10.9 C
Pristina
Thursday, May 16, 2024

Të flasësh me veten, programuesi i heshtur

Më të lexuarat

Dr Ibrahim Elfekij

A e ke dëgjuar ndonjëherë një zë që buron nga brendësia e shpirtit tënd, saqë të duket sikur është një person tjetër i cili bisedon me ty? A të ka rastisur që dëshiron të zgjohesh herët për të përfunduar një raport, ose për të kryer një punë të rëndësishme dhe nga brenda, dëgjon dy zëra; njëri prej tyre të nxit për tu ngritur, kurse tjetri të nxit që të vazhdosh të qëndrosh shtrirë në shtratin e ngrohtë. Vallë cili nga dy zërat është fituesi? Më lejo të të pyes diçka tjetër: A të ndodh të flasësh me veten? A flet me veten me zë të lartë?

Ndoshta ke kaluar një përvojë negative e cila të ka shkaktuar ndenja jo të mira dhe herë pas here, dëgjon një zë i cili ta kujton atë përvojë dhe ta rifreskon atë ndjesi aspak të mirë. Çfarë mendon për një përvojë e cila akoma nuk ka ndodhur? Edhe pse ajo mund të ndodhë në të ardhmen, megjithatë, ti je i zhytur në mendime rreth saj dhe paraprakisht ndihesh ngushtë nga rezultatet e pritura të saj. Herë pas here i thua vetes:”Përse duhet të pres derisa ta kaloj këtë përvojë? Besoj se është më mirë që ta ndjej preokupimin që tani!!!”

Për njeriun, është normale që të flasë me veten dhe të ketë edhe pritshmëri negative. Universiteti i Kalifornisë, zhvilloi një studim në vitin 1983, lidhur me të folurën me vete. Studimi zbuloi se  80% e gjërave që i themi vetes, ishin negative dhe ishin kundër interesave tona. imagjinojeni vetë ndikimin e madh të gjithë kësaj përqindjeje negativiteti në gjendjen tonë psikologjike. Një surprizë tjetër ishte se studimi nxori në pah edhe disa rezultate të tjera; Stresi i shkaktuar nga kjo, shkaktonte tek 75% e të përfshirëve në studim, edhe sëmundje të tjera organike, si tensioni, ulcera, krizat e zemrës… Thënë shkurt, ti me dëshirën dhe vullnetin tënd, flet me veten tënde në mënyrë negative dhe e sëmur veten, pa pasur nevojën e askujt tjetër, për ta bërë të gjithë këtë!!!

Por, çfarë e shkakton të folurën me veten? Si mund të kontrollohet ajo? Si mund ta përdorim bisedën me veten në interesin tonë, në vend që ta përdorim kundër nesh?

Pesë janë burimet e të folurës me veten, ose të vetëprogramimit:

Dy prindërit

A të kujtohet se që në vegjëli, të janë adresuar fjalë të tilla si:”Ti je dembel” “Si nuk bëre një herë diçka për të qenë” “Ti je si filani, kokrra e dembelit” Ti je idiot, rrotë dhe trutharë si filani”…

Dr Shad Helmstetter, në librin e tij:”Çfarë të thuash kur të flasësh me veten”, thotë:”Gjatë tetëmbëdhjetë viteve të para të jetës tonë, duke supozuar se jemi rritur në një familje dhe ambient pozitiv deri diku, ti ke dëgjuar mbi 148.000 herë fjalën “Jo” ose “Mos e bëj”…

Habia dhe çudia jote do të arrijë kulmin, kur të dëgjosh se për të njëjtat vite, numri i mesazheve pozitive që ke marrë nuk e kalon 400. Sigurisht, këtu bëhet fjalë jo për prindërim negativ, por për fat të keq, nuk kanë qenë të informuar dhe të ndërgjegjësuar për format e tjera pozitive. Kjo, sepse janë rritur dhe janë programuar të ndjekin të njëjtën linjë të prindërve të tyre, prandaj dhe na edukuan sipas programimit negativ që kishin marrë nga prindërit e tyre. Sigurisht që pa qëllim, por me dashuri.

Në librin e tyre “Linja e jetës”, dr Tad Xhims dhe Uojat Uodsmall, thonë se:”Kur mbushim shtatë vjeç, 90% e vlerave janë depozituar në trurin tonë. Kurse kur mbushim 21 vjeç nga jeta jonë, tashmë na janë plotësuar të gjitha vlerat dhe kanë zënë vend në tru.” Në këtë mënyrë, ose jemi rritur duke u programuar pozitivisht, ose negativisht.

Shkolla

Nëse kthehesh me kujtesën tënde në fazën e shkollës, mund të vijë ndërmend ndonjë rast ku nuk e ke kuptuar shpjegimin e mësimit dhe kur i ke bërë disa pyetje sqaruese, përgjigja e tij/saj ka qenë:”Gjithmonë do të pyesësh ti? Përse nuk e kupton me një të shpjeguar xhanëm?…” Sigurisht që kjo është shoqëruar edhe nga përqeshjet dhe talljet e shokëve dhe shoqeve të klasës. Nëse edhe ti je si shumica e njerëzve, padyshim që ke kaluar gjëra të tilla të ngjashme. Shkolla është një burim kryesor, i dyti për nga radha, i vetëprogramimit, i cili mund të jetë pozitiv ose negativ.

Shokët dhe miqtë

Shokët kanë ndikimin e tyre tek njëri-tjetri, në mënyrë thelbësore, pasi është shumë e mundshme shkëmbimi i veseve të këqija, si pirja e duhanit, largimi nga shkolla etj… Në fakt, shumica e duhanpirësve, kanë rënë pre e këtij vesi të keq, për shkak të ndikimit që kanë ushtruar shokët ndaj tyre, sidomos në moshat 8-15 vjeç, moshë e cila tek psikologët njihet si mosha e imitimit të tjerëve. Kjo është mosha ku fëmijët fillojnë e imitojnë sjelljet e të tjerëve.

Mediat

Në një studim të zhvilluar në Amerikë rreth mënyrës si e kalojnë kohën fëmijët në zhvillim e sipër, u zbulua se ata kalonin 39 orë në javë duke parë televizor. Nëse fëmija sheh se filan këngëtar ose aktor, i preferuar prej tij, sillet në një mënyrë të caktuar, ai fillon dhe e imiton edhe nëse sjellja e tij është negative. Le të sjellim një shembull për këtë. Një këngëtare e njohur, gjatë një ceremonie u shfaq me një veshje e cila i zbulonte barkun. E dini çfarë ndodhi? Në të njëjtën javë, mbi pesëdhjetë mijë vajza të reja, blenë dhe veshën të njëjtën veshje.

Ti je vetja jote

Mos harrojmë se ti, mund ta programosh veten tënde, sipas dëshirës. Gjatë një kumtese, një nga zonjat e pranishme, më tha se prindërit e saj ia kishin shprehur se nuk e kanë dëshiruar ta kenë si fëmijë dhe se asnjëherë nuk i kanë shprehur dashurinë prindërore. Ajo tha se ishte ndjerë e braktisur nga të gjithë dhe krejtësisht e vetmuar. Për këtë, kishte filluar të praktikojë një ves negativ, të ngrënit si e babëzitur. Ajo thoshte se ushqimi ishte shndërruar në shijen dhe kënaqësinë e vetme në jetë, si dhe gjëja e vetme ku arratisej nga i gjithë realiteti që e rrethonte.

Prandaj, them që është e mundur që njeriu ta programojë veten e tij dhe ti flasë vetes, duke u shndërruar në një njeri të suksesshëm dhe të lumtur, i cili i përmbush ëndrrat e veta. Ose me të njëjtat mekanizma, ai mund ta programojë veten për të bërë një jetë të mjeruar, për të qenë i vetmuar, i vuajtur dhe pa shpresë në jetë. Pikërisht për këtë, Shad Helmstetter thotë:”Në fund të fundit, do të korrësh po  idetë dhe mendimet që ke mbjellë në mendjen tënde.

Le të kalojmë në tre nivelet e të folurit me veten:

Niveli i parë, është ai që njihet si “Terroristi i brendshëm”.

Terroristi i brendshëm, është niveli më i rrezikshëm i të folurit me veten, pasi mund të të shndërrojë në një person që e ka humbur shpresën, një person qe ndihet krejt i paaftë dhe që vendos para vetes një mijë e një barriera, të cilat e pengojnë të realizojë qëllimet e veta. Terroristi i brendshëm dërgon mesazhe negative si:”Unë jam i turpshëm, jam i paaftë, kujtesa ime është e dobët, pamja ime nuk është aspak tërheqëse…” Njerëzit dërgojnë mesazhe negative në mënyrë të pandërprerë drejt pavetëdijes së tyre. Me kalimin e kohës dhe me përsëritjen e mesazheve, ato bëhen pjesë e pandarë e sistemit të besimeve dhe fillojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre në sjelljet dhe ndjesitë e tyre për veten dhe botën përreth.

Niveli i dytë, është pjesëza negative “por…”

Ky nivel i të folurës me veten, është më i mirë se niveli i parë, pasi njeriu shprehet se dëshiron të ndryshojë, e megjithatë i shton pjesëzën “por…”. Ajo që ndodh, është se për fat të keq, kjo pjesës, edhe pse shumë e vogël, e fshin mesazhin pozitiv para saj. “Dua të bie në peshë, por nuk mundem” është një shembull.

Nëse të them që “Ti je një njeri i mrekullueshëm, por…” çfarë do të vinte në mendje? Sigurisht që menjëherë do të mendoje për diçka negative, pasi pjesëza “por” i fshin të gjitha fjalët pararendëse, prandaj dhe mesazhi që do të memorizohet në pavetëdije është:”Unë nuk mundem”.

Pjesëzën “por” e përdorin njerëzit për të shmangur marrjen e një vendimi të caktuar. Pas pjesëzës “por” fshihet “nuk mundem”, pas saj fshihet frikë e cila e pengon njeriun të përmbushë objektivat e tij.

Niveli i tretë dhe i fundit, është të pranuarit pozitiv

Ky nivel i të folurit me veten, është niveli më i fortë dhe më i mirë, ai është burim i fuqisë, shenjë e besimit tek vetja dhe tregues i vetëvlerësimit të shëndetshëm. Le të sjellim disa shembuj për ta sqaruar më mirë si nivel. “Unë mundem ta lë duhanin” “Unë mund ti përmbush objektivat e mia” “Unë jam një njeri i mrekullueshëm” etj… Të gjithë këto mesazhe pozitive, i mbështesin hapat tona drejt objektivave, e shtojnë zellin dhe besimin tek ajo që po bëjmë, derisa ta përmbushim.

 

Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit