Sporti si pasqyrë e shoqërive

Më të lexuarat

Nga dështimet strukturore te iluzioni i suksesit të shpejtë

Sporti ka qenë gjithmonë më shumë se thjesht një garë fizike. Ai është një radiografi e saktë e gjendjes shpirtërore, ekonomike dhe sociale të një kombi. Kur flasim për futbollin, kjo pasqyrë bëhet akoma më e qartë.

Rasti më flagrant i viteve të fundit është Italia- një superfuqi tradicionale që po përjeton dështimin e tretë radhazi për t’u kualifikuar në Botëror. Ky nuk është thjesht një “aksident” në fushë.

Ekspertët dhe vetë italianët në rrjetet sociale, e shohin këtë si reflektim të një sistemi në kalbje: korrupsioni masiv, një infrastrukturë e lënë pas dore që ngjan me reliket e së shkuarës dhe një zinxhir i këputur i futbollit të moshave.

Fakti që Italia nuk organizon dot një event madhor prej 36 vitesh, ndërsa Britania përgatitet për Europianin e dytë brenda shtatë viteve, tregon humbjen e hapit me modernitetin dhe menaxhimin efikas.

Në anën tjetër të Adriatikut, Shqipëria jonë ofron një kontrast interesant. Kemi prekur dy herë majat e Europës me pjesëmarrje në Europianë, një arritje e pamohueshme që na ka mbushur me krenari.

Mirëpo, poshtë kësaj velloje suksesi, futbolli vendas mbetet mediokër. Problemet janë strukturore dhe gati “politike”. Kreu i FSHF-së është kalcifikuar në atë karrige prej 24 vitesh dhe sapo ka marrë një mandat të ri katërvjeçar.

Ndërkohë që betonizimi i skajshëm ka zhdukur hapësirat sportive ku duhet të rriteshin talentet e reja. Kërkojmë suksese brenda pak muajsh, ndërsa realiteti në bazë është lënë në harresë.

Në këtë tablo, Kosova, me vetëm dhjetë vite në arenën ndërkombëtare, tregon një energji tjetër. Edhe pse humbi dhimbshëm ndaj Turqisë në finalen e “play-off”-it, ajo dëshmon se çdo edicion është gjithnjë pranë diçkaje të madhe, duke treguar se dëshira dhe vizioni mund të sfidojnë kohën.

Në fund, duhet të kujtojmë se futbolli është një lojë që ushqehet nga emocionet, por ato nuk duhet të na verbojnë. Nuk mund t’i ngremë lojtarët në qiell sot dhe t’i kryqëzojmë nesër me duf e mllef pas një humbjeje, duke harruar sakrificën e tyre në fushë.

Futbolli ka humbje dhe fitore, ashtu si vetë jeta. Ai pasqyron krizat tona, por edhe mundësitë tona për t’u rritur. Përtej rezultatit të një ndeshjeje, sado me peshë qoftë ajo, vazhdon jeta e përditshme, plot gëzime e hidhërime, sfida por edhe arritje. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit