21.7 C
Pristina
Sunday, May 5, 2024

Sufistët

Më të lexuarat

Thënie rreth hadras[1] sufiste nga dijetarët e medhhebit hanefi

Dr. Haldun bin Meki el-Haseni

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimi i Allahut janë për robin dhe të dërguarin e Tij Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.
Allahu i Lartësuar e dërgoi zotërinë tonë Muhamedin, salallahu alejhi ue selem, me fenë e vërtetë, për ta bërë atë dominuese mbi të gjitha fetë dhe për këtë e pajisi me Kuranin si dhe i dha urtësinë (Sunetin).
I dërguari i Allahut na caktoi rrugët e udhëzimit dhe dritës, kështu që kush i përmbahet kësaj rruge do të jetë i udhëzuar, ndërsa ai që mënjanohet dhe devijon prej saj ka për të humbur.
Prej këtyre gjërave është edhe të mësuarit e dhikrit dhe etikës së tij, madje dijetarët islamë janë përpjekur në maksimum për t’i sqaruar ato dhe nxitur në punimin e tyre.
Megjithatë edhe përkundër kësaj, disa njerëzve iu duk bukur kundërshtimi i sunetit të Profetit, salallahu alejhi ue selem, madje të tillët menduan se janë duke vepruar drejt. Kështu ata rrëshqitën dhe devijuan nga rruga e drejtë dhe e gjitha kjo sepse sajuan rrugë dhe besime të ndryshme, prej tyre edhe imitimi që i bënë pasuesve të feve të tjera.
Mënyra se si ata bëjnë dhikër është se mblidhen nëpër teqe, zavije[2] apo shtëpi, bëjnë një rreth dhe më pas fillojnë të këndojnë poezi (këngë sufish) me zëra melodioz e duke i shoqëruar me def, qyp apo me qemane; sigurisht që çdo tarikat ka vegla të posaçme që i përmend gjatë hadras apo dhikrit, më pas këndojnë e dredhin zërat me shprehjen Hu[3] sikur të ishin gra apo në kabare, apo të çmendur dhe më pas pretendojnë se ata po shprehin emrin e Allahut. I lartësuar është Allahu nga një veprim i tillë!
Pasi këngët të kenë pushtuar zemrat dhe vendin, fillojnë dhe kërcejnë duke u rrotulluar, dredhur e spërdredhur, sikur të ishin vërtet të pirë ose të xhindosur e më pas pretendojnë se ky është dhikër.
Ata gënjejnë, sepse dijetarët dhe fukahatë islamë, të cilët janë kujdestarët e fesë dhe Sheriatit i kanë sqaruar dhe demaskuar këto bidate të shpifura, si dhe kanë bërë me dije devijimin e tyre nga rruga e Islamit.
Ndaj dhe duke u nisur nga ky fakt, jam përpjekur të sjell, për ata të cilët kërkojnë të vërtetën e qartë, disa nga fetvatë e dijetarëve të katër medhhebeve, duke e lutur Allahun ta bëjë këtë përpjekje të dobishme dhe t’u hapë zemrat atyre të cilët janë mashtruar me këto bidate, si dhe t’i kthejë sërish në sunetin e të dërguarit Muhamed, salallahu alejhi ue selem.

E para: Medhhebi Hanefi
Ka thënë Imam Bezazij Hanefi në “Fetaua bezazije” botimi i tretë (4/349):
Imam Nesefiu në librin “Sherh Kenz” ka thënë se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Çdo argëtim që bën biri i Ademit është i padobishëm, përveç tri gjërave: argëtimi me gruan, mësimi i kalit dhe hedhja e shtizës.” Ky është një tekst i qartë rreth ndalueshmërisë së kërcimit të cilin sufitë e quajnë sema[4] padyshim se kjo është një sema e cila k[5]a në të prishje (në këtë botë) dhe dënim në botën tjetër.
Ndërsa Imam Tahtavi -Allahu e mëshiroftë!- në hashijen e tij rreth librit “Al Marraki” (2/311) ka thënë: “Ndërsa kërcimi, ulërimat dhe rënia e veglave si paftat e teneqesë (që vihen dhe në dajre), fyellit, të cilave i bien disa të ashtuquajtur sufi, padyshim se ajo është e ndaluar me ixhma (unanimisht), sepse ato janë sjellje të jobesimtarëve.”
Ndërsa në “Jetijme” ka thënë: Është pyetur Haluani për ata që quhen sufi, të cilët dallojnë me veshjen dhe që janë angazhuar me kërcime e këngë e të cilët pretendojnë se kanë pozitë! Ai tha: “A mos po gënjejnë në emër të Allahut, apo janë të xhindosur?”
Në “Tuhfetu el Muluk” nën titullin “Sjelljet e sufive” (1/284) thuhet: “Duhet të ndalohen sufitë të cilët pretendojnë se kanë arritur uexhdin(ekstazen) dhe dashurinë, nga ngritja e zërit, shqyerja e rrobave dhe dëgjimi i muzikës (sufiste), sepse një gjë e tillë është e ndaluar gjatë leximit të Kuranit, e ç’mund të thuash për dëgjimin e muzikës i cili është i ndaluar e sidomos në këtë kohë?!”
Po ashtu Imam Bedrudin Ajni Hanefi në librin “Umdetul Kari” (21/401) ka thënë: “Dhe (në emër të ghina-s etj.) këta sufi injorantë kanë trilluar bidate. Ata nuk janë të besueshëm, nëse ju do të hulumtoni thëniet e tyre dhe të shikoni praktikat e tyre, padyshim do të gjeni shenjat e jomuslimanëve dhe zindikëve.”
Imami Muhamed Alau Din Hasfaki Hanefi -Allahu e mëshiroftë!- në librin “Dur el Mukhtar” (4/446) ka shkruar: “Kushdo që mendon që raksi (vallëzim ritmik) është hallall është kafir, veçanërisht ata të cilët vallëzojnë me të dhe bëjnë muzikë.”
Imam Shihabudin Mahmud bin Abdullah Alusi -Allahu e mëshiroftë!- në librin e tij “Rruhul Meani” ka thënë: “Nga semaja (këndimi) e ndaluar është dhe semaja e sufive në kohët e sotme edhe nëse ajo është pa vallëzim (ritmik), sepse dëmet e saj janë më të shumta në numër se të përmenden këtu. Shumë prej atyre që ata i quajnë poezi, janë nga gjërat më të neveritshme që lexohen, e përtej kësaj ata besojnë se ato i afrojnë tek Allahu dhe pretendojnë se më i apasionuari pas tyre është ai i cili e ka më të theksuar frikën dhe shpresën. I vraftë Zoti, për gënjeshtrat që thonë!” “Ruh El Mani”, vëll. 11 f. 74.
Po ky imam -Allahu e mëshiroftë!- në një faqe para kësaj ka thënë: “Profeti, salallahu alejhi ue selem, i ka mallkuar ato gra që i përngjajnë burrave dhe ata burra që i përngjajnë grave. Kushdo i cili i frikësohet Allahut dhe ka kuptuar diçka prej madhështisë së tij, nuk mund të imagjinohet që ai të kërcejë e t’i duartrokasë duarve[6], sepse këto nuk i kryen vetëm se një injorant. Argument për injorancën e tyre është fakti se Sheriati nuk ka ardhur me diçka të tillë as në Kuran e as në Sunet, madje atë nuk e ka kryer asnjë Profet dhe askush nga pasuesit e vërtetë të tyre, përkundrazi atë e kryejnë injorantët dhe të mangëtit, të cilëve u është përzier e vërteta me dyshime, ndërkohë që Allahu thotë: “Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje.” En-Nahl, 89.
Kanë shkuar selefët (të parët e mirë) dhe brezat e fundit të nderuar e nuk kanë kryer një gjë të tillë, prandaj kjo nuk është tjetër vetëm se tekë e vetes dhe kurrsesi nuk është vepër që të afron te Zoti i botëve. Vepruesi i saj nëse është prej atyre që merren si shembull dhe beson se ai nuk e kryen një gjë të tillë vetëm se është vepër e mirë, nuk ka dyshim se ajo që ka kryer është shumë e shëmtuar, sepse ai i çon njerëzit që ta marrin atë si adhurim, ndërkohë që ajo nuk është vetëm se çmenduri”. (11/73)

 

[1] Hadra, janë grumbullimet që bëjnë sufitë, në të cilat bëhet dhikër dhe lavdërohet Profeti, salallahu alejhi ue selem, sipas mënyrës sufiste të cilën e shtjellon edhe ky shkrim.

[2] Zavije, janë faltoret apo vendet të cilat i përdornin për veçim sufitë si shkak adhurimi dhe ushtrimi të ibadetit.

[3] Hu, është përemri i vetës së tretë numri njëjës Ai, të cilin e përmendin sufitë në dhikrin e tyre dhe me të cilin kanë për qëllim Allahun e Lartësuar.

[4] Semaja, është term i cili përdoret nga sufitë për këndimin e dhikrit, poezive dhe lavdërimeve profetike me melodi apo me vegla muzikore.

[6] Këtu ka për qëllim duartrokitjen me anë të së cilës realizohen tinguj dhe melodi që përshtatet me rimën e poezive.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit