9.6 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Tërheqja e plotë nga Afganistani, një gabim që do t’i kushtojë SHBA-së

Më të lexuarat

Nga John Bolton, Foreign Policy

Vendimi i presidentit amerikan Joe Biden për të tërhequr forcat e mbetura ushtarake amerikane nga Afganistani,ka të bëjë më shumë me politikën e brendshme sesa me strategjinë e sigurisë kombëtare. Në vitin 2020, Biden bëri fushatë me këtë çështje.

Ai deklaroi javën e kaluar se:“Ka ardhur koha t’i japim fund luftërave të pafundme. Ne duhet të përqendrohemi tek arsyeja pse shkuam atje:të garantonim që Afganistani nuk do të përdorej si një bazë nga e cila do të sulmohej sërish atdheu jonë. Ne e përmbushëm atë objektiv”.

Me këtë qëndrim Biden duket si paraardhësi i tij Donald Trump, të cilit unë i shërbeva si këshilltar i sigurisë kombëtare. Dhe kjo nuk është për t’u habitur, pasi përveç disa modifikime të vogla, Biden po zbaton politikën e Trump.

Mbulimi mediatik i kësaj deklarate të datës 14 prill, ka treguar mbështetjen e gjerë të publikut për rikthimin e trupave në shtëpi. Populli amerikan është lodhur nga angazhimet ushtarake në vende të huaja, ose të paktën kështu po na thonë ekspertët.

Ata janë të lodhur nga Afganistani, Iraku, Siria, të lodhur nga terrorizmi, të lodhur nga Lindja e Mesme, janë thjesht të lodhur. Për këtë bien dakord gazetarët, akademikët, demokratët madje edhe republikanët. Synimi themelor i sigurisë kombëtare që duhet të ndjekin të gjithë udhëheqësit e Amerikës, është të përcaktojnë interesat strategjike të vendit të tyre, dhe mënyrën se si t’i mbrojnë ato.

kërcënimet e jashtme, dhe të mbledhin burimet e nevojshme për këtë gjë. Kur udhëheqësit nuk i shpjegojnë dot realitetet e vështira, iniciativën e merr opinionit publik, të cilin politikanët pastaj e përdorin për të justifikuar hezitimin e tyre për të marrë vendime të vështira.

Në fakt, politikanët e dobët shkëmbejnë shkakun për efektin, duke ia ngarkuar përgjegjësinë njerëzve të tjerë dhe jo vetes. Nën presidentët Donald Trump, Barack Obama, tani ndoshta dhe Joe Biden, nuk ishte publiku i dobët, por udhëheqësit e tij, të cilët nuk ishin të gatshëm ose kanë qenë të paaftë për të bërë punën e tyre.

Dhe këtë e tregon më së miri Afganistani. Nëse Talibanët kthehen në pushtet në të gjithë ose në pjesën më të madhe të vendit, pikëpamja pothuajse universale sot në Uashington është bindja se Al Kaeda, Shteti Islamik dhe të tjerët do të rifillojnë përdorimin e Afganistanit si një bazë e sulmeve të tyre në mbarë botën.

Më 14 Prill, Biden tha se terrorizmi ka evoluar që nga sulmi i vitit 2001 ndaj Talibanëve, dhe se “kërcënimi është bërë më i shpërndarë në të gjithë globin”. Sigurisht që kjo është e vërtetë. Por për shkak se SHBA dhe aleatët e saj të NATO-s, e kanë privuar prej 20 vitesh Al Kaedën nga streha e saj e preferuar.

Terroristët u detyruan të shkonin diku tjetër, duke synuar zonat e zhytura në anarki në Lindjen e Mesme apo Afrikë, pasi nuk kishin zgjidhje tjetër. Por mos harroni:Afganistani, më i largët, sidomos nga Shtetet e Bashkuara, është terreni i tyre i preferuar.

Uashingtoni nuk i krijoi kërcënimet, dhe tërheqja nuk do t’i zhdukë ato. Sipas Biden, Shtetet e Bashkuara nuk mund të “garantojnë” që terroristët nuk do të përdorin sërish një Afganistan të dominuar nga Talibanët si një bazë për të goditur prapë SHBA-në.

Biden e njeh këtë rrezik, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të ruajnë “aftësitë e veta kundër terrorizmit dhe asetet e konsiderueshme në rajon, për t’u mbrojtur nga ndonjë goditje e ardhshme”. Por ai gabon kur mendon se SHBA-ja mund të ketë efekte krahasimisht më pozitive kundër terrorizmit dhe inteligjencës pas largimit nga Afganistani.

Tek e fundit, Osama bin Laden u vendos atje pasi u dëbua nga vendet e tjera, pikërisht pasi largësia nga SHBA e bëri tërheqës atë vend për të. Dhe harta e botës nuk ka ndryshuar. Në këto kushte çfarë po bëjnë sot në Afganistan Shtetet e Bashkuara?

Për mbështetësit e tërheqjes nga ky vend, ajo e Afganistanit ka qenë 20 vite luftë e pafundme, e përditshme dhe e përgjakshme. Por kjo narrativë është e rreme, veçanërisht gjatë 7 viteve të fundit pas tranzicionit të Forcës Ndërkombëtare të Ndihmës së Sigurisë së NATO-s tek Operacioni Mbështetja e Vërtetë.

Afganistani mbetet jashtëzakonisht i rrezikshëm, dhe aty ka pasur vazhdimisht viktima. Por viktima e fundit e SHBA-së u regjistrua në shkurtin e vitit 2020. Për më tepër, nuk ka asnjë provë të ndonjë kursimi real të shpenzimeve nga tërheqja e afro 3.500 ushtarakëve të mbetur në këtë vend.

Kostot për Uashington mund të rriten pas tërheqjes, për shkak të distancave më të mëdha që duhet të kapërcehen për çdo operacion të ardhshëm. Për më tepër, janë aleatët e SHBA-së ata që po kryejnë misionin kryesor në Afganistan: trajnimin, këshillimin dhe ndihmën e Ushtrisë Kombëtare Afgane dhe forcave të tjera të sigurisë.

Afro 10.000 trupa nga vendet anëtare të NATO-s por edhe jo anëtare,janë një prani shumë e zvogëluar që nga koha e Forcës Ndërkombëtare të Ndihmës së Sigurisë kur kishte mbi 130.000 trupa. Largimi i tyre së bashku me atë të trupave amerikane, është një goditje e rëndë për një Afganistan të lirë.

Është e vërtetë që Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar shuma të mëdha parash në të ashtuquajturat aktivitete të ndërtimit të kombit në Afganistan. Nuk duhej të ishte asnjëherë objektivi i SHBA-së të krijonte një Zvicër në Azinë Qendrore, edhe nëse do të kishte aftësinë ta bënte këtë.

Por është një gabim edhe më i rëndë të arrihet në përfundimin se meqë Uashingtoni ka harxhuar burime në një objektiv të gabuar, tërheqja tani është më se e justifikuar. Mbështetësit e tërheqjes pohojnë se Shtetet e Bashkuara janë përpjekur mjaftueshëm për t’u dhënë mundësi afganëve të mbrojnë veten e tyre, dhe se përgjegjësitë e SHBA-së atje ka mbaruar.

Në fakt,Uashingtoni dhe aleatët e tij nuk janë atje për të mbrojtur afganët kundër Talibanëve, por për t’i mbrojtur vendet perëndimore nga kërcënimi terrorist. Për këtë qëllim, Shtetet e Bashkuara përqendrohen në mbledhjen e informacionit mbi kërcënimet e mundshme terroriste përmes një larmie mekanizmash, jo vetëm ushtarake.

Dhe është prania ushtarake dhe një bazë e konsiderueshme logjistike që e mundëson pjesën më të madhe të kësaj pune jetike. Një ndër arsyet e tjera pse duhet qëndruar ende në Afganistan është mbajtja nën vëzhgim e rreziqeve që vijnë nga Irani dhe Pakistani.

Programet e vazhdueshme të armëve bërthamore dhe raketave balistike të Iranit; mbështetja e tij e palëkundur për grupet terroriste si Huthi, Hamas dhe Hezbollah; dhe veprimtaria e tij luftarake konvencionale ushtarake përreth Lindjes së Mesme, e bëjnë atë atë një hegjemon rajonal aspirues, fqinjët e afërt të së cilit janë bërë gjithnjë e më të shqetësuar.

Një tërheqje e SHBA-së, mund të jetë edhe më e rrezikshme në lidhje me Pakistanin. Nëse Talibanët rifillojnë kontrollin e Kabulit, kjo mund t’i inkurajojë Talibanët pakistanezë dhe radikalët e tjerë islamikë, përfshirë shërbimet sekrete pakistaneze.

Që nga ndarja në vitin 1947, Pakistani nuk ka pasur kurrë një qeveri të qëndrueshme dhe të besueshme. Nëse qeveria e Islamabadit do të binte në duart e radikalëve, terroristët do të kishin në duar një numër të konsiderueshëm armësh bërthamore dhe sistemet e shpërndarjes.

Ata do të kërcënonin jo vetëm Indinë dhe të tjerët, por do të rrezikonin përhapjen e armëve bërthamore për terroristët në të gjithë botën. Për Uashingtonin, kjo është ndoshta pasoja më e rrezikshme e rimarrjes së pushtetit nga Talibanët në Afganistan, edhe pse rrallëherë i kushtohet një vëmendje e konsiderueshme. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit