Sprovë e rëndë e besimit – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Përkatësia familjare, fisnore, krahinore, etnike, kombëtare, partiake, fetare, sektare dhe klanore të shtyn shpesh të heshtësh ndaj së keqes, e akoma më keq të mbrosh të tëndin duke nënvleftësuar të keqen e tij dhe sulmuar të keqen “më të madhe” të kundërshtarit, e shumë më keq akoma duke e justifikuar të keqen e tëndit apo edhe duke e mbrojtur atë si të drejtë!

Janë të rrallë njerëzit që shpëtojnë nga të gjitha nivelet e këtij qëndrimi të njëanshëm dhe kjo ka lidhje me natyrën e dobët njerëzore që nuk tregohet e drejtë kurdoherë. Mirëpo kjo është një nga kërkesat e rëndësishme të besimit. Allahu thotë në Kuran:

“O ju që keni besuar! Të jeni përherë dëshmues të së drejtës për hir të Allahut edhe nëse kjo është kundër vetes suaj, kundër prindërve tuaj ose kundër të afërmve tuaj, qoftë ai (për të cilin dëshmohet) i pasur a i varfër, sepse Allahu është më i ditur rreth tyre. Mos ndiqni ndjesitë e t’i shmangeni drejtësisë! Nëse shtrembëroni faktet ose tërhiqeni (nga drejtësia), (dijeni se) Allahu e Di mirë gjithçka që bëni ju.” (en-Nisa: 135)

Në këtë ajet Zoti nuk ka përjashtuar asnjë, as veten e njeriut dhe as gjakun e tij më të afërt. Madje e ka shtrirë kërkesën e drejtësisë edhe në vetëpërmbajtjen e urrejtjes që kemi ndaj hasmit, për të mos i hyrë në hak edhe atij duke thënë:

“O ju që keni besuar! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të Allahut, duke dëshmuar të drejtën; dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj të tjerëve e t’i shmangeni drejtësisë! Jini të drejtë, sepse kjo është më afër devotshmërisë, dhe kijeni frikë Allahun! Pa dyshim, Allahu e di me hollësi gjithçka që bëni ju.” (el-Maide:8)

Kështu që të qenit plotësisht i drejtë dhe përherë në çdo rast, është një sprovë e rëndë e besimit, sepse bie ndesh me prirjen natyrale të njeriut për të mos pranuar fajin dhe gabimin tek vetja dhe njerëzit e tij me të cilët e lidhin gjaku, besimi, bindja apo afërsi dhe interesa të tjera.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit