12.6 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Si dhe ku të shpenzojmë? Që të plotësojmë nevojat dhe të fitojmë më shumë

Më të lexuarat

Duke parë domosdoshmërinë e të ndihmuarit me pasurinë tonë në këto momente të vështira e pamë të arsyeshme të përsërisim këtë hutbe-

Falënderimi i qoftë All-llahut, i Cili i nxiti robët e Tij që të jenë bujar dhe fisnik, pasiqë u garantoi rizkun dhe pasurinë për të cilën kanë nevojë. Paqa dhe bekimi i All-llahut qofshin mbi ate që bujaria dhe fisnikëria e tij kanë kapluar mbarë botën dhe mbi ata që e pasojnë në mënyrë më të mirë deri në Ditën e takimit.

Vëlla i nderuar, Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:

 “Nuk lëvizin këmbët e birit të Ademit Ditën e Kijametit dersa nuk pyetet për pesë gjëra: për jetën, ku e ka harxhuar; për rinin, ku e ka kaluar; për pasurinë, ku e ka fituar dhe ku e ka harxhuar dhe çka ka vepruar me diturinë e tij”. Hadithi është hasen, transmeton Tirmidhiu).

 Vëlla i nderuar, vallë ke llogaritur mbi pasurinë tënde, nga e ke fituar dhe ku e ke harxhuar, a e ke fituar në hallall dhe e harxhon në hallall, ose e ke fituar në hallall, mirëpo e harxhon në haram, ose e ke fituar në haram dhe e harxhon në haram?!

 – Dije se pasuria është njëri prej shkaqeve që të dërgon ose në xhennet ose në xhehenem. Ai që pasurinë e tij e shfrytëzon për të bërë ibadet All-llahun dhe për të dhënë sadaka në rrugë të All-llahut, ate pasuria e dërgon në xhennet dhe kënaqësi të All-llahut, kurse ai që e shfrytëzon për të bërë mëkat, për të dëfryer epshet e tija dhe për tu angazhuar me te nga ibadetet e tija ndaj All-llahut, atëherë kjo pasuri bëhet shkak për të fituar hidhërimin e All-llahut dhe meriton denimin e Tij të dhembshëm. All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

   “…Ata të cilët e ruajnë arin e argjendin e nuk e japin për rrugën e All-llahut, lajmëroji për një dënim të dhëmbshëm”. (Et-Teube: 34).

 – Gjithashtu All-llahu [subhanehu ve teala] tregon se ai që e shfrytëzon pasurinë e tij për të larguar njerëzit nga rruga e All-llahut, do të fiton mposhtje Ditën e Kijametit dhe do të pendohet për këtë vepër:

  “Ata që nuk besuan, shpenzojnë pasurinë e tyre për të penguar nga rruga e All-llahut. Ata do të shpenzojnë atë dhe ajo do të bëhet dëshprim i tyre, e madje ata do të mposhten. E ata që mohuan, do të përmblidhen vetëm në xhehennem”. (El-Enfal: 36).

 – Kurse për ata që e shpenzojnë pasurinë e tyre për bërë ibadet All-llahun [subhanehu ve teala] dhe japin sadaka për të kënaqur All-llahun, për ta All-llahu thotë:

 “Ata që lexojnë librin e All-llahut, e falin namazin dhe nga begatitë që Ne u kemi dhënë japin fshehtazi e haptazi, ata e shpresojnë në një fitim që kurrë nuk humbet. Që Ai (All-llahu) do t’ju plotësojë shpërblimin e tyre, e edhe do t’ju shtojë nga mirësia e Tij, vërtet Ai është mëkatfalës dhe shumë dhe shumë mirënjohës”. (Fatir: 29-30).

Ebu Dherri [radijall-llahu anhu] thotë: shkova te Pejgamberi, të cilin e gjeta nën hije të Kabes, e dëgjova duke thënë: ata janë mëtë humburit, pasha Zotin e Kabes. E përsëriti këtë tre herë. Ebu Dherri tha: U brengosa, fillova të mar frymë thellë, thashë në vehte, më paska goditur ndonjë e keqe, dhe i thashë: kush janë ata, sakrifikofsha babanë dhe nënën për ty? U përgjigj: ata që kanë më së shumti pasuri, përveç atyreve që e ndajnë pasurinë e tyre në robërit e All-llahut këndej e andej, mirëpo ata janë pakicë. Secili njeri që vdes dhe le pas vehte dhen, ose deve ose lopë, pa ua dhënë zekatin, këro kafshë Ditën e Kijametit vijnë më të mëdha dhe më të shëndosha, e shkelin me thembrat e tyre dhe e lëndojnë me brirët e tyre derisa All-llahu të gjykon mes njerëzve…”. (Buhariu dhe Muslimi).

– Ebu Hurejreja [radijall-llahu anhu] thotë se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Secili njeri që ka poseduar ari ose argjend e nuk ia ka dhënë hakun, Ditën e Kijametit do t’i bëhen plaka nga zjari e do të hekuroset me to në zjar të xhehenemit, do t’i hekuroset balli, krahët dhe shpinda. Cdo herë që ftohet i përsëriet ky proces në një ditë që zgjat sa 50 mijë vjet dhe sheh rrugën e tij ose për në xhennet ose për në xhehenem”. (Muslimi).

-Ebu Hurejreja [radijall-llahu anhu] thotë se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Kujt i jep All-llahu pasuri e nuk ia jep zekatin, Ditën e Kijametit do t’i del një gjarpër me dy pika mbi sy, i cili e mbështjellë dhe e kap për fëlqi dhe thotë: unë jam pasurija jote, unë jam thesari yt”. (Buhariu).

 

Domosdoshmëria e dhënjes së zekatit dhe synimet e tij

Vëlla i nderuar musliman dije se zekati i pasurisë është një prej shtyllave të Islamit. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Islami ngritet mbi pesë shtylla: dëshmia se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i Dërguar i All-llahut, falja e namazit, dhënja e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe shkuarja në haxhxh për ate që ka mundësi”. (Buhariu dhe Muslimi).

– Kurse Ibn Abbasi [radijall-llahu anhu] thotë: secili që nuk ia ka dhënë zekatin pasurisë së tij, kur të vdes kërkon të kthehet prapë, pastaj lexoi ajetin:

 “Dhe jepni nga ajo që Ne u kemi dhënë juve, para se ndonjërit prej jush t’i vijë vdekja, e atëherë të thotë: “O Zoti im, përse nuk më shtyve edhe pak afatin (e vdekjes), që të jepja lëmoshë e të bëhesha prej të mirëve!” Po, All-llahu kurrsesi askë nuk e shtyn për më vonë, kur atij t’i vijë afati i vet. All-llahu hollësisht është i njohur me atë që ju punoni”. (El-Munafikun: 10-11).

 – Ibn Xhevziu thotë: njeriu i zgjuar duhet të kuptojë qëllimin e zekatit, e kjo del në sesh në tre aspekte:

– sprovë duke nxjerur sendin më të dashur,

– pastrim nga cilësia e koprracisë,

– falënderim për dhuntinë e pasurisë. Le të kujton dhuntinë e All-llahut, i Cili e ka bërë dhënës e jo marës.

 

Kësaj mund t’ia shtojmë edhe këtë:

– dalja në ndihmë të varfërve dhe nevojtarëve dhe për të larë borxhin borxhlitë,

– forcimi i shpirtit të xhematit mes individëve të një shoqërie dhe mosmllefosja dhe moszilia e të varfurve përkundër të pasurve.

– Mbrojtja e shtetit islam duke e forcuar ushtrinë islame dhe duke shpenzuar për muxhahdiët dhe për xhihad.

Nxitje për sadaka

Islami ka nxitur muslimanët të japin sadaka, të jenë të mëshirshëm ndaj të varfërve, tu dalin në ndihmë nevojtarëve dhe të varfurve, kurse për këtë ka prëgaditur shpërblim të madh në Ditën e Kijametit.

 – Ebu Seid El-Hudriu [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] pa një njeri duke larguar devenë e tij në skajet e grupit dhe tha: “Kush ka shalë tepër, le tia jep vëllaut të vet dhe kush ka ushqim tepër, le tia jep vëllaut të vet”. Ibn Mesudi [radijall-llahu anhu] thotë: kuptuam se askujt nuk i lejohet t’i teprojë ndonjë gjë. (Muslimi).

 – Ebu Hurejreja [radijall-llahu anhu] thotë se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Kush jep sadaka nga fitimi i tij i pastër, sepse All-llahu vetëm të pastrën e pranon, sa një kokër hurme, All-llahu e pranon me të Djathtën e Tij dhe ia zmadhon pronarit të vet, ashtu sikurse ju e rritni mazin tuaj, derisa tia bëjë sikur kodra”. (Buhariu dhe Muslimi).

 – Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka treguar se sadakaj i bëhet hije nga të nxehtit e diellit Ditën e Kijametit, kur tu afrohet dielli njerëzve përmbi kokë. Ukbe ibn Amir [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Secili njeri do të jetë nën hije të sadakasë së tij derisa të gjukohet mes njerëzve”. (Hadithi është sahih, transmeton Ahmedi dhe Hakimi).

 – Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka treguar se shpërblimi i sadakasë në Ditën e Kijametit i shumfishohet deri në shtatëqindfish. Ebu Mesud El-Ensariu [radijall-llahu anhu] thotë: erdhi një njeri me deve të vulosur dhe tha: kjo le të jetë sadak në rrugë të All-llahut. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “Për këtë deve do të keshë shtaqind deve të vulosura në Ditën e Kijametit”. (Muslimi).

 – Sadakaja e fikë hidhërimin e Zotit dhe pengon vdekjen e keqe. Enesi [radijall-llahu anhu] thotë se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Me të vërtetë sadakaja në fshehtësi e fikë hidhërimin e Zotit, përkujdesi për familjen ta shton jetën dhe bërja mirë pengon vdekjen e keqe”. (hadithi është sahih, transmeton Taberaniu).

 – Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tregon se sadakaja i largon kurthet e shejtanit. Burejde [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Secili njeri që jep sadaka, me te largon prej vehtes kurthet e shtatëdhjet shejtanave”. ( Hadithi është sahih, transmeton Ahmedi).

 – All-llahu [subhanehu ve teala] tregon se zekati është pastrim për muslimanin, i pastrohet shpirti dhe ngritet nga veset e këqija, siç është koprracia, dhënja përparësi vetvetes, etj.

 “Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh (të mirat)…”. (Et-Teube: 103).

– Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka treguar se sadakaja nuk e pakëson pasurinë, bile e shton nga shkaku i bereqetit të dhënjes dhë shpërndarjes: “Nuk pakësohet pasuria prej sadakasë…”. (Muslimi).

Me të vërtetë meritohet të qahet dhe të na vjen keq nëse na kalojnë gradat e larta të xhennetit dhe dhuntitë e përhershme në te.

Sahabet kur kanë dëgjuar ajetin: 

“…ju shpejtoni kah punët e mbara…”. (El-Bekare: 148).

  “Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për në një Xhennet, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit. Të cilët japin kur janë shlirë edhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që u falin (të keqen) njerëzve, e All-llahu i do bamirësit”. (Ali Imran: 133-134). Kanë kuptuar që secili duhet t’ia kalon tjetrit në këtë të mirë dhe të nxiton që të arrijë këtë gradë të lartë. Ata kur shihnin se ndokush punon shumë për ahiret mundoheshin ta arrinin dhe t’ia kalonin, pra garimi i tyre ishtë për punë të ahiretit, siç thotë All-llahu [subhanehu ve teala]

 

“…E për shpërblim të tillë le të garojnë ata që lakmojnë të mirën”. (El-Mutaffifin: 26).

Kurse ne jemi duke e bërë krejtësisht të kundërtën, ne garojmë për gjëra të pavlerë të kësaj bote dhe për kënaqësitë e saja kalimtare.

Hasan Basriu [rahimehull-llah] thotë: “Nëse sheh ndonjë njeri që garon me ty për dunja, garo me te për ahiret”.

Vehib Ibn Verdi thotë: “Nëse mundesh mos të ta kalon askush, për këtë vepro”.

Omer ibn Abdul-Azizi [rahimehull-llah] gjatë haxhxhit, kur njerëzit dilnin nga Arafati, thoshte: “nuk ua kalon njerëzve ai që devene e tij e nxjer i pari, por ua ka kaluar ai, të cilit i janë falur mëkatet”.

 

Sjellja gjatë dhënjes së zekatit dhë sadakasë

Shpenzimi kaplon edhe zekatin që e kemi obligim edhe sadakanë që është vepër vullnetare, andaj njeriu që shpenzon në rrugë të All-llahut duhet t’i ketë para sysh këto rregulla:

1- Pastrimin e nijetit. Sadakadhënësi duhet të pastron nijetin e tij, të shpreson me këtë sadaka Fytyrnë e All-llahut [subhanehu ve teala], sepse nëse nuk e shpresën Fytyrën e All-llahut, por e bënë për ta parë dhe dëgjuar njerëzit, kjo vepër nuk pranohet prej tyre, bile edhe dënohet për këtë vepër.

 

2- Pasuria nga e cila jep sadaka le të jetë prej hallallit. Ibn Omeri [radijall-llahu anhu] thotë se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “All-llahu nuk e pranonë sadakanë, që jipet nga pasuria e vjedhur nga prehu i luftës”. (Muslimi).

 

3- Zgjedhe pasurinë më të mirë.

“O ju që besuat, jepni nga më e mira e asaj që e fituat dhe nga ajo që u dhamë prej tokës, e mos nxitoni ta jepni atë më të pavlefshmen nga ajo, e që ju nuk do ta pranonit për vete vetëm symbyllas. E, dinë se All-llahu s’ka nevojë për ju, është i Madhëruar”. (El-Bekare: 267).

 – Enesi [radijall-llahu anhu] tregon se Ebu Talha ishte njeriu që kishte më shumë hurma në Medine, kurse pjesa më e dashur e tij ishte një copë tokë që quhej Bejruha- copë e tokës në Medine. Kjo copë e tokës gjindej para xhamisë, kurse Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] hynte dhe pinte ujë nga uji i mirë i atij kopshti. Kur zbriti ajeti:

 “Kurrë nuk do të arrini sinqeritetin e plotë me besim (as kënaqësinë e lumtur në xhennet) derisa të mos e jepni më të dhembshmen (më të dashurën) e pasurisë suaj. اkado që jepni (për Zotin), All-llahu atë e di”. (Ali Imran: 92). U ngrit Ebu Talha dhe tha: o i Dërguar i All-llahut, All-llahu [subhanehu ve teala] thotë: “Kurrë nuk do të arrini sinqeritetin e plotë me besim (as kënaqësinë e lumtur në xhennet) derisa të mos e jepni më të dhembshmen (më të dashurën) e pasurisë suaj. Ckado që jepni (për Zotin), All-llahu atë e di”, toka më e dashur e imja është bejruha, le të jetë sadaka për hirë të All-llahut, shpresoj të mirën e saj dhe shpresoj të jetë e rezervuar te All-llahu, bën me të çka të duash. Atëherë Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i tha: “Kjo është pasuri e fituar. Unë dëgjova se çka the, mirëpo unë mendoj se është ma mirë tua ndashë të afërmëve”. Ebu Talha tha: kështu do të veproj, o i Dërguar i All-llahut! Ebu Talha këtë pasuri ua ndau të afrmëve dhe nijvë të axhallarëve të tij. (Buhariu dhe Muslimi).

 – Nafiu tregon se kur Ibn Omerit [radijall-llahu anhu] i pëlqente ndonjë pjesë e pasurisë së tij shumë e jipte për hirë të All-llahut. Nafiu vazhdon dhe thotë: disa robër të tij kur e kuptuan këtë gjë, qëndronin shumë kohë në xhami, bënin ibadet ma tepër, kurse kur i shihte Ibn Omeri [radijall-llahu anhu] këtë gjendje të mirë të tijë, e lironte. Shokët i thonin: o Ebu Abdur-Rahman, ata këtë vepër e bëjnë vetëm që të të mashtrojnë. Ky ua kthente: kush na mashtron me All-llahun, e pranojmë këtë mashtrim.

 – Tregon Seid ibn Hilali se Ibn Omeri qëndroi në Xhuhfe dhe ishte i sëmurë. Iu kujtua të kërkon peshk. Ata kërkuan dhe vetëm një peshk e gjetën. Ndërkohë erdhi një i varfur dhe kërkonte lëmoshë. Ibn Omeri i tha: mere këtë peshk. Familja i thanë: subhanall-llah, u lodhëm që të gjejmë peshk, nga ana tjetër ne kemi ushqim tjetër për t’i dhënë. Ai u përgjigj: Abdull-llahi e donte peshkun.

 – Erdhi një lypës te dera e Rebiut, e ky tha: jepni sheqer. I thanë: pse t’i japim sheqer, ç’i bënë dobi sheqeri?! Ua ktheu: Rebiu e do sheqerin, andaj edhe atij jepni sheqer.

 

4- Dhënja përparësi të afërmëve. Prej rregullave të dhënjes sadaka është që tu japim përparësi të afërmëve. Kështu e mësoi Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] Ebu Talhën siç përmednëm pak më lartë. Kurse Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Sadakaja e dhënë fukarasë është sadaka, kurse sadakaja e dhënë fukarasë së afërm është edhe sadaka edhe përkujdesje për familjen”. (Hadithi është sahih, transmeton Ahmedi).

 

5- T’ua japim sadakanë fetarëve. Sadakadhënësi duhet zgjedhur që sadakanë e vet t’ia jep atij që është fetar, i cili atë pasuri do ta shfrytëzon për ta bërë ibadet All-llahun [subhanehu ve teala] dhe nuk e harxhon në mëkat, e kështu të jetë pjesmarës në mëkatin dhe armiqësinë e tij.

 

6- Ta japim sadakanë fshehurazi. Sadakadhënësi duhet maksimalisht ta fshehë sadakanë, në përjashtim të rastit kur në shfaqje të sadakasë ka interes më të madh. All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Nëse lëmoshat i jepni haptazi, ajo është mirë, por nëse ato ua jepni të varfërve fshehurazi, ajo është edhe më e mirë për ju dhe Ai ua largon (me punë të mira) të këqiat. All-llahu është i njohur hollësisht për veprat tuaja”. (El-Bekare: 271).

Kurse Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kur i ka përmendur ata shtatë njerëz që do të hynë nën Hijen e Tij atë ditë që ska hije tjetër përveç hijes së tij, e ka përmendur edhe: “njeriun i cili kur jep sadaka e fsheh saqë nuk e di dora e majtë se çka ka dhënë dora e djathtë”. (Buhariu dhe Muslimi).

 

7- të japish çka të vjen ndër duar edhe poqëse është pak. Prej rregullave është që sadakadhënësi të jep atë që e ka ndër duar edhe poqëse është pak, kryesore mos ta kthen lypësin bosh. Xhabiri [radijall-llahu anhu] thotë: “Nëse kanë kërkuar prej Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kurrë nuk ka thënë jo”. (Buhariu dhe Muslimi).

Hasan Basriu thotë: “I kemi takluar njerëzit që kanë qenë para nesh, ata nuk e kthenin lypësin pa asgjë”.

Erdhi një lypës te Aisheja [radijall-llahu anha] në prani të disa grave, kurse ajo ia dha një kokërr rushi. Gratë u habitën nga kjo vepër, kurse Aieshja [radijall-llahu anha] u tha: në të ka shumë grimca, aludonte në ajetin: “E kush punoi ndonjë të mirë, që pëshon sa grimca, atë do ta gjejë”. (El-Zilzal: 7).


8- Nuk lejohet të vonohet dhënja e zekatit nga koha e vet sepse është e drejta e të varfurit, kurse lejohet të jipet para kohës.

 

9- Sadakadhënësi duhet të jet i butë me të varfurinë dhe nuk duhet t’ia përmend dhe të mburret më këtë sadaka. All-llahu [subhanehu ve teala] thotë: 

“Ata që për hir të All-llahut e japin pasurinë e tyre, e pastaj atë që e dhanë nuk e përcjellin me të përmendur e me mburrje, ata e kanë shpërblimin e vet të Zoti i tyre, për ata nuk ka frikë, ata as që do të brengosen. Një fjalë e mirë dhe një lehtësim (që i bëhet lypësit) është më e dobishme se një lëmoshë që përcillet me të keqe. All-llahu nuk ka nevojë për askë, është i Butë”. (El-Bekare: 262-263).

 

10- Muslimani duhet ta edukojë vehten në sadaka dhe dhënje lëmoshë edhe në qoftëse është i varfur, sepse kur e kanë pyetur Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], për sadakanë më të vlefshmë, ai është përgjigjur: “sadakaja në varfëri”. (Ahmedi, Nesaiu dhe Ebu Davudi).

Ebu Hurejra [radijall-llahu anhu] tregon se një njeri erdhi të kërkon te Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], kurse Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kërkoi prej grave të veta diç, e ato ia kthyen: nuk kemi asgjë përveç ujit. Atëherë Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: kush e mer musafir këtë njer? U ngrit një njeri prej Ensarëve dhe tha: unë. E mori me vehte deri në shtëpi dhe i tha gruas së vet: ndero musafirin e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Iu përgjegj: vetëm ushqimin e fëmijëve e kemi. I tha: bëre gati ushqimin, ndreqe llambën, e kur të kërkon fëmija darkën, vëndoi në gjum. Kështu edhe bëri. I zuri gjumi fëmijët, pastaj ajo kinse është duke e ndrequr llambën e fiku ate, dhe bënin sikurse janë dukë ngrënë. Atë natë ato dy flejtën të uritur. Në mëngjesë shkoi te Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], kurse ky i tha: All-llahu qeshu (ose All-llahut i pëlqeu) mbrëm me veprën tuaj”. Atëherë zbriti ajeti:

 “…ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes. Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar”. (El-Hashër: 9).

 Dhënja përparësi deri në vdekje

Në betejën e Jermukut ranë shehid Ikrime ibn Ebi Xhehl, Suhejl ibn Amr, Harith ibn Hisham dhe një grup prej bijve të Mugires. Sollën ujë duke qenë ata të lënduar. Ia sollën ujin Ikrimes, kur pa se Suhejli shikon ujin, i dha përparësi atij, kur e sollën ujin te Suhejli, vërejtsi se Harithi e shikon ujin, atëherë tha: filloni nga ai. Kur erdhën te Harith ibn Hishami e gjetën të vdekur, u kthyen te Ikrimeja, edhe ate e gjetën të vdekur, shkuan te Suhejli, edhe ate e gjetën të vdekur. Vdiqën të gjith para se të pinë ujë. Kaloi pran tyre Halid ibn Velidi e u tha: ju jeni më të mirë se unë. (ose jeni më të ndershëm për mua sesa vetveteja ime).

 

Kur është koha më e mirë për të dhënë sadaka

Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] tregon se e kanë pyetur Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: Cila sadaka ka më tepër shpërblim? Eshtë përgjigjur: “Jep sadaka kur je lakmues dhe i shëndoshë, kur i frikohesh vdekjes dhe shpreson pasurinë. Mos e vono dhënjen e sadakasë derisa të vjen shpirti në fyt e të thuash: filanit jepi kaq, e tjetrit jepi kaq, të tretit jepi kaq…”. (Buhariu dhe Muslimi).

 

Disa raste nga sadakaja e muslimanëve të parë

1- Ua kam lënë All-llahun [subhanehu ve teala] dhe Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].

Tregon Omer ibn Hattabi [radijall-llahu anhu] dhe thotë: Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] na urdhëroi që të japim sadaka. Në këtë kohë kisha me vehte pasuri. Thashë, nëse ia kaloi ndonjë ditë Ebu Bekrit, atëherë sot do tia kaloi. Iu përgjegja Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] me gjysmën e pasurisë. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] më tha: “Cka ke lënë në shtëpi?”. I thashë: aq sa kam sjellur. Ndërkohë erdhi Ebu Bekri me tërë pasurinë e tij. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i tha: a ke lënë diç në shtëpi? Tha: ua kam lënë All-llahun dhe Pejgamberin. Thashë kurrë nuk mund tia kaloi në asgjë. (Hadithi është sahih, transmeton Ebu Davudi dhe Tirmidhiu).

 

2- Një njeri e përgaditë tërë ushtrinë.

Othmani [radijall-llahu anhu] ishte prej njerëzve që jepnin shumë sadaka në rrugë të All-llahut. Tregon Abdur-Rahman ibn Habbabi dhe thotë: kam parë Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] duke nxitur mulimanët për të dhënë sadaka për ushtrinë e kohës së vështirë. U ngrit Othmani dhe tha: o i Dërguar i All-llahut, unë i mar përsipër 100 deve me të gjitha gjërat shoqëruese, për hirë të All-llahut. Përsëri Pejgamberi nxiti për të dhënë sadaka për këtë ushtri. U ngrit Othmani sërish dhe tha: unë i mar përsipër 200 deve. Për së treti nxiti në dhënje sadaka për këtë ushtri. U ngrit për së treti Othmani dhe tha: unë mar përsipër përgaditjen e 300 deveve me gjërat plotësuese për hirë të All-llahut [subhanehu ve teala]. E pashë Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] duke zbritur nga mimberi dhe duke thënë: “Asgjë se dëmton Othmanin pas kësaj vepre, asgjë se dëmton Othmanin pas kësaj vepre”. (Tirmidhiu).

 

3- E fikë dritën që mos të ngushtohet lypsi.

Seid ibn Asi i ushqente njerëzit gjat ramazanit. Pasiqë u ndanë njerëzit u ndal një djalosh kurejshit. Këtij Seidi i tha: mendoj se kë nevojë pasiqë u ndale? Tha: po, All-llahu e përmirësoftë emirin! E goditi Seidi qirinë me mangë dhe e fiku qiriun. Pastaj tha: për çka ke nevojë? Shkruaji kryetarit të muslimanëve se kam borxh dhe kam nevojë për shtëpi dhe shërbimtar. Tha: sa e ke borxhin? Tha: 2000 dinar dhe tregoi sa i kushton shtëpia dhe shërbimtari. Seidi i tha: mos u lodh të udhëtosh, eja nesër meri prej nesh. Njerëzit thonin: fikja e qiriut ishtë më mirë sesa dhënja e ndihmës, që mos tia sheh fytyrën të mposhtur nga lypja.

 

Lëmitë ku mundesh të japish sadaka

Sadakaja mund të jipet në për shumë lëmi, ne nuk mund t’i numërojmë ato lëmi, mirëpo do t’i përmendim ma kryesoret prej tyre:

1- për të varfur, nevojtar dhe për larje të borxheve;

2- ndërtim të xhamijave, për mirëmbajtje të xhamijave, për kujdesin ndaj imamave, muezinave etj.;

3- për shpërndarje të ujit, gropimit të bunarave, në vendet ku ska ujë;

4- për blerje të ushqimit dhe veshmbathjes dhe për shpërndarje të tyre;

5- për talebe, për blerje të librave dhe gjërave të nevojshme për arsimin e tyre;

6- për botim të librave, nxjerje të audiokasetave dhe për shpërndarje të tyre;

7- për shpërndarje të mushafit popujve të botës;

8- ndërtim të shkollave, spitaleve, etj;

9- për ndërtim të strehimoreve për pleq, për jetima, për të huaj, për studenta, etj;

10- për sadaka ndaj të varfurve dhe nevojtarëve prej haxhinjve dhe umrexhive;

11- për kujdesin ndaj të vejave dhe jetimave;

12- për xhihad dhe për muxhahida;

13- për t’i martuar të rinjtë;

14- për davetçitë dhe për dërgimin e tyre për dave në vende të ndryshme të botës;

15- për kujdesin për pakicat muslimane në botë;

16- rezervimi i disa të hollave për raste emergjente sikurse është tërmeti, vërshimi, zjarri, etj;

17- për larje të xhenazeve pa para, etj.

E lusim All-llahun [subhanehu ve teala] të na bëjë prej atyreve që japin sadaka dhe janë të sinqertë në këtë vepër, duke pasur shembëlltyrë tonën në këtë rast Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe shokët e tij. Amin 

Bekir Halimi,
12.6.2001

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit