“The Times” zbulon arkivin që detajon “tmerret” e regjimit të Bashar al-Asadit
Një raport i publikuar nga gazeta britanike “The Times” ka zbuluar ekzistencën e një arkivi me 1.3 milionë dokumente zyrtare, të cilat përshkruajnë në mënyrë të detajuar “tmerret” sistematike dhe krimet e kryera nga regjimi i presidentit të rrëzuar Bashar al-Asad dhe babait të tij, Hafez al-Asad, kundër popullit sirian.
Arkivi, i mbledhur për 13 vjet nga avokati dhe hetuesi kanadez i krimeve të luftës, Bill Wiley, me ndihmën e një ekipi sirian, është konsideruar thelbësor për vendosjen e drejtësisë dhe mbajtjen përgjegjëse të autorëve të shkeljeve sistematike që vazhdojnë të zbulohen në Siri, sipas raportit.
Dokumentet janë kontrabanduar në peshë kilogramësh jashtë Sirisë drejt një qyteti europian, vendndodhja e të cilit nuk është zbuluar në raport. Ato janë digjitalizuar dhe analizuar nga organizata e Wiley-t, e quajtur Komisioni Ndërkombëtar për Drejtësi dhe Llogaridhënie (CIJA), me mbështetje nga qeveritë britanike, amerikane dhe gjermane.
Për të siguruar këto materiale, 43 anëtarë të ekipit sirian vepronin të maskuar si barinj apo tregtarë dhe përdornin çdo mjet të mundshëm – nga kamionët te helikopterët – për të kaluar dosje të tëra përmes pikave të kontrollit.
Njëri nga anëtarët e ekipit u vra nga regjimi, një tjetër u plagos dhe një i tretë u rrëmbye. Disa prej tyre ishin të detyruar të linin dokumente në vendstrehime për shkak të rrezikut të lartë që paraqiste transportimi i tyre.
Dokumentet e CIJA janë përdorur tashmë në 13 procese gjyqësore në mbarë botën kundër zyrtarëve të regjimit.
Bashar al-Asadi, vendimmarrësi i vetëm
Wiley deklaron se dokumentet dëshmojnë pa asnjë dyshim se Bashar al-Asadi nuk ishte një figurë simbolike, por se ai drejtonte gjithçka. Ai e mbështet këtë pohim me procesverbalet nga “Njësia Qendrore e Menaxhimit të Krizave”, një organ që Asadi krijoi në mars 2011 për të përballuar revolucionin.
Kjo njësi mblidhej pothuajse çdo natë dhe diskutonte strategjitë për të shtypur opozitën. Ajo ishte në kontakt të vazhdueshëm me komitetet e sigurisë dhe agjencitë e inteligjencës në çdo provincë, duke marrë raporte për metodat e shtypjes dhe duke u dhënë atyre urdhra të rinj.
Wiley konfirmon rolin kyç të Asadit në këto operacione, duke theksuar se procesverbalet shkonin në zyrën e tij personale dhe punonjësit prisnin që ai t’i lexonte dhe të jepte udhëzimet e tij në formë shënimesh anësore.
“Burokracia e vdekjes”
Sipas raportit, regjimi i Asadit ka dokumentuar në mënyrë të hollësishme aktet e torturës, ekzekutimet, përdorimin e armëve kimike dhe zhdukjet masive. Një zinxhir drejtuesish, nën komandën e Asadit, ka mbikëqyrur këtë që është quajtur “burokracia e vdekjes”.
Wiley e përshkruan këtë si “reprezionin më të dokumentuar në histori” dhe krahasoi arkivat – të ruajtura në 406 kuti – me një “regjim nazist me kompjuterë”.
Pas rënies së qeverisë, CIJA intensifikoi përpjekjet për të mbledhur prova, pasi rrëzimi i shpejtë i regjimit nuk i lejoi atij të shkatërronte dokumentet. Organizata punësoi edhe 10 studiues shtesë për të përfituar nga ky moment historik, të cilin Wiley e krahason me Gjermaninë në vitin 1945, Irakun në 2003 dhe Europën Lindore në fillim të viteve ’90.
Tentakulat e Ba’ath-it më të thella se në Nuremberg
Raporti përmend numrin e madh të personave të përfshirë në krimet e regjimit të Asadit, përfshirë mijëra oficerë dhe agjentë të sigurisë që tani janë në arrati për të shmangur ndëshkimin.
Ai veçon Maher al-Asadin, vëllai i Basharit dhe komandant i Divizionit të Katërt, përgjegjës për “reprezionin brutal” dhe kontrabandën e kaptagonit. Përmendet edhe Ali Mamlouk, ish-kreu i Zyrës Kombëtare të Sigurisë, si dhe Jamil Hassan, ish-drejtor i inteligjencës ajrore, i akuzuar për tortura dhe vrasje masive.
Arkivi i Wiley-t tregon për përmasën e jashtëzakonshme të sistemit kriminal. Ai thekson: “Në Siri bëhet fjalë për 50 vjet terror shtetëror, me shumë të vrarë e të torturuar. Kjo kërkon një aparat të tërë ushtarak dhe të inteligjencës.”
Ai përfundon se çështja e Sirisë “do të jetë shumë më e madhe se gjyqet e Nurembergut”.
Raporti shton se mbrojtja që i ka dhënë Rusia Basharit dhe familjes së tij nuk do të zgjasë shumë. Sipas Wiley-t, Rusia mund ta sakrifikojë Asadin për të arritur qëllimet e saj strategjike me çdo qeveri të re siriane – ashtu siç ka vepruar me ish-diktatorë si Charles Taylor nga Liberia dhe Laurent Gbagbo nga Bregu i Fildishtë – dhe ekstradimi i Asadit nuk do të kërkojë më shumë se tre vjet.
