14 C
Pristina
Sunday, May 5, 2024

Standardizimi i fetvasë

Më të lexuarat

Nga: Dr. Aid el Karni

Standardizimi i fetvasë

Sheriati (Ligji) Islam nuk është plaçkë e kujt të mundet dhe as pyll i hapur për gjithkënd, por është Mesazh Hyjnor, të cilin e bartin dijetarët, të devotshmit dhe të arsyeshmit. Njeriu ka dorë të lirë të bëjë tregti me çdo çështje të lejuar, por jo me fenë. Marketingu me Sheriatin (Ligjin) e Zotit të botëve është i ndaluar.
Kalifët (udhëheqësit) e Islamit në të shkuarën, mbajtën një qëndrim të prerë kundrejt atyre, që tentuan të zhyten në Sheriatin (Ligjin) Islam pa u afirmuar në të. Një person i tillë u ndalua në cakun e tij, duke mos i lënë dorë të lirë.
Fetvaja (lëvrimi i opinionit fetar) është çështje e dijetarëve të kualifikuar, të cilët e përcaktojnë atë me sukses dhe mbarëvajtje.
Arena islame është e mbushur me studentë të fesë, profesorë, imamë dhe ligjërues; që kanë përzier midis davetit (thirrjes) në Islam dhe fetvasë (lëvrimit të mendimit në dhënien e direktivave fetare), të cilat ndryshojnë gjegjësisht. Thirrja në Islam presupozon të përcjellësh udhëzimet e Allahut të Lartësuar dhe të Dërguarit të Tij (a.s) e t’i udhëzosh njerëzit me urtësi dhe këshillë të hijshme.
Kushdo prej muslimanëve që ka kuptuar një ajet (citat) të vetëm hyjnor, e ka për detyrë që të përçojë atë tek të tjerët; në lidhje me këtë, Profeti (a.s). ka thënë: “Përcillni prej meje qoftë edhe një citat!”.
Ndërsa çështja e fetvasë është tjetër gjë. Ajo konsiston në diturinë e konsoliduar, kuptimin e shpalljes hyjnore, hulumtimin e aktualitetit, afirmimin në qëllimet e Sheriatit, arsyen e lartë, devocionin dhe përdëllimin.
Për sa kohë nuk fillohet të standardizohet dhënia e fetvave, njerëzit do mbesin në një mishmash të madh. Të shumtë janë ata, që vishen me rrobën tradicionale të dijetarit, dalin në kanalet televizive, duke dhënë fetvanë (mendimin) e tyre për çdo pyetje dhe duke u përgjigjur për çdo problematikë. Faqet elektronike janë shndërruar në klube nate falas, për çdokënd që dëshiron një fetva të lehtë e të thjeshtë në bagazhin deklarativ.
E gjitha kjo ndodh, teksa dihet që muslimani nuk ka gjë tjetër më të shtrenjtë sesa fenë e tij, Islamin. Islami për muslimanin është më i çmuar dhe i vyer se vetja, fëmija, familjarët, atdheu dhe pasuria e tij.
Është detyrë për ne muslimanët, që Mesazhin Islam, Sheriatin (Ligjin) e Allahut, ta bëjmë gjënë më madhështore, me të cilën u krenohemi dhe mburremi kombeve mbarë, të flijohemi me fjalë, vepra, shpirt dhe katandi, në mbrojtje të tij, në ruajtjen e pacenueshmërisë së tij dhe në garantimin e shenjtërimeve dhe dekretimeve të tij.
Dëshirojmë që çdo vend islam të marrë një qëndrim pozitiv në mbrojtje të Sheriatit (Ligjit) të Allahut, ta mbrojë dhe garantojë atë, t’i privojë të paaftët që të zhyten në të dhe çështjet e fetvasë t’i bazojë tek dijetarët e konsoliduar dhe të kualifikuar.
Jo çdo këshillues është myfti, jo çdo person i aftë të shkruajë a perforomojë një hutbe (ligjëratë xhumaje), të përgatisë një ligjëratë apo të japë një mësim, është i aftë tu japë njerëzve fetva në çështjet e fesë së tyre.
E si ngutemi të japim fetva dhe përgjigje të hamendësuara, pa pára, karshi pyetjeve fetare që bëhen; si e bëjmë diçka të tillë, kur Allahu i Lartësuar i ka kërcënuar rendësit në këtë shteg, se kanë rënë në shpifje kundrejt Kuranit dhe Traditës së Profetit të Tij?! Pikërisht në lidhje me këtë Allahu i Lartësuar ka thënë: “Mos thoni atë gënjeshtrën, që përshkruajnë gjuhët tuaja: ‘Kjo është hallall e kjo është haram’, e të shpifni ndaj Allahut trillim. Vërtet, ata që trillojnë ndaj Allahut, nuk shpëtojnë”. [Nahl: 116]; e kemi haram t’i mashtrojmë dhe manipulojmë njerëzit në çështjen e fesë së tyre, të joshemi dhe t’i joshim në të, t’u japim atyre përgjigje të gabuara fetare; e kemi haram të garojmë në kryesimin dhe gradimin ndër njerëz, duke harruar mbikëqyrjen e Zotit të njerëzve.
Mund të hamendësosh në politikë, t’ia qëllosh por dhe të gabosh, mund të japësh në logjikë një ide të saktë apo të gabuar, mund të ilustrosh disa këndvështrime në kulturën e përgjithshme, por me Sheriatin (Ligjin) e Shenjtë dhe të Dëlirë Islam çështja ndryshon, pasi ai është Mesazhi me të cilin erdhi Profeti Muhamed a.s. nga Xhebraili eminent dhe Xhebraili erdhi nga Zoti i botëve: “Atë (Mesazhin Hyjnor) e solli Shpirti besnik (Xhebraili). (E solli) Në zemrën tënde, për të qenë ti prej atyre që tërheqin vërejtjen (profet i Zotit)”. [Shuara: 193-194]
Vëllezërit e mi studentë, thirrës, ligjërues, këshillues, intelektualë dhe mendimtarë!
Shenjtërojeni Sheriatin (Ligjin Hyjnor Islam) që iu zbrit Muhamedit a.s, respektojeni Mesazhin e përjetshëm, jepini peshë mësimeve të Allahut dhe të Dërguarit të Tij a.s.!
Të mos japë fetva askush tjetër përveçse dijetari fetar, të mos përgjigjet për çështjet e fesë askush tjetër përveçse fakihu (dijetari i Jurisprudencës Islame), shkurt të dalë në krye vetëm i kualifikuari që ka kapacitetet e nevojshme!
O kombi islam, mos e merrni fenë tuaj nga çdo folës, pasi Allahu i Lartësuar ka thënë: “Pyetini të kualifikuarit nëse nuk dini!” [Nahl: 43]; dhe të kualifikuarit e fesë janë dijetarët e kualifikuar për të dhënë fetva.
Ashtu siç ftojmë të respektohet profilizimi sheriatik (ligjor islam), po kështu ftojmë të respektohen të gjitha profilizimet e tjera.
Kësisoj, nëse një doktor nuk ka dituri dhe eksperiencë në inxhinieri, nuk bën që ai të bëjë inxhinierin; një rrobaqepës nuk bën të marrë përsipër profesionin e zdrukthëtarit pa qenë i afirmuar dhe ushtruar në të; çdo njeri di vetë se si ta shuajë etjen e tij, harku t’i jepet harkëtarit.
Ah sikur Organizata e Ligës së Botës Islame, Organizata e Konferencës Islame, Unioni i Dijetarëve Muslimanë, Universiteti fisnik i Ez’herit dhe Këshillat e Fetvasë në Evropë dhe Azi, të ndiqnin ecejakun e Arabisë Saudite në imunizimin e fetvasë dhe garantimin e moslejimit të zhytjes së padenjë në çështjet e Sheriatit (Ligjit) Islam, lojës me fenë, çorientimit të muslimanëve, përhapjes së destabilizimit dhe paradoksit lidhur me kumtimet dhe përgjigjet që arrijnë tek masa e gjerë e muslimanëve.
 
Perktheu: Altin Torba

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit