Sipas historianit gjithçka ka ndodhur dekadat e fundit buron nga grushti i shtetit i vitit 1953
Gazetari dhe historiani amerikan Stephen Kinzer, 74 vjeç, ja ka kushtuar një pjesë të madhe të punës së tij analizimit të një shekulli grushtesh shteti të mbështetura nga SHBA në mbarë botën, nga Hauai në Irak, duke shqyrtuar modelin e ndërhyrjeve ushtarake dhe pasojat e tyre afatgjata.
Ish-korrespondent i “The Neë York Times”, Kinzer është shndërruar në një nga kritikët më të zëshëm të ndërhyrjes amerikane. Në librin e tij All the Shah’s Men (Të gjithë njerëzit e Shahut), gazetari rindërton grushtin e shtetit të vitit 1953 të orkestruar nga CIA dhe MI6 – shërbimet sekrete amerikane dhe britanike – kundër kryeministrit të zgjedhur demokratikisht të Iranit, Mohammad Mossadegh, pasi ky i fundit deklaroi se donte të shtetëzonte naftën iraniane. Ai tregon se si ky zhvillim formësoi të ardhmen e Iranit deri në konfliktin aktual. Kinzer flet për situatën e sotme në një intervistë telefonike.
Trump ka përmendur arsye të ndryshme – si nevoja për ndryshim regjimi, kërcënimi bërthamor dhe rihapja e Ngushticës së Hormuzit – për të sulmuar Iranin. Cili mendoni se është objektivi i vërtetë?
Ajo që i lidh vendet dhe objektivat e Shteteve të Bashkuara, përfshirë Iranin, është shumë e thjeshtë: mosbindja. Këto janë vende që nuk pranojnë politikat amerikane. Nuk pranojnë të krijojnë qeveri që i përgjigjen asaj që dëshiron Uashingtoni.
Ndonjëherë nga Uashingtoni dëgjojmë të thuhet se ka marrë fund epoka e sferave të ndikimit. Por kjo është e pasinqertë. Në të vërtetë, Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë të gjithë botën si sferën e tyre të ligjshme të influencës, përveç Kinës, Rusisë dhe disa vendeve të tjera. Dhe janë pikërisht këto vende që bëhen objektiva.
Venezuela hyn në të njëjtin model. Por ndoshta ndryshimi me Iranin, është se ky është një sulm i përbashkët me Izraelin. Sa është vendim i Uashingtonit dhe sa i Izraelit?
Ne nuk do ta kishim ndërmarrë këtë sulm pa mbështetjen e Izraelit. Izraeli ka një ndikim të jashtëzakonshëm në politikën tonë kombëtare. Vetëm njëra nga mbështetëset, Miriam Adelson, i dha fushatës së Trumpit 100 milionë dollarë.
Në librin tuaj ju flisni për rëndësinë e perceptimeve të ndryshme mbi të njëjtën ngjarje. Deri në çfarë mase dezinformimi dhe narrativat e përforcuaranë rrjetet sociale mund të ndryshojnë ngjarjet ose të përdoren si mjet për ndryshim regjimesh në konfliktet e reja globale?
Për të nisur ndërhyrje afatgjata, është e rëndësishme të bindësh opinionin publik. Unë nuk mendoj se kjo ka ndodhur me operacionin në Iran. Nuk besoj se shumica e amerikanëve janë entuziastë për të dhe nuk jam i sigurt se do t’i sjellë përfitim politik Trumpit.
Madje mendoj se e kundërta është më e mundshme. Në perceptimin amerikan, marrëdhëniet SHBA-Iran fillojnë dhe mbarojnë me krizën e pengjeve të vitit 1979. Por iranianët e shohin historinë krejtësisht ndryshe.
Për ta, kriza e pengjeve nuk mund të ndahet nga grushti i shtetit i vitit 1953 kundër kryeministrit Mossadegh. Nga këndvështrimi i tyre, ata ishin në rrugën drejt demokracisë dhe Shtetet e Bashkuara ndërhynë për ta bërë këtë të pamundur. Gjithçka që ka ndodhur më pas është rezultat i asaj ndërhyrjeje.
Çfarë mësimesh mund të nxirren sot nga ai grusht shteti?
Në vitin 1953, Shtetet e Bashkuara ndërhynë për të rrëzuar demokracinë e vetme që Irani kishte pasur ndonjëherë. Që atëherë, Irani nuk është kthyer më në ndonjë formë demokracie. Kjo tregon se ndërhyrja e dhunshme në politikën e një vendi tjetër mund të sjellë pasoja shumë të paparashikueshme, përfshirë pasoja që kthehen kundër vetë ndërhyrësit.
Në një periudhë afatshkurtër u duk si sukses: u hoq një lider i padëshiruar, Mossadegh, dhe u zëvendësua me Shahun që do të bënte çfarë donim. Dukej si një zgjidhje e përsosur, por vetëm nëse historia ndalon. Fatkeqësisht, historia vazhdon. Shahu sundoi me represion në rritje për 25 vjet.
Ky represion çoi në shpërthimin e fundit të viteve 1970 dhe ardhjen në pushtet të një regjimi anti-amerikan që prej dekadash përpiqet të dëmtojë interesat amerikane. Grushti i shtetit i 1953-shit dëmtoi jo vetëm Iranin, por edhe sigurinë kombëtare amerikane.
Mësimi është se ndërhyrja e dhunshme në punët e një vendi tjetër është si të lëshosh një rrotë nga maja e një kodre: mund ta bësh, por nuk e kontrollon dot ku përfundon.
A ka realisht mundësi djali i Shahut, Reza Pahlavi të rikthehet në pushtet në Iran?
Në vitin 1953, Shahu mori pjesë në një grusht shteti të organizuar nga CIA dhe shërbimet britanike. Ai dështoi dhe Shahu u arratis nga Irani, shkoi në Irak dhe më pas në Romë. Aty mendonte se do duhej të gjente punë sepse nuk priste të kthehej më në Iran.
Por CIA tentoi sërish dhe tentativa e dytë pati sukses, duke e rikthyer në fron. Arsyeja themelore pse u rrëzua 25 vjet më vonë ishte mungesa e legjitimitetit. Dhe kjo mungesë legjitimiteti vinte nga fakti se ishte vendosur në pushtet nga një fuqi e huaj.
Ai nuk arriti kurrë ta kapërcente këtë. Kjo tregon një pjesë të rëndësishme të mendësisë iraniane: dëshirën për një regjim që buron nga brenda Iranit. Ata kanë qenë viktima të ndërhyrjeve të huaja për më shumë se 200 vjet dhe janë shumë të vetëdijshëm për këtë. Prandaj kërkojnë qeveri me mbështetje popullore.
Shahu nuk ishte kurrë i tillë. Çdo qeveri që do të vijë në pushtet falë SHBA-së, nëse do të ndodhë ndonjëherë, do të përballej me të njëjtin problem legjitimiteti dhe do të kishte vështirësi serioze për t’u konsoliduar. \tesheshi.com\
