12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Sqarim i shkurtër në lidhje me therjen hallall të pulave – Nga Justinian Topulli

Më të lexuarat

Shumë prej njerëzve madje shpesh edhe një pjesë e hoxhallarëve nuk janë në dijeni të teknikave të sotme moderne që përdoren nëpër thertore për therjen e kafshëve, mes tyre edhe shpendëve apo pulave. Nuk duam të zgjatemi në detaje në këtë drejtim për çdo kafshë, sepse çështja kërkon shtjellim më të detajuar ku përfshihen elementë fetarë, mjekësor dhe teknologjik, por për sa i përket therjes së pulave një nga problematikat që paraqesin thertoret moderne është se para se pulat të kalojnë me transportier të automatizuar tek kasapi apo thika prerëse (çështje dhe debat më vete kjo) koka e pulës kalon nëpër një vaskë uji të elektrizuar, me qëllim trullosjen e pulës dhe therjen më të lehtë të saj. Kjo praktikë ndiqet gjerësisht edhe nga thertoret e pulave këtu në Shqipëri edhe nga ato që aktin e therjes e kryejnë sipas rregullave islame.

Por kjo nuk mjafton, sepse sipas burimit më serioz dhe më të madh të fikhut islam, Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam që buron nga Organizata e Bashkëpunimit Islam (dikur Organizata e Konferencës Islamike), organizimi islam më i madh në botë, nuk lejohet përdorimi i trullosjes së shpendëve me elektricitet, sepse kjo rezulton shpesh në ngordhjen e tyre. Duke cituar saktësisht ata thonë:
د-لا يجوز تدويخ الدواجن بالصدمة الكهربائية، لما ثبت بالتجربة من إفضاء ذلك إلى موت نسبة غير قليلة منها قبل التذكية.
d- Nuk lejohet trullosja e pulave me goditje elektrike, sepse është provuar praktikisht se kjo shpie në ngordhjen e një përqindjeje jo të vogël të tyre para se ato të theren. (1)

Ky vendim i Akademisë në fjalë daton që nga 1997. Po kështu standardi më i madh ndërkombëtar në botë i Hallallit i dalë nga derivati i së njëjtës organizatë, i quajtur “The Standards and Metrology Institute for Islamic Countries” (SMIIC) (2) nuk e përfshin përdorimin e energjisë elektrike në procesin e therjes së pulave.

Kështu që kjo ka qenë arsyeja kryesore e mos certifikimit hallall të një prej kompanive që therin pula në Shqipëri dhe që ishin të interesuar të certifikoheshin hallall, edhe pse plotësonin kriteret e tjera të standardit hallall, por nuk pranonin të hiqnin përdorimin e vaskës së ujit me energji elektrike, që trullos pulat para therjes.

Nisur nga kjo, ne nuk mund të shfuqizojmë me iniciativën tonë një nga kriteret e rëndësishme të standardit hallall, të vendosur nga referenca të mëdha me peshë ndërkombëtare të hallallit, për faktin se drejtuesve të këtyre kompanive nuk iu mbushet mendja ta heqin përdorimin e vaskës me ujë të elektrizuar, sepse sipas tyre ajo trullosje nuk i ngordh pulat!

_________
(1) https://ar.islamway.net/fatwa/28033/%D8%A3%D8%AD%D9%83%D8%A7%D9%85-%D8%A7%D9%84%D8%B0%D8%A8%D8%A7%D8%A6%D8%AD-%D9%81%D9%89-%D8%A7%D9%84%D8%A5%D8%B3%D9%84%D8%A7%D9%85-%D9%88%D8%AA%D8%B9%D8%AF%D8%AF-%D9%88%D8%B3%D8%A7%D8%A6%D9%84-%D8%A7%D9%84%D8%B0%D8%A8%D8%AD-%D9%81%D9%8A-%D9%87%D8%B0%D8%A7-%D8%A7%D9%84%D8%B9%D8%B5%D8%B1

(2) https://www.smiic.org/

Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit