4.7 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Si e kuptojmë ardhjen e muajit Ramazan?

Më të lexuarat

 
            Abdulla ibnu Umer thotë: Profeti (a.s.) ka thënë: “Mos filloni agjërimin derisa të shikoni hënën e re dhe po ashtu mos e ndërpritni agjërimin derisa të shikoni hënën e re të muajit pasardhës. Nëse ju pengon diçka për ta parë, atëherë bëni llogari.”[1] Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “Nëse ju pengon diçka për të parë, atëherë plotësojeni muajin me 30 –të ditë.”
           
Shpjegimi i hadithit:
 
Ky hadith është argument se agjërimi i muajit të Ramazanit është obligim (farz) kur del hëna e re. Po ashtu ky hadith është argument se nëse nga pamundësia hëna e re nuk shikohet, atëherë është obligim plotësimi i muajit Shaban me 30-të ditë. Gjithashtu ky hadith dëshmon edhe për plotësimin e muajit Ramazan me 30 –të ditë nëse nuk mund të shikohet hëna e re e muajit Sheval. Në këto raste përllogaritet muaji me 30-të ditë, për të qenë më të sigurtë në gjykimin e dhënë. Ai i cili i plotëson kushtet e pranimit të dëshmisë e shikon hënën e re të Ramazanit apo Shevalit, atëherë gjykimi jepet në varësi të shikimit të hënës së re.
Fjala e profetit (a.s.): “Nëse ju pengon diçka për ta parë” do të thotë: nëse hëna e re nuk shikohet për shkak të reve apo çfarëdo lloj shkaku tjetër.
Ndërsa fjala tjetër e profetit (a.s.): “atëherë bëni llogari” ka për qëllim plotësimin e muajit me 30-të ditë. Këtë thënie më së miri e sqaron fjala e profetit (a.s.) e transmetuar në hadithin tjetër: “Nëse ju pengon diçka për të parë, atëherë plotësojeni muajin me 30 –të ditë.”
Nëse hëna e re nuk shikohet për çfarëdo lloj arsye, atëherë është e ndaluar që të agjërohet në ditën e 30-të të muajit Shaban, sepse hyrja e muajit të Ramazanit duhet të jetë e sigurtë. Amar ibnu Jasir ka thënë: “Kush agjëron në ditën e dyshimtë, ai ka refuzuar Ebu Kasimin[2]”[3]
Përllogaritja astronomike në hyrjen apo daljen e muajit të Ramazanit nuk merret për bazë, sepse profeti (a.s.) hyrjen apo daljen e muajit e ka lidhur me shikimin dhe jo me përllogaritjen astronomike. Kjo, ngase hënën e re e shikojnë një grup njerëzish të caktuar por edhe masa e gjërë, e shikon i padituri por edhe i dituri.[4] Një gjë e tillë është një lehtësim i madh për njerëzit nga ana e sheriatit islam.
Ky hadith dëshmon se agjërimi apo mos agjërimi nuk është obligim për atë njeri që ndodhet larg vendit të shikimit të hënës së re nëse hëna del ndryshe në vende të ndryshme, sepse feja çështjen e fillimit apo të mbarimit të agjërimit e ka lidhur me shikimin. Në këtë rast, ky njeri nuk e ka parë hënën as në të vërtetë e as sipas rregullave që i ka përcaktuar sheriati. Agjërimi apo mosagjërimi janë në varësi të një shkaku dhe ky shkak është shikimi i hënës së re.  Ai popull (shtet) që e shikon hënën e re e ka për detyrë të agjërojë apo ta lërë agjërimin ngase shkaku ekziston. Ndërsa ai popull (shtet) që nuk e shikon hënën e re, nuk e ka për detyrë të agjërojë, sepse shkaku nuk ekziston, njëlloj si ndryshimi i pesë kohëve të namazit nga një shtet në një shtet tjetër. Allahu e di më së miri.
Njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm dhe t’i kushtojnë shumë rëndësi për të parë hënën e re të muajit Shaban që të mund të llogaritin 30 ditë të po këtij muaji nëse nuk shikohet hëna e re e muajit Ramazan. Për këtë gjë ka urdhëruar dhe porositur vetë profeti (a.s.) në hadithin të cilin e ka transmetuar Ebu Hurejra: “Përpiquni të shikoni hënën e re të muajit Shaban për të bërë përllogaritjen e hyrjes së muajit Ramazan.”[5]
Nëse pas agimit apo gjatë ditës bëhet e qartë se muaji i Ramazanit ka hyrë ngase është parë hëna e re në natën e shkuar, është detyrë (obligim) që njeriu të agjërojë në pjesën e ditës që ka ngelur. Argument për këtë është thënia e Seleme ibnul Ekueit (r.a.) i cili ka thënë: “Profeti (a.s.) urdhëroi dikënd që të lajmëronte njerëzit se ai i cili kishte ngrënë të agjëronte pjesën tjetër të ditës, dhe ai i cili nuk kishte ngrënë po ashtu të agjëronte, sepse në atë ditë ishte dita e Ashurasë.”[6] Sipas mendimit më të drejtë të juristëve islam, kjo ditë duhet të agjërohet  kaza për të shpëtuar nga përgjegjësia e këtij obligimi madhor.
Ndërsa imam Ibnu Tejmije dhe nxënësi i tij Ibnu Kajm El Xheuzije janë të mendimit se duhet që ai të agjërojë në atë ditë, por nuk e kanë kaza agjërimin e asaj dite, ngase muslimani obligohet me një rregull fetar në momentin kur ai njoftohet për atë rregull. Dispozita fetare në lidhje me atë që gabon dhe atij që harron është e njëllojtë, që do të thotë se agjërimi i të dyve është i saktë. Po ashtu bërja e nijetit qysh natën nuk është kusht përsa i përket gabimtarit sepse ai nuk ka pasë mundësi me e bërë atë. Sepse dihet mjaft mirë se prej rregullave dhe parimeve të sheriatit mundësia është kusht i përgjegjësisë. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk e obligon njeriun përtej mundësisë.”[7]
Nëse ndodh që njeriu e fillon agjërimin në një shtet (vend) dhe pjesën tjetër e agjëron në një shtet tjetër, atëherë ai është i obliguar ta ndërpresë agjërimin kur e ndërpresin ata të shtetit të dytë edhe nëse atij i bie që të agjërojë më tepër se 30-të ditë, duke u bazuar tek thënia: “Agjërimi është në ditën që agjërojnë të gjithë, ndërprerja e agjërimit është në ditën kur e ndërpresin të gjithë dhe therrja e kurbanit është në ditën kur therrin të gjithë.”[8] Në komentimin e këtij hadithi juristët islam kanë thënë se agjërimi apo ndërpreja e agjërimit është masiv, pra siç bëjnë të gjithë njerëzit.
Por nëse ndodh që ai e ndërpret agjërimin në shtetin e dytë ngase edhe ata të gjithë e ndërpresin, mirëpo i bie që të ketë agjëruar 28-të ditë, atëherë ai e ka për detyrë (obligim) që të agjërojë edhe një ditë, sepse muaji nuk ka më pak se 29-të ditë.
[1] Transmetojnë  imam Buhariu dhe imam Muslimi. [2] Profeti Muhamed (a.s.) njihej me epitetin Ebul Kasim. [3] Transmeton imam Tirmirdhiu. Hadithi është Hasen [4] Kjo pikë është mjaft e debatueshme në mesin e juristëve muslimanë. Disa prej tyre thonë se hëna e re është e lidhur ngushtë me shikimin e lirë. Ndërsa disa juristë të tjerë janë të mendimit se përllogaritjet astronamike na shpien në një përllogaritje më të saktë. (sh. pk) [5] Transmetojnë  imam Et Tirmidhi, El Hakim, El Bejhaki, Ed Darakutni. Hadithi është Hasen [6] Transmetojnë  imam Buhariu dhe imam Muslimi. [7] Sure El Bekare: 286. [8] Transmeston imam Et Tirmidhi. Hadithin e ka saktësuar imam Albani.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit