلَا قَوْمُكَ مِن قَبْلِ هَٰذَا}

“Këto janë nga lajmet e fshehta që Ne t’i shpallim ty; ti nuk i ke ditur as ti e as populli yt para kësaj…” [Hud: 49]

Ai vëren se asnjë libër tjetër “i shenjtë” nuk përdor këtë stil. Të tjerët thonë “lexoni te ky apo ai libër për më shumë informacion”, ndërsa Kurani jep informacionin dhe thotë: “Kjo është e re për ty”. Dhe askush nga kurejshët nuk guxoi të thoshte: “Ne e dinim këtë më parë”.

Allahu e shpërbleftë Dr. Millerin për këtë meditim të bukur në kohën kur meditimi është pakësuar.

Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit